Portreti i Skënderbeut në Romë Portreti i Skënderbeut në Romë 

Antologji kushtuar Skënderbeut, në përvjetorin e vdekjes

Sot, më 17 janar 2019, në mbylljen e Vitit jubilar të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, po e kujtojmë Figurën e tij madhore me një antologji të shkurtër, përmbledhje e krijimeve në poezi e prozë të disa prej shkrimtarëve më të shquar, shqiptarë e të huaj. Ndërmjet tyre, edhe klerikë, që e lartuan mbi piedestal, skalitur me fjalë shqipe, Shtatoren e Skënderbeut.

"Ëndrra e nënës së Gjergj Kastriotit, teksa priste të lindte Heroin e pathyeshëm"

Ëndërroi sikur do të lindte një Dragua. …."Por, përpara se të kaloj më tutje, nuk mendoj se duhet lënë mënjanë ajo që unë e mora si krejtësisht si një çfaqie mrekullie dhe që u profetizua prej shumë njerëzve, mbi lavdinë e këtij njeriu, megjithëse e di mirë se shumë vetë s’do t’a përfillin fare, si fort të ngjajshme me përrallat e vjetra. Thonë, pra, se kur Vojsava mbeti shtatzënë me të, pa në ëndër se lindi një dragua aq të madh, sa që mbulonte gjithë Epirin, kokën e shtrinte ndërmjet kufijve të turqve, të cilët i përpinte me gurmazin e vet të gjakosur, ndërsa bishtin e mbante në det ndërmjet kufijve të krishterë dhe sidomos të shtetit të Venedikut. Gjoni, me t’iu rrëfyer ëndrra, nga që ajo nuk ishte një punë që të hetohej me anë rropullish apo që kërkonte për shpjegues Apollonin, e qetësoi me gëzim të madh të shoqen dhe profetizoi me lehtësi se prej saj do të lindte një burrë i përmendur në luftë e në vepra, i cili do të ishte armiku më i rreptë i turqve dhe njëkohësisht kapedani i tyre më fatbardhë, mbrojtës i fesë së krishterë”

Marrë nga Marin Barleti: Historia e Skënderbeut  

Atë Marin Sirdani: Lindja e Skanderbegut  

Na e dijmë se, ndër male t’ona, për nji burrë të tepruem, për nji div a kreshnik, thonë se lén drangue. Nji njeri këso dore e falë Zot’ynë të pështjellun me nji pëlhurë të hollë, si shark bolle, me fletë nën sjetulla, i ep nji fuqí të mbinatyrshme. Kështu, mbas gojëdhanas, u lé edhe Skanderbegu.

Pak dit para se t’a falte Zoti këtë, e ama pau n’andërr se u shkep nji hyll prej qielli, e tue u ulë kadalas, u drejtue kah ajo, e cila, bâ me u zmbrapë për me i lëshuem vend, u shndërrue në nji foshnje për bukurí. I u dha asaj atëherë m’u avitë për m’e marrë ngrykë e m’e puthë, por i doli gjumi, e u kujtue se kishte qênë n’andërr.

 Verté nuk kaloi shum kohë mbas asaj andrre e i fali Zot’ynë nji djalë fort të hijshëm, veshë me nji këmishë të hollë, nën krah të djathtë  të  shkrueme nji shpatë, nën sjetulla dy lagje fletë e në báll kunorën.

 Porsa nisi me ndêjë tá, shkonte rrshanas me prekë armët e t’et, e mundohej me ato duer të njoma me i përdorë; e ndër lojë, në sa ishte endé foshnje, ishte aq i gjallë, sa mëzi ia dilshin vllazënt, me gjithëse ishin shum mâ të mdhaj. Cilsít e pashoqe qi kundroheshin në të, bânë me ngrehë sýt e gjithkujt qi e njifte kah ai, e përgëzoheshin me prindët e tij.

 Mjerisht, ky fëmi i bindshëm, nuk qe gëzim i prindvet veç për pak vjet, përse kur Turku pushtoi për të parën herë Mat e Dibër, u ngushtue  i ati me ua dhânë peng, e çue n’Adrene, ku u rrit nen sý të mbretit. Me tê shkuen edhe njizeteepesë Matjanë e aq Dibranë, të cilvet i u desht me u shtî faqe muhamedanë, por tinëz rekeshin me mbajtë besimin e të parvet e me ia pasë kujdesin foshnjes së Kastriotit. 

  Marrë nga Bota Shqiptare, Tiranë, 1943, fq.  208

Pater Bernardin Palaj:

Kanga e Vojsavës mbi djep të Gjergj Kastriotit

            K’ndo bylbyl - tha - gêm në gêm

            Lumja un për djalin têm !         

            Për Shën Gjergj – ty, more Gjergj,

            Sot mâ s’parit t’uron nana:

            T’i m’u bâsh trim porsi zana,

            Me u përmend’ ndër fise t’ana,

            Me t’drasht’ Turku n’at Stambollë,

            N’Rom’ me u pyet’për mende-hollë

            Me ket flamur, qi ké n’dorë

            Shterngou, bír, ti kjosh me orë;

            Me ket flamur, qi ke n’parzëm,

            Dis për tê, si me shkue n’darsëm!

                        Rueu gjithmonë t’hujit,

            Porsi zjarmit, porsi ujit!...

            Prandej t’lutem, more bir,

            Pásh kta sy e pásh ket dritë,

            Pash ket nanë qi ty po t’rritë,

            N’kjoft’ se vjen ndoj her’ kjo ditë,

            Merre popullin me t’mirë,

            Pse e ka lodh’ mjaft Turku i vshtirë!

            Nâma e ktij mos i raft’kuj,

            Pse e bân tokën me qit uj!

            Se kta janë nji komb mundqar;

            Gati t’thuejsh të gjith bujqarë;

            Sa fisnik’, trima e bujarë ;

            Burra t’fort, i mbram e i parë!

            T’vorfën n’shpi, por zemërplot;

            T’gjith besnik’, por n’vend t’pazot;

            Ngran’, pa ngran’- qashtû si janë,

            Me ‘i kushtrim i mbledh të tânë.

            Fjal’n e keqe me jau thânë,

            Djalin t’falin – ktê s’t’a falin.

            Me fjal’ t’mira   – n’ditt mâ t’vshtira,

            Gjithsi t’duesh i bân për vedi;

            Me fjal’ t’ kqija, s’i shtron mbreti,

            T’tan’ m’nji vorr sot ki’n me hî,

            Mos me i shkel’ mâ kjo Turkí,

            T’ ishte kush qi me u prî…

            …   …   …   …  …   …           

            Kaluen dit e kaluen vjet,

            Hupi Gergji larg n’gerbet.

            Mbas shum vjetsh,

            Për nji Sh’ Gjergj,

            N’katër vllazën u kthye njani,

            Mâ luani:

            U kthye burri prap n’shpí t’vet.

            Mbar’ Shqipín për vedi e bâni;

            Shtyni Turkun e u bâ mbret.

            “Skenderbeu!”

            Brohoriti mbarë atdheu.

