Kërko

Cristo abbraccia la nostra croce (Pasqua). Autore: Ana Maria Laurent Cristo abbraccia la nostra croce (Pasqua). Autore: Ana Maria Laurent 

Më 12 janar kalendari kishtar përkujton Shën Arkadin, martir

Mendohet të ketë vdekur rreth vitit 304, gjatë persekutimit të fundit pagan kundër të krishterëve. Dokumenti më i çmuar i kultit të Shën Arkadit është predikimi që i kushton Shën Xenoni, ipeshkëv i Veronës, i cili ka mundësi të ketë qenë me origjinë afrikane

R.SH. - Vatikan

Më 12 janar, kalendari kishtar përkujton Shën Arkadin nga Cezarea e Mauritanisë, martir.

Sipas përshkrimit të martirizimit të tij, Arkadi mbylli sytë në Akajë, por të gjitha dëshmitë tjera, që përkojnë plotësisht me njëra-tjetrën, vërtetojnë se duhet të jetë martirizuar në Çezaré të Mauritanisë, në Afrikë. Në se mund të arrihet në një përfundim të saktë për vendin ku u martirizua, nuk është aq e lehtë të përcaktojmë edhe kohën kur e dëshmoi me gjak fenë në Krishtin. Mendohet të ketë vdekur rreth vitit 304, gjatë persekutimit të fundit pagan.

Tërbimi i persekutuesve ishte ndezur aq, sa mjaftonte vetëm një dyshim për të përligjur vrasjet masive të të dyshuarve. Procesionet dhe flijimet e përditshme idhujtare, shoqëroheshin me martirizimin e të krishterëve, prandaj Arkadi, njeri tepër i njohur, i neveritur nga krimet barbare që kryheshin para syve të tij, iku në Çezare. Por mungesa e tij ra shpejt në sy. Atëherë ushtarët arrestuan një nga pjesëtarët e familjes, duke e përdorur si peng, për ta detyruar të kthehej. Arkadi u kthye menjëherë.

U paraqit para gjykatësit, i cili e ftoi të flijonte për nder të idhujve. Po ai nuk pranoi. Atëherë u dënua me vdekje të ngadalshme, të shkaktuar nga torturat më të tmerrshme që njiheshin në atë kohë. Sipas martiriologëve latinë, festa e Shën Arkadit kremtohet më 12 janar, ndërsa në martiriologët lindorë emri i tij nuk përmendet.

Dokumenti më i çmuar i kultit të Shën Arkadit është predikimi që i kushton Shën Xenoni, ipeshkëv i Veronës, i cili ka mundësi të ketë qenë me origjinë afrikane. Duket qartë se Shën Xenoni pati një devocion të madh për Arkadin e besohet se ishte ai vetë që i solli Aktet e martirizimit të Shenjtit në Veronë, gjë që kujtohet që në fillim të panegjirikut të ipeshkvit kushtuar Shenjtit.

12 janar 2019, 12:54