Kërko

 Memoriali i krimeve të kryera nga regjimi i khmerëve të kuq në Kamboxhia Memoriali i krimeve të kryera nga regjimi i khmerëve të kuq në Kamboxhia 

Kamboxhia: 40 vjet më parë shembej regjimi i khmerëve të kuq

Në vitin 1979 trupat vietnameze hynë në Kamboxhia, ku rrëzuan regjimin e Pol Potit, një nga më brutalët e historisë së njerëzimit. Edhe Kisha u shfaros. Ndërsa në vitin 2015 u hap procesi i lumnimit të 35 martirëve kamboxhianë, vrarë gjatë persekutimit të Pol Potit. Ndërmjet tyre, ipeshkvij, priftërinj, laikë, gra e katekistë, që vdiqën nga uria e mundimet.

R. SH. - Vatikan

Më 7 janar të vitit 1979, në Kamboxhia mbyllej faqja e fundit e njërës nga historitë më të tmerrshme, që ka parë njerëzimi, përplot me luftëra e krime nga më rrënqethëset. Histori, që flet për shfarosjen e 1/4 së popullsisë. Mendohet se gjatë regjimit të khmerëve të kuq, “miq të dashur të regjimit enverian, që e sundonte asokohe me të njëjtat metoda, popullin shqiptar”, u  zhdukën, me rrugë të ndryshme, të gjitha kriminale, më se dy milionë kamboxhianë.

Lindja e regjimit

Kjo periudhë dramatike e historisë kamboxhiane nisi më 17 prill 1975, kur trupat e khmerëve të kuq hynë në Phnom Penh. Qëllimi i regjimit, që frymëzohej nga ideologjia marksiste, ishte të krijonte një shoqëri agrare, përmes të ashtuquajturit “pastrim i Kamboxhias”. Në fillim trupat khmer u pritën me brohori nga popullsia. Po ishte vetëm fillimi. Akti i parë i një drame, që do të shndërrohej shpejt në tragjedi. Pak orë pas hyrjes së tyre, banorët e Phnom Penh u detyruan të largoheshin nga qyteti. Niste një nga emigrimet më të mëdha të detyruara të historisë së kohëve të fundit. Kryeqyteti u shndërrua në qytet-fantazmë e, për popullsinë u hap një kapitull  tragjik, i mbushur me masakra e punë të detyruar.

Persekutime e masakra

Ndërmjet viktimave  të regjimit, ishin posaçërisht pakicat etnike e fetare, si dhe përfaqësuesit e klasave të kamura. Ata pak njerëz, që shpëtuan gjallë,  kujtojnë se asokohe arrestohej menjëherë edhe kush mbante syze. Sepse syzet zakonisht i mbajnë njerëzit, që rrinë ditë-natë mbi libra. E kush është i ditur, nuk u nënshtrohet lehtë të paditurve, siç ishin khmerët e kuq. Prej këndej, ajka e mendjeve të ndritura, intelektualët më të shquar të vendit, u detyruan të marrin kazmat e të punojnë  në  bujqësi. Kur nuk përfunduan me kokë të prerë, natyrisht! Shumë adoleshentë u rekrutuan në ushtri. Shkollat, bankat, spitalet u asgjësuan, e vitet e regjimit qenë vite krimesh të shëmtuara. Regjimi po linte pas vetëm kafka! Piramida kafkash e kockash! Emblema e kësaj periudhe, ngarkuar me tortura, u bë shkolla e lartë e Phnom Penh, shndërruar në burg, e sot, memorial, për të mos i harruar tmerret e këtyre viteve.

Rënia regjimit  

Ishte konflikti ndërmjet Kamboxhias e Vietnamit ai, që i dha fund regjimit të khmerëve të kuq: më 1979 ushtarët vietnamezë, të përgatitur mirë për luftë, pushtuan kamboxhian dhe e shembën regjimin gjakatar të Pol Potit. Trupat e khmerëve të kuq u detyruan të tërhiqen nëpër pyje e male.

Dënimet për genocide

Kohët e fundit Gjykata e posaçme për khmerët e  kuq, mori dy vendime,   përmes të cilave dënoi për genocid dy liderë të tyre. Janë Nuon Chea, krah i djathtë i Pol Potit dhe Khieu Samphan, asokohe kreu i shtetit kamboxhian. Vendimi i parë i fajësisë, ky, që pranon se në këtë vend u krye një genocid i tmerrshëm. Gjykata e posaçme për khmerët e  kuq u ngrit më 2006, pas marrëveshjes ndërmjet Kamboxhias e Kombeve të Bashkuara. Dikush duhet të paguante, për të gjitha krimet, që ia ndryshuan tragjikisht faqen vendit!

Martirët e khmerëve të kuq

Edhe Kisha kamboxhiane qe viktimë e furisë shkatrrimtare të khmerëve të kuq. Në vitin 2015 u hap faza dioqezane e procesit të lumnimit të 35 martirëve,   vrarë gjatë persekutimeve të kryera nga regjimi i Pol Potit. Ndërmjet tyre, ipeshkvi kamboxhian Joseph Chhmar Salas me 34 shokë, priftërinj, laikë, gra, katekistë, misionarë - ndërmjet të cilëve, edhe disa anëtarë të Kongregatës së Misioneve të Jashtme të Parisit - që u lanë të vdisnin nga uria dhe mundimet, ndërmjet viteve 1970-1977. Ishin kamboxhianë, vietnamezë e francezë.

 

07 janar 2019, 18:48