P. B. Palaj, Ndërmjet Shën Gjergjash, fragment, marrë nga  “Bota shqiptare”, Tiranë, 1943, fq.  204-205.207

 

Naim Frashëri: “Istori e Skënderbeut”

Kënga V
U ngrit fat' i Shqipërisë
Si i vdekuri nga varri,
Mori udhën' e Asisë,
Duke ikur si i marri,
Me një rrobëzë të çqyer,
Me fytyrë të tmerruar
Dhe me gjak lyer e ngjyer
E me sy të zgurdulluar;
Posi hije mori dhenë,
Duke ecur me vrap shumë,
Papo u hodh përtej denë
Si ajy q'ikën në gjumë.
U shëmbëllye me Gjonë,
Mori fytyrën e tija,
Shtanë dhe zën' e zakonë
Edhe u derth nga Syria.
Plaku me shkop duke shkuar,
Posi nata mori dhenë,
Pa vëndethit e uruar
Dh'erth e gjeti Skënderbenë
Pa iu qas edh'e fërkojti
Me mall shum' i mjeri atë,
Në mest të tendës qëndrojti,
I zi sterrë posi natë!
I ligur, i dobëtuar,
I grisur, i çkatërryer,
I shkretë, i varfëruar,
I qar' e i mallëngjyer!
Ish i venitur, i vdekur,
I rrithte si lumë gjaku,
Ishte përgjynjur' e tretur
Dhe dridhej i tërë plaku!
Si ajy lipës' i gjorë
Që ka mbeturë pa bukë,
Rri ndë shi e në dëborë,
Ngjeshur i mjeri me zhukë!
Ahere kur fryn e bije,
Jeta është gjith' e qetë,
Reja dëborënë shtije
Mbi dhet të ftoht' e të shkretë!
Ajo plakëz' e sëmurë,
Kur i vjen e zeza natë,
Pandeh që s'gdhihetë kurrë,
Aq i duketë e gjatë!
Po kur kthehet sërish vera,
Që vjen me lul'e me fletë,
Dhe me të mira të tjera,
Bënetë tjatërë jetë,
Dita sa vjen madhësohet,
E vë posht ahere natën,
Pa tretet e dobëtohet,
Ngjan me plakë brengëgjatën.
Bujku zë e lëron arën,
Duke parë mirë motnë,
Heth mir' e bukurë farën,
Pa shpresën' e ka më Zotnë
S'i mallëkon kurrë qetë,
Se ësht' e madhe mëkatë,
Nuk' e do Zot'i vërtetë,
Pa i quan mëm' e atë.
Këthehetë prapë moti,
Po çdo kohë ka një shijë,
Ashtu e ka bërë Zoti,
Q'i vu të gjitha më vijë.
Vinë, venë, sërish vinë
Të gjitha ç'janë në jetë,
Pa vëre re njerëzinë,
Ta njohç fjalën' e vërtetë.
Qysh bije në vjeshtë shiu,
Lumi qysh i vete detit,
Ashtu të thotë njeriu
I derdheshin lotët mbretit!
Posi rrëkeja i vinin
Dhe i mirrin krahërorë,
Nga mjekër' e bardh' i binin,
Që e kishte si dëborë!
"Fle? i tha, o jetëgjatë!
Nuk' e di se ç'është bërë,
Ç'e gjet të zinë tët atë
E Shqipërinë të tërë?
T'u shua fare shtëpia
Nga turqit' e mallëkuar,
Hyri ndë kurt Shqipëria,
Është shuar' e shkretuar!
Tyrqitë si egërsira,
Armikët' e njerëzisë,
Me mënyra të pështira,
Me dhelpërit të Azisë.
E muarrë Shqipërinë
Dhe shkoj e vate lirija!
Prunë dëmn' e babëzinë!
Po mbretëron ligësija.
Vëndet' e shumë i zunë,
I prishnë duke shkretuar,
Në zgjedhë të keq'e vunë
Shqipëtar' e varfëruar.
Ç'hoqi Shqipëriz' e gjorë,
Vashatë gjith' u përmblodhë,
Për të mos rënë në dorë,
Nga shkëmbi përposh u hodhë.
Tët vëllezërë të tërë
Egërsiratë i vranë,
S'tregonetë ç'kanë bërë,
Gjë të gjallë nukë lanë!
Fle ti, shpres' e Shqipërisë?
Mëmëdheu të ka shpresë,
T'i përzësh mbren' e Tyrqisë,
Që ia ka me të pabesë.
Ti përpiqesh si i marrë!
Jakë në mënt e mos vuaj,
Murati po të bën varrë,
Armiknë tënt mos e duaj!
Ati që të shoi shtëpinë
Dhe bëri rop shqipëtarë
E të shkretoi Shqipërinë,
Duke ndar' e duke vrarë,
Armikut të Shqipërisë
I bën të mirë në jetë?
Errësirës' së Asisë
Që të la kërcu të shkretë!
Apo rreh të març Asinë,
Si Skënder' i Math njëherë,
Të ngrehsh këtu mbretërinë,
Pa ta lësh nëpër të tjerë?
Ish i math me të vërtetë,
Mbi të gjithë mbretërojti,
Po pastaj fron' e la shkretë,
Mëmëdheu gjë s'fitojti.
Pirroja lëftoi Greqinë,
Edhe Romën' e të tjera,
N'Afrikë Evgjitërinë,
Sindëkur ja pruri hera,
I dhan' emrë Shqipërisë,
Po veç emërin i lanë,
T'ish urdhër i Perëndisë,
Ishin ndryshe vëndet tanë.
Burratë, që pinin retë,
Botënë në dor' e vinin,
Muntnin një themel përjetë
Vëndit të tyre t'i shtinin.
Ty ta la rradhënë moti,
Që ta nderonç Shqipërinë,
Fuqi më të dhëntë Zoti,
E bëfsh gjithë mbarësinë!
Të gjithë humburë venë,
Veç një munt emrë të lerë,
Që lëfton për mëmëdhenë,
S'mundohetë për të tjerë,
Mëmëdheu të ka shpresë
Që ta nxjerç pej robërie,
Nënë xgjedhë të mos mbesë,
T'i apç dritë si ka hije.
Qysh munt të lësh Shqipërinë
Në kurt e në të këqija
E të vuanç për Tyrqinë?
Ç'të mirë pe nga Tyrqia?
S'të vjen keq për shqipëtarët
E për Shqipërin' e mjerë
E s'të merr, biro, të qarët,
Që humbi lirin' e nderë?
Robërin' e Shqipërisë
Edhe gjëmën' e tyt eti
Dhe mynxyrën' e shtëpisë
Qysh munt ta shohç, që të gjeti?
Gjakn' e gjithë Shqipërisë
Tani ti je nënë barrë
T'ia nxjerrç nga hundët Tyrqisë,
Veç teje s'ka kush ta marrë.
Do të lësh në këtë jetë
Nj'emrë shumë të uruar
E një dritë të vërtetë,
Q'ajo kurrë s'ka të shuar.
A më sheh ti mua plaknë?
Të qenkësha si ti djalë,
Muratit i pinja gjaknë,
Sot s'gënjehesha me fjalë,
Të shoh vëllezërit vrarë,
Shtëpinë time të shuar,
Shqipërin' e shqipëtarë
Të lidhurë këmb' e duar!"
Kështu tha, dhe posi era
Iku duke qar' i gjori
E dolli me vrap nga dera,
Ajy qënëke Mënttori!
Skënderbeu u tmerrua,
Dhe zëmëra q'e kish trime,
Ju doq e ju përvëlua,
Ju bë cop' edhe thërrime.
Me tmerr e me breng' u xgjua,
Burr' i math e trim i mirë,
Dhe ndënj pak' e u mejtua,
Kur sheh që posa ish ngdhirë
Qiellin' e kishin zënë
E gjithë qarkunë retë,
Dukej sikur kishte rënë
Një zi e madhe ndë jetë.
Derën' e tëndës' e hapnë,
Një kalorës po thërriste,
Kali kishte marrë vrapnë,
Ajy, sa mundte, bërtiste.
Vinte nga kryeqyteti,
Nga Adrinopoj' e shkretë,
Sillte kartënë nga mbreti,
Që s'kish fjalë të vërtetë.
Skënderbeu e këndojti,
E mori vesh pabesinë
Dhe një shërbëtor dërgojti
E thirri vetë njerinë
I tha: "Kartë pse s'më prure
Nga im at', apo s'të dhanë?"
At'i ra të zi pej ure
Posa i zu ngoje t'anë,
Po e mblodhi, s'u rrëfye,
Tha "Vetëm këtë më dhanë"
