Kërko

Myslimanë në xhami Myslimanë në xhami 

Deklaratë e Islamabadit: më se 500 hoxhë, kundër terrorizmit, në favor të Asia Bibit

Dënojmë përdorimin pa dallim të edikteve islamike nga ana e ulemave radikalë. Besimtarët e çdo feje a sekti kanë të drejtë institucionale të jetojnë në Pakistan. Askush nuk duhet vrarë me pretekstin e fesë. Nën lenten e zmadhimit, marrëdhëniet me Arabinë Saudite.

Më se 500 predikatarë islamikë të Pakistanit, nënshkruan “Deklaratën e Islamabadit” kundër terrorizmit islamik, dhunës së ushtruar në emër të fesë  dhe “fatwa”-ve, apo edikteteve të lëshuara mbarë e prapë, pa bërë kurrnjë dallim, nga ulematë radikalë. Deklarata u nënshkrua dje, në kryeqyetetin e Pakistanit, gjatë “Seerat-e-Rehamt-ul-Alameen”.

Kthesë historike për Republikën islamike të Pakistanit

Eshtë kthesë historike për Republikën islamike të Pakistanit, ku vijojnë ende atentatet kundër pakicave: e jo vetëm atyre të krishtera, por edhe kundër anëtarëve të sekteve, që konsiderohen si të “të pafe”. Prej këndej, duhet të pranojnë, edhe me detyrim, atë që quhet “feja e vërtetë”, domethënë, islami, ose të dhunohen a të vriten mizorisht. Dokumenti kujton edhe fatin e Asia Bibit, nënës së krishterë, dënuar me vdekje për blasfemi, që fitoi pafajsisë, pas vitesh të gjata kaluar në burg. Rasti i saj - nënvizohet - që do të rishikohet, sipas kërkesës së radikalëve, duhet dëgjuar me përparsi absolute”.

Liri fetare për të gjithë

Dokumenti ka shtatë pika, me elemente të dorës së parë për lirinë fetare. Në pikën 1 dënohen vrasjet  e kryera me preteksin e fesë, duke pohuar se  janë plotësisht në kundërshtim me Islamin. Deklarata pohon se asnjë lider fetarë nuk ka të drejtë t’i kritikojë profetët (n. 2) e asnjë sekt nuk duhet deklaruar i pafe (n 3); për më tepër, asnjë mysliman ose jo mysliman nuk mund të quhet “njeri që meriton lëvdata”, sepse u vra me vendime të marra jashtë gjykatave. Ndërkaq, besimtarët e çdo feje ose sekti, kanë të drejtë kushtetuese të jetojnë në vend, mbi bazën e rregullave të tyre kulturore e doktrinore.

Prej këndej buron edhe e drejta për organizimin e pavarur të mbledhjeve të tyre, me miratimin e administratave lokale (n. 4), si dhe ndalimi i plotë i botimit të materialeve (libra, broshura, audio), që nxisin urrejtjen fetare (n. 5).

Pakistani duhet të mbrojë jetën dhe pronën e të gjithëve

Në “Deklaratën e Islamabadit” pohohet se Pakistani është vend me shumë etni e fe: prandaj, në përkim me mësimet e sharisë, në pikën 6 nënvizohet se “qeveria ka përgjegjësi të mbrojë jetën dhe pronën e jo myslimanëve, që jetojnë në Pakistan. Qeveria duhet të mbajë qëndrim kundër elementëve që kërcënojnë vendet shenjte të jo myslimanëve, të cilët jetojnë në Paksitan”.

Luftë kundër fundamentalizmit

Pika e fundit e dokumentit (n. 7), thekson rëndësinë që ka zbatimi i Planit të veprimit kombëtar në luftën kundër fundamentalizmit.

Për t’iu kundëvënë dhunës, krerët e fesë myslimane e shpallin 2019-tën, vit kushtuar “çrrënjosjes së terrorizmit, ekstremizmit dhe dhunës sektare nga vendi”. Liderët dënojnë edhe fatwa-të kundër njerëzve, që i shërbejnë shtetit dhe pohojnë se nuk do të tolerohet asnjë vendim politik “i papeshuar mirë” në marrëdhëniet ndërmjet Arabisë Saudite e Pakistanit.

Së fundi, pohojnë se “të gjithë jo myslimanët, banues në Pakistan, kanë  të drejtat e tyre e se qeveria duhet t’i mbrojë të drejtat civile të pakicave”.

08 janar 2019, 15:47