Kërko

Forumi Ekonomik i Davosit Forumi Ekonomik i Davosit 

Fillon Takimi i Davosit: rreziqet, pasiguritë e dezertimet e shumta

Në qendër të Takimit të sivjetëm, tema e globalizimit të ri në kuadrin e revolucionit të katërt industrial, sidomos ndikimi i ndryshimeve teknologjike mbi financën dhe industrinë.

R.SH. - Vatikan

Atmosferë pasigurie e shumë dezertime. Filloi sot e do të vazhdojë deri më 25 janar, Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku çdo vit mblidhen liderët e panoramës politike, financiare dhe ekonomike të globit. Në qendër të Takimit të sivjetëm, tema e globalizimit të ri në kuadrin e revolucionit të katërt industrial, sidomos ndikimi i ndryshimeve teknologjike mbi financën dhe industrinë. Edicioni i sivjetëm karakterizohet nga mungesa liderësh të rëndësishëm e nga një kuadër mjaft shqetësues.

Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar

         Dje, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) bëri të njohur të dhënat e fundit për ekonominë botërore dhe raportin për rreziqet globale, nga të cilat del në pah një paqëndrueshmëri ekonomike gjeopolitike me pasoja të rënda për zhvillimin e botës. Vlerësimet e Fondit Monetar, nga njëra anë, konfirmojnë një rritje prej 3,7% në zhvillimin e përgjithshëm botëror gjatë vitit 2018, por, nga ana tjetër, parashikojnë keqësimin e gjendjes për vitet që vijnë. Këtë vit, rritja duhet të jetë 3,5%, ndërsa në vitin 2020, 3,6%. Për SHBA-të, parashikimi i rritjes ekonomike konfirmohet në 2,5% për këtë vit e, në 1,8% për vitin e ardhshëm. Edhe më keq Eurozona, për zhvillimin e së cilës Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka ulur shifrën deri në 1,6% nga 1,9%, që ishte parashikuar më parë.

Rreziqet globale

“Ekonomia globale përballet me rreziqe dukshëm më të larta, disa prej të cilave, për shkak të politikave të zbatuara nga qeveritë”, deklaroi drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde, duke u bërë thirrje autoriteteve të “jenë gati nëse rreziqet kthehen në realitet”. Në vendin e parë ndërmjet faktorëve kryesorë të paqëndrueshmërisë globale, sipas FMN-së, është gjendja financiare e Italisë, hipoteza e një Brexit (pra, e shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian) pa marrëveshje dhe rritja e euroskepticizmit para zgjedhjeve evropiane në maj, të cilave u shtohet një shkallëzim i mundshëm i konfliktit tregtar të Kinës me SHBA-të mbi taksat doganore dhe perspektiva e një paralize të zgjatur administrative (shutdoën) në SHBA.

Kush mungon nga liderët botërorë?

Përveçse mbi ekonominë aktuale, paqëndrueshmëria politike pasqyrohet edhe mbi pjesëmarrjen në Forumin e Davosit. Ndër “dezertorët” më të rëndësishëm të Takimit, presidenti amerikan Donald Trump, i cili duhet të zgjidhë gjendjen e vështirë, krijuar nga paralizimi i administratës, sepse Shtëpia e Bardhë dhe demokratët nuk merren vesh për murin, që Trump dëshiron të ndërtojë në kufirin me Meksikën; pastaj, presidenti francez Emmanuel Macron, i impenjuar në përballimin e protestave të “jelekëve të verdhë” dhe kryeministrja britanike Theresa May, e zhytur në kaosin e Brexit.

22 janar 2019, 15:05