Edhe fytyra ju kthye,
Djersë të ftohta i ranë.
I tha: "Po nga Shqipërija
Nonjë fjalë s'ke dëgjuar?"
Ajy mbloth supat e tija,
Dhe vu dorën në krahëruar.
Skënderbeu tha: "Ç'më thua?
Tim vëllezrë s'i ke parë
Dhe s'të thanë gjë për mua?
Këjo punë s'ësht' e mbarë."
Ajy me gjuhët të trashë
Tha: "S'i njoh, t'u ngjattë jeta!
E s'të them dot se i pashë,
Se s'pshihetë e vërteta."
Trimi më tej nuk' e shpuri,
Po qëndroj e u mejtua,
Ëngjëlli ndër mënt ja pruri
Dhe lott' i vanë si krua.
Më s'ndenj, po që atë ditë
Mblodhi pleqt' e parësinë
Urdhëroj, bënë gatitë,
Të parë la një të tinë.
E dëgjuan ushtëtarët
Që ikënte Skënderbeu,
Pa gjith' i mori të qarët,
Thanë "Të na pikë dheu!"
Më nesëret gjith' u ngrinë,
Edhe pleqt' e parësija
Skënderbeut po i vinë
Brënda në tëndët të tija.
Ajy ish ngritur pa ngdhirë,
Kishte zën' e po mejtohej,
Punëtë s'i gjeti mirë,
Pa zëmëra i përvëlohej.
Kur ata në der' u dhanë
Të vrënjtur e të helmuar,
Të gjithë afër i vanë
Me fytyrë të tmerruar!
Popo, ish bërë zapati!
Mynxyr' e madhe kish ngjarë,
S'kish mbetur njeri nga ç'pati,
Ç'gjë t'i thoshinë më parë!
Për vëllezër' a për mëmë,
Për t'an' a për Shqipërinë,
Nuk' ishte një e dy gjëmë,
I kishin mbyllur shtëpinë!
Desh t'i thosh atë Sandushi
Nga gjithë ç'qenë më parë,
Po sytë me lot i mbushi
Edhe u mbyt duke qarë.
Skënderbeu: "Pse s'më thoni?"
U tha, "Shokë! Ç'është bërë?
Të gjitha të m'i tregoni!
Mos bëhi si gra të tërë!"
Pastaj të tëra ja thanë
Me vaj e me mallëngjime,
Mijëra rrufe i ranë
Në atë zëmërën trime!
Të gjithë shokëtë qanin
E më shumë shqipëtarët,
Ngashërimënë s'e mbanin,
Nuk' e prisnin dot të qarët.
Skënderbeu ish mahnitur,
I dridhej buza dhe qante,
Rrufet' e kishin goditur,
Lottë më s'mundte t'i mbante.
Ajo zëmër' aqë trime,
Që s'doj të dij nga shigjeta,
Nga të tilla hidhërime
U munt far'e ju nxi jeta.
Kish shpresë të vij një herë,
E t'i gjen si i kish lënë.
Popo, njeriu i mjerë!
S'kemi gjë në dorët tënë!
Skënderbeu s'përdëllehej,
Ra në sëmundj'e në lëngime,
Shëndeti më nuk' i kthehej,
Ish ndë eth'e ndë rrënkime.
Ndënji tre a katrë muaj
I sëmur' e në shtrat rënë,
Në vënt të larg' e të huaj
Shkoj me brengë disa hënë.
Si mori mirë shëndenë,
Zgjodhi nga gjith' ushtërija
Sa shqipëtarë që qenë
E të pakë nga Azija,
Papo u hoth në Evropë,
Erdhi në Adrinopojë
Me zëmrë mijëra copë,
Që s'tregonetë me gojë.
Gjithë bota nga qyteti,
Sa e njihnin e s'e njihnin,
Si mizërija, rrëmeti,
Duallë jashtë ta shihnin.
Një t'atillë trim' e burrë,
Gjithë njerëzit' e donin,
Se shok s'kish pasurë kurrë,
Papo me gisht e tregonin.
Ishte trim posi dragua,
Kish mëndjen' e urtësinë,
Ish i bukur si pallua,
Kish me vehte Perëndinë.
Kur u poqnë me sulltanë,
E priti mirë si djalë,
E vuri dhe ndenji pranë,
Pa i tha t'ëmbëla fjalë,
Po të gjitha ato fjalë
Të rrem'e për faqe qenë,
Rrodhë të tëra si valë
S'e gënjeu Skënderbenë.
Tha: "Je shtyll' e mbretërisë,
Me ty mbahetë Turqija,
Je fuqi e Perëndisë,
E di vetë Perëndija.
Nga mynxyratë që ngjanë,
M'erdhi më shumë keq mua,
Që i pata këtu pranë,
Zëmëra, m'u përvëlua!
Po një punë q'ësht' e thënë
E vjen nga Zot'i vërtetë,
Nuk' është në dorët tënë,
S'i gjëndetë bar në jetë.
Tani mos del nga qyteti,
Se s'kemi nevojë kaqë,
Armik pothua s'na mbeti,
Me të gjithë kemi paqë
Edhe vetëm mos më lerë,
Kur të kesh volinë, jakë
E më piq ngandonjëherë,
Të rrim' e të flasim pakë
S'dua të mërgohesh meje,
Se unë tek ti kam shpresë,
Njeriu tjatrë veç teje,
Në jetë nuk' i sjell besë
Më pastaj në dashtë Zoti,
Në u bëftë si them unë,
Si të mbarohetë moti,
Kam mejtuarë një punë,
Të të bënj mbret e të parë,
Si i kam thënë tyt eti,
Përmi gjithë shqipëtarë,
Se froni sot ty të mbeti."
Kshu tha, po ja kupëtonte
Skënderbeu djallëzitë,
Bëhej sikur i besonte
Dashurin' e miqësitë.
Kohë në qytet qëndrojti,
S'delte fare nga shtëpija,
Murati ç'kish bër' i msojti
Të gjitha nga miqt' e tija.
Të vëllezërit' i vinin
Në ëndërrë, edhe plaku,
Kundrejt si hije i rrinin,
Si krua u rrithte gjaku!
Skënderbeu kohë priste,
Edhe volinë kërkonte
Sulltan Muratnë ta vriste
Edhe fronë ta rrëzonte,
Të hiqte kordhën' e gjatë,
E t'i bij sa kish fuqinë,
T'ja bëj krahërorë govatë
E t'i nxirrte mushkërinë,
Apo ta shtinte nër duar
E posi berrë ta therte,
A ta shkelte në krahëruar
Edhe shpirtinë t'i merrte,
Posi ujku qen' e plakur,
Që s'i kanë mbetur dhëmbë,
E zë dh'e ngorth pa përgjakur,
Duk'e xhvaturë me këmbë!
M'anët tjatërë Murati
Kishte soje frikë shumë,
Synë hapët si lugati
E mbante edhe në gjumë!
Papo nënë dhet punonte
Me djallëzi nat' e ditë,
Varrë Trimit i rrëmonte,
Po s'i shkonin djallëzitë.
Ndër këto gjëndej Murati,
Po s'ja kishte ënda vrapnë,
E më s'i dha kohë gati,
Luftatë sërish u hapnë.
Hynjadhi, mbret i Vllahisë,
Që kish dhe Transillvaninë,
Vlladislla i Polonisë,
Q'ish bashkë me Ungarinë,
Ju lëshuanë Turqisë
Të dy bashkë menjëherë,
Në rrëmet të ushtërisë
U përzjenë dhe të tjerë.
Murati mbloth ushtëritë
Me mijë si mizërija,
Edhe bëri çpejt gatitë,
Sindëkur e kish Turqija.
Pa nukë bëri të parë
Skënderbe burrën' e trimnë
Mbi të gjithë luftëtarë,
Q'e kish gjithënjë fitimnë
Po Muharrem benë nisi,
Q'ish një turk i tëmerruar,
Dhe i trashë posi lisi,
E dërgoj për të lëftuar,
Pastaj ndënj e u mejtua,
Rreziknë e kupëtojti,
Vet'hesë ju zëmërua
Për të parin që dërgojti;
Thirri të birë, Mehmenë,
I tha: "Si ja shtie unë,
Të dërgojmë Skënderbenë,
Muharremi s'bën dot punë
Po të mos ta bënj të parë,
Vetëm ndihmës le t'i jetë,
Që të vejë puna mbarë,
Shum' urdhërë të mos ketë.
Armikëtë Skënderbeu
Do t'i muntnj' a vritet vetë,
Këjo punë më pëlqeu,
Se del mbroth, sido të jetë."
Këto tha dhe çoj Mehmenë,
