Kërko

 Fshatrat afrikane vuajnë nga varfëria, thatësira dhe mungesa e ujit Fshatrat afrikane vuajnë nga varfëria, thatësira dhe mungesa e ujit 

Filloi sot në Abu Dhabi, Samiti vjetor ndërkombëtar kushtuar ujit

Në kryeqytetin e Emirateve Arabe filluan punimet e Samitit Ndërkombëtar kushtuar ujit. Do të vijojnë deri të enjten, për të diskutuar mbi problemet, që kanë të bëjnë me mungesën e burimeve hidrike, posaçërisht në Lindjen e Mesme. Të shumta, arsyet e këtij problemi, ende i pazgjidhur për shumë popullsi.

R. SH. - Vatikan

Në Samit marrin pjesë 35 anëtarë të Bashkësisë së ujit WFES, platformë themelore e qeverive dhe sipërmarrjeve, për të gjetur zgjidhjen e problemeve krijuar nga thatësira. Në përgjithësi, janë dy miliardë e gjysëm  njerëzit, të cilëve u mungon uji. Në zonat ku ndjehet kjo mungesë, uji bëhet gjithnjë më shpesh shkas për lindjen e grindjeve, si në rastin e izraelitëve e palestinezëve, Izraelit e Libanit,  Indisë e Kinës.

Ndryshimet klimaterike e rëndojnë situatën

Sipas Kombeve të Bashkuara, janë më se 663 milionë njerëz që, aktualisht, jetojnë pa ujë të pishëm pranë shtëpisë e, për ta siguruar, detyrohen të bëjnë çdo ditë disa kilometra rrugë, ose radhë të gjata, për ta përdorur.  Situatë dramatike kjo, që  ndryshimet klimaterike, në vijim, e rëndojnë më tej. Në Jug të Afrikës, për shembull, që prej tri vjetësh nuk bie shi i mjaftueshëm e ujësjellësi i kryeqytetit ka shterruar pothuajse plotësisht. Gjithnjë në Afrikë, në Sahel, 135 milionë njerëzve u rrezikohet jeta për arsye të mungesës së ujit, shkaktuar nga rritja e vazhdueshme e temperaturës. Sipas llogarive, në botë, në çdo 11 vetë, njëri pi ujë të ndotur e 52%  e sëmundjeve shkaktohet kryesisht nga uji.

Thirrjet e Françeskut për ndryshimin e situatës

Papa Françesku ka folur shumë herë për rëndësinë e ujit. Me rastin e Ditës Botërore të ujit 2018, theksoi se uji është elementi më themelor për jetën e se nga aftësia jonë për ta  ruajtur e për ta ndarë bashkërisht, varet ardhmëria e njerëzimit. Për Françeskun, uji është pasuri e përbashkët e të kujdesesh për të, është urgjente. Këtë Papa e përsërit shpesh, duke i kushtuar kësaj teme edhe Mesazhin e Ditës IV Botërore të Lutjes për kujdesin e krijimit, 2018:

“Kujdesi i përditshëm për këtë pasuri të pallogaritshme - shkruante - është përgjegjësi e pashmangshme, sfidë e mirëfilltë”. Shoqëruar me porosinë  që uji të mos shndërrohet në simbol përçarjeje, por në rast takimi:

“Uji është themelor për jetën. Në shumë zona të botës, vëllezërit e motrat tona nuk mund të kenë jetë dinjitoze pikërisht për shkak  të mungesës së ujit të pastër. Statistikat dramatike të etjes, posaçërisht situata e njerëzve që sëmuren e shpesh edhe vdesin për shkak të ujit të pashndetshëm, është turp për njerëzimin e shekullit XXI (…). Statistikat e etjes kërkojnë vullnet e vendosmëri! Përpjekjet institucionale, organizative, edukative, teknologjike e financiare nuk mund të dështojnë në përballimin e kësaj  urgjence të njerëzimit”.   

14 janar 2019, 13:20