Me fjalë të rreme shumë
Ta gënjente Skënderbenë,
E pandehte q'ish në gjumë.
Me të mbaruar Mehmeti,
Skënderbeu u mejtua,
Pa tha "Kur urdhëron mbreti,
Mos më pyet fare mua."
Kshu tha dhe në pakë ditë
Burri trim e zot' i mirë
I mbaroj gjithë gatitë,
U nis me shumë dëshirë
Sa shqipëtarë që qenë,
Nëpër ushtërit i zgjodhi,
Dhe të nipnë Hamza benë,
E të tjerët gjith' i mblodhi;
Mori dhe turq' e të tjerë
Ngaha kombet e Azisë,
Sindëkur e bën' ngaherë
Për sulmët të ushtërisë.
I hipi burri trim kalit
E mori në dorë frenë,
Si dielli majë malit,
Kur del e xbukuron dhenë
E la për jetë qytetnë,
Ndjeu thelbin' e gëzimit,
Lëshoj kalën, mori dhenë,
Shokët' i ranë pas trimit.
Pa një ditë ndaj mëngjesi
Dolli më një vent të lartë,
Zoti zëmrënë ja ndezi,
Erth e ju bë fjesht e zjarrtë!
Pa malet e Shqipërisë,
Që ndë vogël'i kish parë,
Në kohëzët të lirisë,
Pa ndjeu në zëmrët zjarrë,
Një gas që nuk' e kish ndjerë
Që kur lindi, gjer ahere,
Kurrë ndonjë tjatrë herë,
I erdhi me shumë ndere,
Ishte plot me ëmbëlsirë,
E kish një të naltë ndjenjë,
T'uruarë e të mirë,
Të vyer' e pa rrëfenjë.
Shtu syt' e pa mëmëdhenë,
Lott' i vanë si burimi,
Sa shqipëtarë që qenë
Qanë gjithë nga gëzimi.
Kur n'atë koh' i vjen Mari,
Marrë fytyrë njeriu,
Edhe gjuhë shqipëtari,
Veshur si bari syziu.
Mbante krrabënë në dorë,
Syn' e zi e kishte pishë,
Fytyrënë si dëborë,
Sterrë kësul' e këmishë!
Ishte posi djalë mbreti,
I kish dirsurë mustaqja,
Gush' e tij si shkumbë deti,
Posi trëndafili faqja.
Tha: "Zotërinj shqipëtarë!
Luftënë q'u bë e patë?
Hynjadhit i vate mbarë,
Turqet u dha shumë datë!
Nuk' e patnë Skënderbenë,
T'i nderonte këtë radhë,
Të shumët kafshuan dhenë,
S'e hangrë dot me Hynjadhë
Nëpër fushat kanë rarë
Ca më bark e ca mi krahë,
Të plagosur' e të vrarë,
Bërë të varfërit rrahë!
Të pakëtë që shpëtuan,
U kthyen' e zunë vrapnë,
Tani posa kapëtuan,
Posi zoqtë u përhapnë,
Të tërë muarrë dhenë,
Njëri tjatërin s'e panë,
E shihni Muharrem benë?
Krye të par' atë kanë,
Përtej në rrëzët po shkojnë,
Sindëkur i kanë thyer,
Ikin me nxit e s'vështrojnë,
E kanë për të rrëfyer!"
Skënderbeu duke parë
Turqit' e Muharrem benë
Të prishurë e të vrarë,
Dhe gjaknë që mbyti dhenë,
Sa s'ishinë shqipëtarë
I hoqi gjithë mënjanë,
U tha: "Hiqi ju më parë,
Nga të tërë shokët tanë,
Të piqni Muharrem benë
E gjëkundi mos e lini,
Gjersa të zërë qytenë,
Ikëni e më mos rrini."
Tha kshu, dhe ata u ndanë,
Duallë nga ushtërija,
Kuajtë me vrap i nganë,
U ra pas dhe këmbësija.
Ahmeti tha: "Skënderbeu
Pse i ndau shqipëtarët
E neve vetëm na ktheu,
Po nxitojmë si të marrët?!"
Kshu tha, pastaj u mërguan,
Shqipëtarët vetëm mbenë,
Qëllimet i kupëtuan.
Po shikonin Skënderbenë.
Skënderbeu u gëzua,
Shqipëtarëtë i mblodhi,
I vështroi posi dragua,
Trimëri në shpirt u hodhi,
Duke u thënë:"Shqipëtarë!
Vdiqmë a jemi të gjallë?
S'jemi ne q'ishim më parë?
Kjo prapësi ç'është vallë?
Të lëftojmë për Tyrqinë
E të lëmë mëmëdhenë,
Të harrojmë Shqipërin
Të vrasim vetë vethenë!
Të vuajmë për Tyrqinë!
S'shihni tyrqit ç'na punuan,
Gjaknë duan të na pinë!
Shpirtin të na marrën duan!
Turp i math e turp përjetë
Të bjerë kshu Shqipëria!
Të mbesë pa zot, e shkretë!
Të urdhëronjë Tyrqia!
Ta prishnj' e ta varfëronjë,
Në rrezik të math ta hedhë,
Ta ndynj' e ta dobëtonjë,
Ta mundonjë nënë xgjedhë!
Si foshnjatë na gënjeu
E me djallëzi na shturi,
Gjithë ç'kishim i rrëmbeu,
Në dorë, si desh, na vuri!
Më dobëtoi Shqipërinë,
Më vu në kurt shqipëtarë,
Ma mbylli fare shtëpinë,
Nukë më la fis e farë!
Tani duhetë ta themi:
U ndothmë fare në gjumë,
Si të vegjëlit i rremi
Na qeshi, na qeshi shumë!
Po paskëtaj të më shohë,
Se arriti dit' e mbarë,
Për së çpejti do ta njohë,
Do ta njohë shqipëtarë!
Në millt shpatën s'e vë kurrë,
Pa dëbuarë Tyrqinë!
Të vinjë kush është burrë
Të shpëtojmë Shqipërinë!
Ç'e dua unë vet'henë
Me turpit të Shqipërisë,
Nuk e shoh dot mëmëdhenë
Nënë xgjedhët të Tyrqisë!"
Kush është bir shqipëtari,
E ka pjesë trimërije
Sot një flakëzë pej zjarri,
Në zëmër' i zbret Perëndije."
Kështu tha me zë të zjarrtë
Trim i bukur Skënderbeu,
Zëmrat' i dogji si kartë
Të tërë i mallëngjeu.
Këto fjalë shqipëtarët
I bënë më shumë trima,
Gjithë s'mbanin dot të qarët
Q'u vinte si vetëtima;
Posi deshtë me kurorë
E rrethuan Skënderbenë
Me rradhë muarrë dorë,
Lidhë bes' e bënë benë.
Me fuqit të Perëndisë
Mari ngul krabën e tija,
Hap fjamurn' e Shqipërisë,
Thotë: "Rroftë Shqipërija!"
Fjamurit gjithë ju falë
Me shumë gas e me shpresë,
Duke thënë disa fjalë
Të urta me besa-besë.
Burri trim u fal me Zonë
Me zëmërë të ndrituar
E më nukë mbeti vonë,
Po kur e panë kaluar,
Kur hingëllinte Bardhushi,
Q'ishte i math e i lartë,
Me flakë gazi ja mbushi
Zëmrënë, q'e kish të zjarrtë!
Fluturoj posi fajkua,
S'shkelte mbi dhe, po ndë erë,
E rrëfenin si pallua
Leshratë dhe bisht'i gjerë!
Dëgjoj q'erdhi Skënderbeu,
Rrodhi gjithë Shqipërija,
Ngriti krye mëmëdheu,
Pru lirinë Perëndija!
Zokn' e mjerë kur e vënë
Në kuvli, qysh varfërohet,
As ha as pi, as nxjerr zënë,
Po unj kokën' e mejtohet,
Si ajy q'e kanë vënë
Në burk e në të këqija,
Ndë hekura duke shtënë,
Pa i digjet mushkërija,
E kur shpëton nga kuvlija,
Qysh fluturon me gas shumë,
I bëhetë zëmër' e tija,
Q'e ka të butë si brumë,
Ashtu edhe Shqipërija
Anembanë u gëzua,
Dhe djalli e djallëzija
U përmbys e u mërgua.
Erdhi si vera lirija
Edh'e nderoj Shqipërinë,
Dha urdhërë Perëndija,
Pa e shpëtoj njerëzinë.
Si shqerratë kur kërkojnë
Mëmatë me blegërimë,
Rreth e rrotullë vështrojnë,
Me një sy si vetëtimë,
Ashtu edhe Shqipërija
Po e kërkonte lirinë,
Pa ja fali Perëndija,
I dha gjithë mirësinë.

Marrë nga Antologji e letërsisë shqipe, Tiranë, 1960, fq 220-222

Naim Frashëri: Histori e Skënderbeut (1898)
Kënga VI


Kruj', o qytet i bekuar!
Prite, prite Skënderbenë,
Po vjen si pëllump i shkruar,
Të shpëtonjë mëmëdhenë
Shqipëtarët t'i shpëtonjë
Nga xgjedh' e keq'e Tyrqisë,
Edhe ty të të nderonjë,
Që je krej'i Shqipërisë,
Ka pas trima shqipëtarë,
Që s'u trembet syri kurrë,
Ndë zëmërt të tij ka zjarrë,
Ësht' i urt' e trim e burrë.
Mirë se erdhe, o verë!
Që na prure mirësinë,
Dhe për shumë vjet të tjerë
E zbukurofsh Shqipërinë.
O Shqipërizë! gëzohu,
Se të erdhi prapë dita,
Lulëzohu, zbukurohu,
Të zbriti nga Zoti drita!
Edhe juve, o të vdekur,
Merri ngaha ky gas pjesë,
Që shkuatë buzëpjekur,
Nd'atë jetë, paçi ndjesë!
O moj vash' e Shqipërisë,
Që më rri duke mejtuar,
Pa i xhvish rrobat' e zisë,
Arriti dit' e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali
Nga armët' e trimërisë,
Hingëllint'e s'mbahej kali,
Që sill mbren' e Shqipërisë

Marrë nga Antologji e Letërsisë Shqipe, Tiranë, 1960, fq 223

Ernest Koliqi:  “Kushtrimi i Skanderbeut”

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundët dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhun dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron Gjergj Kastrioti,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si ma i Madhi Hero Kombëtar!”


 Marrë nga interneti

 

Skanderbegu: nga Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes (1919)

...“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshet mbi shpinë të rosës”.

Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht, edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndodhive dhe te papritunave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar - dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë - kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ndodhë sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Bota mbarë mbështjellej në zi. Të flegrueme droje, shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkambi të thepisun. Mbi krye flakë i shkëlqen përkrenarja me brena qi, tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse dánë ndër sytë e anmikut. Ai asht fatosi i ndimun, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, si stuhi bore që zdrypë prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, u prin shqyptarëve, qi vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.

Të vertetën ta kallëxon çka ndodhi mbas tij. Mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija.

Shkëputur nga Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes. Marrë në internet

 Gjergj Fishta: Lidhja e Prizrendit

Njekshtû forca e cilldo anmiku, 310
‘Qi desht dam t’ na i sjellë lirís,
Erdh e u thye m’ parsme çeliku
T’ bijve t’ maleve t’ Shqypnís.
Pat kujtue Sulltan Murati
Se Shqyptarët i ká lshue zêmra, 315
Se prandej po u rrin aj gati
E rob t’ zânë po i shtron nên thêmra;
Edhè dyndë nji ushtrí kreshnike,
Të tanë djelm t’regjun nder gjaqe:
Bota marë eshtet prej frike; 320
Kján Europa, lott per faqe.
Por n’ ket punë u gjet gabue;
Skanderbegu ‘i rrfé prej qiellit
Pallen zier atjè në Krue:
Se ç’ vetue ká n’ rreze t’ diellit! 325
E si ulâ tue buluritun,
Shqyptarís i a lshon kushtrimin,
Qi, shk’ â burrë, ne luftë me zbritun,
Turkut m’ armë m’i a shtypë guzimin.
Trup në kamë i a bân shqypnija, 330
Mirë nder armë edhe shterngohet,
E si breshni e si duhija
Fulikare mbi Turk lshohet.
N’ at turr t’ tyne trandet toka,
Tymi çohet dér mbí rê, 335
Bumbullojn male edhè boka,
Rrëmen gjaku shtoj kurrnê.
Shtrî m’fushë t’ Dibers Janiçeri
E, si kau nen thikë të kandarit,
T’ u perpjekë per tokë i mjeri, 340
Ka’ e ndrydhë m’fyt kâma e Shqyptarit,
Aj e shef, sado qi vonë,
Se me dhûnë Shqypnija s’ shkilet,
E se rrêjn atà qi thonë,
Se p’r Atdhé Shqyptari s’ vritet. 345
Jo prá, vritet, pasha Zotin!
Nisë Shan Deda, n’ fjalë t’ u zé,
Porsi vrám âsht aj gjithmotin,
Kur kje puna per Atdhé.
Edhè Mbreti të Stambollit 350
Shqyptarët pushken i a kan vû,
Sa herë Turqit e Anadollit
Paten dashë me u shkelë, m’ kanû.
Kú t’ a lypë e mira e Atdheut
E t’ a hjekë lirija e vendit, 355
Kush â nipash t’ Skanderbeut,
I ç’ do fés e i ç’ do kuvendit,
Per t’ a msý aj ká anmikun,
Si petriti zogjt trumcakë,
E kûdo t’ vringllojn çelikun 360
Nuk lên token pa e pergjakë.
Mocë Shqyptarët me stalagtita,
Lirë gjithmonë kta e kan shkue jeten;
E se enden nata e dita.
Se zên vjeta ne rend vjeten, 365
Kta, posë Zotit t’ naltë t’ Empirit,
Qi ushqen krijen e veshë lulen,
Kryet dér sod perpara nirit
Enè kurr nuk e perkulen.
M’ kamë, atëherë,burra të dheut, 370
Mbasi t’ zott jemi me dekë
Per lirí e nderë t’ Atdheut.

Atë Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë, “Lidhja e Prizrendit”, Romë-1989, fq 107-108

  Fan S. Noli:  Kthimi i Skënderbeut në Krujë      

… Pastaj që atë natë, para se të dilte hëna, i shoqëruar prej një tokice së zgjedhur, u nis me shpejtësinë më të madhe për në Krujë. Kur i u afrua qytetit, dërgoi përpara të nipin, Hamzë Kastriotin, gjoja si sekretár të tij, që të lajmëronte kumandarin e kështjellës që arrinte për së shpejti i urdhëruar prej Sulltán Muradit të marrë kumandën e saj. Hamza, i cili i lindur dhe i rritur në Edërnè – i ati  ish martuar atje me një zonjë turke – fliste turqishten si Turk, dhe ishte shum i squar, e mbaroi plotërísht këtë mision. Hasán Bé Vërzhesda e besoi dhe, kur ardhi Skënderbeu e i tregoi fermanin, e priti me nder, e këndoi fermanin e Dovletit, dhe passi e puthi, i a lëshoi me një herë fortesën. Oficerët e garnizonit dhe krerët e qytetit  ardhën t’a përshendoshnin e t’a përgëzojnë.

Krujanët s’dinin qysh t’a shpegonin këtë mëngjes. Po Skënderbeu s’i la të mejtoheshin shum. I mori më nj’anë krerët dhe ua shpegoi tërë punën.  Krujanët i gjeti aqë besnikë sa dhe Dibranët. Kur u ngrys, thirri mbrënda në qytet njerëzit e fshehur në pyll, me të cilët u bashkua një numër i math prej Krujanësh t’armatosur. Këta, passi mbyllën portat, zunë të gjitha pikat strategjike të qytetit dhe prisnin shënjën. Një klithmë e madhe oshëtiu në mes të natës: “Lirí! Lirí!”. Të tjera zëra i përsëdytin këto fjalë, dhe të gjithë i u vërvitën Turqvet. Të nesërmën s’kish mbetur në qytet, as ushtár turk, as kolloníst, as renegát, veç disá të pakëvet që u kthyen të krishterë. Flámuri i Turkisë dhe shënjat e zotërimit turk u çduknë, dhe vëndin e tyre e zuri flámuri i kuq i Skënderbeut me shkabën e zezë me dy krerë. Populli i tërë thërriste : “Rroftë Skënderbeu!”: 

                                                                                                         

Fan S.Noli, Kthimi i Skënderbeut në Krujë, marrë nga “Bota Shqiptare”, Tiranë, 1943, fq 210

 Henry Wadsworth Longfellow: “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”

Poeti i shquar amerikan i shekullit tё 19-tё, Henry Wadsworth Longfellow (1807 – 1882), botoi me 1873 vёllimin e tretё tё veprёs sё tij me poezi Rrёfenja tё njё Hani ndanё Udhёs, ku pёrfshihet edhe poemth pёr Heroin tonё Kombёtar Gjergj Kastrioti. Mё 1916 Fan S. Noli e shqipëroi kёtё poemё nё gjuhёn shqipe me shënimin - I kushtohet Faik Konicës dhe e botoi nё njё vёllim mё vete nё Boston tё Shteteve tё Bashkuara

Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet ,
Dhe nga fush' e kuqe gjak
Ikën, rent përpara tij
E Muratit  ushtëri
Që shpëtoj e s'ra në lak.

Kur u-ngrys e kur u-err,
Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,
Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajevet.


Mbet e vdekur prapa tij
E Muratit ushtëri,
Kryerojtja udhën hap,
Praparojtja rent me vrap,
Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.

Po kujdes ay s'të ka
As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek' po shkon
Yjt' e fatit po shikon
Që i ndritnin n'udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:
"Është koha për gëzim".

Mez' i natës kur afroj,
Ikja e rreptë kur pushoj,
Një Qatip na vjen i Mbretit*
Me myhyrin e Dovletit*
Edhe tha me zëmërim:
"Njoll' e parë t'u-vu sot
N'emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!
Ushtërinë pse e le
Therrur fushës për vajtim?"

U-përgjeq Skënderi, e tha:
"Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr' e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe
Nga i Madhi Zot atje
Q'urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi
Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?

"Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar !"
Dhe Qatipi tha: "Po ç'faj
Paskam bërë që Pashaj
M'a bën mua këtë gjë?"
U-përgjeq Skënderi e tha:
"Faj s'ke bërë asnonjë,
Po që të mos na shpëtosh,
Dhe të fshihesh e të shkosh,
Përandaj t'a bënj këtë."

Tani shkrua-më një shkrim
-Dhe për fis e paç bekim!
Me myhyrin  e Dovletit
Për Mytesarifn e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet
Rreth me mur e me hendek,
Të m'a kthenjë gjën' e atit
N'emrin e Sulltan Muratit;
Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.

Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit
Dhe kështu i tha Skënderit:
"O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!
Qysh t'i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po m'a pret ay Dovlet?"

Shpejt ahere si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll
Një hanxhar me reze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: "Shkruaj!"
Dhe Qatipi i tmerruar
Shkroj në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,
Nga e ftohta i mërdhirë,
Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

Dhe Skënderi prapë tha:
"Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s'dua
Do t'të kem si mik e vlla,
Gjithënjë do t'të nderonj
Me kujdes do t'të rrethonj
Sa të rrosh në këtë botë."
U përgjeq Qatipi e thotë:
"Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s'mbahet."

Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s'ish afër asnjë tjatër
Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket
Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s'u-ndi
Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjet' u-hodh prej dheut.

Pastaj sulet si shigjeta
Me tre qint pothua veta
Nëpër lum' e pyll e garth
Përmi malet Argjendar ;
Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u-gdhi e n'agullim
Pa kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek,
Tek u-lint e tek u-rrit,
Yll mëngjezi mi të ndrit.

Dhe ahere trumbetarët
Brirëve t'argjëntë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët
Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoj me miqt' e tij
Dhe u-ngrohnë me dolli.

Dhe u thotë: "Miqt' e mi,
Shihni fati ç'na dërgon,
Perëndia ç'na bekon!
Mbret Murati urdhëron
Mall' i gjërë i tim-eti,
Vend' i terë dhe qyteti
Të më jipen nga Dovleti."

Dhe pastaj me salltanet,
Veshur armët si një mbret,
Shkon kaluar në kështjellë
Edhe hyn nga port' e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron
Përmi Kruj' i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.
Dhe Pashaj, si heshti, tha:
"Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.
Merr-e vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?"

Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon
Flamur' i Skënderit n'erë
Shkab' e zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart-u-ngrit,
Se çdo zëmër e çdo shpirt
U-mërzit nga Turku i lik,
Q'e kish bërë atë Krujë
Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q'oshëtin nga brek në brek
Është: "Rrofsh, o Skanderbeg!"

Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;
Edhe lajma u-përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q'i fryn era në behar
Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap , të tij fakiri
"Binin m'atë lehtësi
Që zë burri veshn' e tij".

SCANDERBEG                                                                           SKENDERBEU

Written February 4, 1873                                                           Shkruar me 4 Shkurt, 1873 

 

THE BATTLE is fought and won                                                     Lefton luften dhe fiton, 

By King Ladislaus the Hun,                                                          Mbreti Ladisllav gjemon,

In fire of hell and death’s frost,                                                   Djek si Ferr, si vdekje pret

On the day of Pentecost.                                                            Diten e Rushjavet.

And in rout before his path                         5                               Dhe nga fush’ e kuqe gjak

From the field of battle red                                                         Iken, rent perpara tij

Flee all that are not dead                                                           E Muratit ushteri

Of the army of Amurath.                                                             Qe shpetoj e s’ra ne lak.

 

In the darkness of the night                                                        Kur u ngrys e kur u-err,

Iskander, the pride and boast                    10                              Skenderbeu, nder e lavdi 

                             

Of that mighty Othman host,                                                      E asqerit Osmanlli,

With his routed Turks, takes flight                                               Me Turq bashke krismen merr,

From the battle fought and lost                                                   Si lefton e si humbet

On the day of Pentecost;                                                            Diten e Rushajavet;

Leaving behind him dead                            15                             Mbet e vdekur prapa tij

The army of Amurath,                                                                 E Muratit ushteri,

The vanguard as it led,                                                               Kryerojtja udhen hap,

The rearguard as it fled,                                                             Praparojtja rent me vrap

Mown down in the bloody swath                                                  Dhe armiku gjakesor

Of the battle’s aftermath.                            20                           Si me draper grin e kor.

 

But he cared not for Hospodars,                                                 Po kujdes ay s’te ka

                                    

Nor for Baron or Voivode,                                                           As per Bej as per Pasha

As on through the night he rode                                                  Edhe naten tek po shkon

And gazed at the fateful stars,                                                   Yjt’ e fatit po shikon

That were shining overhead;                        25                           Qe i ndritnin n’udhetim;

But smote his steed with his staff,                                              Edhe kalit tij i ra,

And smiled to himself, and said:                                                 Nenqeshi dhe tha:

“This is the time to laugh.”                                                        “Eshte koha per gezim.”

 

In the middle of the night,                                                         Mez’ i nates kur afroj,

In a halt of the hurrying flight,                    30                            Ikja e rrepte kur pushoj,

There came a Scribe of the King                                                  Nje Qatip na vjen i Mbretit

Wearing his signet-ring,                                                             Me myhyrin e Dovletit

And said in a voice severe:                                                         Edhe tha me zemerim:

“This is the first dark blot                                                           “Njoll’ e pare t’u-vu sot

On thy name, George Castriot!                    35                             N’emer, o Gjerq Kastriot!

Alas! why art thou here,                                                             Pse keshtu? Oh, mjere ne!

And the army of Amurath slain,                                                   Ushterine pse e le

And left on the battle-plain?”                                                      Therrur fushes per vajtim?”

 

And Iskander answered and said:                                                U pergjeq Skenderi e tha:

“They lie on the bloody sod                         40                            “Dergjen nbytur neper gjak,

By the hoofs of horses trod;                                                       Thembr’ e kalit i ka prak,

But this was the decree                                                             Po keshtu e shkruar qe

Of the watchers overhead;                                                         Nga i Madhi Zot atje

For the war belongeth to God,                                                    Q’urdheron cdo ushteri.

And in battle who are we,                            45                           Dhe ku kemi ne fuqi

Who are we, that shall withstand                                                Kur ngre doren kunder nesh

The wind of his lifted hand?”                                                      Dhe na grryen si rrebesh?”

 

Then he bade them bind with chains                                           “Lidheni, tha, me litar

This man of books and brains;                                                   Shkronjesin me kallamar!”

And the Scribe said: “What misdeed              50                          Dhe Qatipi tha: “Po c’faj

Have I done, that, without need,                                                Paskam bere qe Pashaj

Thou doest to me this thing?”                                                    M’a ben mua kete gje?”

And Iskander answering                                                            U-pergjeq Skenderi e tha:

Said unto him: “Not one                                                           "Faj s’ke bere asnonje,

Misdeed to me hast thou done;                    55                          Po qe te mos na shpetosh,

But for fear that thou shouldst run                                             E te fshihesh e te shkosh,

And hide thyself from me,                                                         Prandaj t’a benj kete.”

Have I done this unto thee.        

 

“Now write me a writing, O Scribe,                                              Tani shkrua-me nje shkrim

And a blessing be on thy tribe!                     60                          --Dhe per fis e pac bekim!--

A writing sealed with thy ring,                                                    Me myhyrin e dovletit

To King Amurath’s Pasha                                                           Per Mytesarifn’ e Mbretit

In the city of Croia,                                                                   Qe mban Krujen, nje qytet

The city moated and walled,                                                       Rreth me mur e me hendek

That he surrender the same                          65                          Te m’a kthenje gjen’ e atit

In the name of my master, the King;                                           N’emrin e Sulltan Muratit;

For what is writ in his name                                                       Se cdo urdher qe te jape

Can never be recalled.”                                                              Kurre nuke merret prape.

 

And the Scribe bowed low in dread,                                              Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit

And unto Iskander said:                               70                           Dhe keshtu i tha Skenderit:

“Allah is great and just,                                                              “O Allah i math, i nalte

But we are as ashes and dust;                                                    Qe te jemi hi e balte!

How shall I do this thing,                                                           Qysh te shkruanj keto shkrime

When I know that my guilty head                                                 Kur e di qe koken time

Will be forfeit to the King?”                          75                           Po ma pret ay Dovlet?”

 

Then swift as a shooting star                                                      Shpejt ahere si nje yll

The curved and shining blade                                                      Qe keputet lark nga qielli

Of Iskander’s scimitar                                                                Cpallet nga i arti myll

From its sheath, with jewels bright,                                             Nje hanxhar me reze dielli

Shot, as he thundered: “Write!”                     80                          Dhe gjemon Skenderi: “Shkruaj!”

And the trembling Scribe obeyed,                                                Dhe Qatipi i tmerruar

And wrote in the fitful glare                                                        Shkroj ne driten e drithmuar

Of the bivouac fire apart,                                                           Afer zjarrit, i dermuar,

With the chill of the midnight air                                                 Floke-bardhe, koke-ngrire,

On his forehead, white and bare,                    85                         Nga e ftohta i merdhire,

And the chill of death in his heart.                                               Zemer-prere, vdekje-ngrire.

 

Then again Iskander cried:                                                          Dhe Skenderi prape tha:

“Now follow whither I ride,                                                          “Tani eja pas me mua

For here thou must not stay.                                                       Se te mbetesh ketu s’dua.

Thou shalt be as my dearest friend,                 90                         Do t’te kem si mik e vlla,

And honors without end                                                              Gjithenje do t’te nderonj

Shall surround thee on every side,                                                Me kujdes do t’te rrethonj

And attend thee night and day.”                                                  Sa te rrosh ne kete bote.”

But the sullen Scribe replied:                                                      U pergjegj Qatipi e thote:

“Our pathways here divide;                             95                        “Udha jone ketu ndahet,

Mine leadeth not thy way.”                                                         Shoqeria jone s’mbahet.”

 

And even as he spoke                                                                Pa mbaruar kete fjale   

Fell a sudden scimitar-stroke,                                                     Nje hanxhar i rende ra,

When no one else was near;                                                       Kur s’ish afer asnje tjater,

And the Scribe sank to the ground,                   100                       Dhe Qatipi po permbyset

As a stone, pushed from the brink                                                Si nje gur qe rrugulliset

Of a black pool, might sink                                                          Ne liqen te zi dhe shket

With a sob and disappear;                                                          Tatepjete dhe humbet;

And no one saw the deed;                                                           Edhe reth ne qetesi

And in the stillness around                              105                       Asnje pipetim s’u-ndi

No sound was heard but the sound                                               Pervec kalit Skenderbeut

Of the hoofs of Iskander’s steed,                                                 Qe perpjet’ u-hoth prej dheut.

As forward he sprang with a bound.       

 

Then onward he rode and afar,                                                     Pastaj sulet si shigjeta

With scarce three hundred men,                        110                      Me tre qint pothua veta

Through river and forest and fen,                                                  Neper lum’ e pyll e garth

O’er the mountains of Argentar;                                                   Permi malet Argjendar;

And his heart was merry within,                                                   Dhe me zemren plot gezim

When he crossed the river Drin,                                                   Kaperxeu lumin Drin

And saw in the gleam of the morn                     115                      Dhe u gdhi e n’agullim

The White Castle Ak-Hissar,                                                        Pa keshtjellen Ak-Hisar

The city Croia called,                                                                  Krujen, ah ate qytet

The city moated and walled,                                                        Rreth me mur e me hendek,

The city where he was born,—                                                      Tek u-lint e tek u-rrit,--

And above it the morning star.                          120                      Yll mengjezi mi te ndrit.

 

Then his trumpeters in the van                                                     Dhe ahere trumbetaret

On their silver bugles blew,                                                          Brireve t’argjente u bien

And in crowds about him ran                                                         Edhe togje rreth i mblidhen

Albanian and Turkoman,                                                               Turqit bashke me Shqiptaret

That the sound together drew.                          125                       Qe degjuan ate thirrje.

And he feasted with his friends,                                                    Dhe kremtoj me miqt’ e tij

And when they were warm with wine,                                             Dhe u-ngrohne me dolli

He said: “O friends of mine,                                                          Dhe u thote: “Miqt’ e mi,

Behold what fortune sends,                                                          Shihni fati c’na dergon,

And what the Fates design!                              130                       Perendia c’na bekon!

King Amurath commands                                                              Mbret Murati urdheron

That my father’s wide domain,                                                      Mall’ i gjere i tim-eti,

This city and all its lands,                                                            Vend’ i tere dhe qyteti

Shall be given to me again.”                                                         Te me jipen nga Dovleti.”

 

Then to the Castle White                                 135                       Dhe pastaj me salltanet

He rode in regal state,                                                                 Veshur armet si nje mbret,

And entered in at the gate                                                           Shkon kaluar ne Keshtjelle

In all his arms bedight,                                                                Dhe hyn nga port’ e gjere

And gave to the Pasha                                                                 Dhe Pashajt qe urdheron

Who ruled in Croia                                          140                        Permi Kruj’ i dorezon

The writing of the King,                                                                Urdherin e Murat Mbretit

Sealed with his signet-ring.                                                           Me myhyrin e Dovletit.

And the Pasha bowed his head,                                                     Dhe Pashaj, si heshti, tha:

And after a silence said:                                                                               

“Allah is just and great!                                  145                        “Lavdi paste Perendia

I yield to the will divine,                                                              Ja ku hiqem nga fuqia.

The city and lands are thine;                                                        Merr-e vendin dhe qytetin;

Who shall contend with Fate?”                                                      Kush lefton dot me kesmetin?”

 

Anon from the castle walls                                                           Nga Keshtjella shpejt ka rene

The crescent banner falls,                               150                        Flamuri me gjysme-hene

And the crowd beholds instead,                                                    Edhe populli shikon

Like a portent in the sky,                                                             Qe ne vent te tij valon

Iskander’s banner fly,                                                                  Flamur’ i Skenderit n’ere

The Black Eagle with double head;                                                Shkab’ e Zeze me dy krere.

And a shout ascends on high,                          155                        Dhe nje thirrje lart u-ngrit,

For men’s souls are tired of the Turks,                                           Se cdo zemer e cdo shpirt

And their wicked ways and works,                                                 U-merzit nga Turku i lik,

That have made of Ak-Hissar                                                       Qe e beri ate Kruje

A city of the plague;                                                                   Zi, murtaje dhe rremuje.

And the loud, exultant cry                               160                       Ay ze me gas me buje

That echoes wide and far                                                            Q’oshetin nga brek ne brek

Is: “Long live Scanderbeg!”                                                          Eshte: “Rrofsh, o Skanderbeg!”

 

It was thus Iskander came                                                          Ja keshtu Skenderi trim

Once more unto his own;                                                            Mori Krujen me rrembim

And the tidings, like the flame                         165                       Dhe lajma u-perhap

Of a conflagration blown                                                             Si nje flage, si nje zjarr  

By the winds of summer, ran,                                                      Q’i fryn era në behar

Till the land was in a blaze,                                                        Dhe qytetet afer e lark,

And the cities far and near,                                                         Thotë Ben Isa Ben Miri

Sayeth Ben Joshua Ben Meir,                           170                       Ne Qitap te tij fakiri        

In his Book of the Words of the Days,                                          “Binin m’ate lehtesi

“Were taken as a man                                                                Qe ze burri veshn’ e tij.”

Would take the tip of his ear.”  

 Bajron. Çajd Harold: nga Kënga II (Fragment)

 

O Shqipëri, ku lindi Iskanderi1

Këng’ e rinisë, fanar i t’urtëve,

dhe Iskanderi tjetër2, që i dërrmoi

Përherë armiqtë me kordh’n e tij kreshnike.

Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi

Mbi ty, o Nënë e rreptë burrash të egër!

Kryqi po zbret, po ngrihen minaretë

E zbehta hënëz ndrin nëpër lugina,

Mbi pyje me selvi n’agor të çdo qyteti!

Agimi lind; me të po çohen brigjet

E Shqipërisë s’rreptë…

1 Aleksandri i Madh

2 Skënderbeu

 

Fan S. Noli: Skënderbeu u flet ushtarëve të tij

Kapedanë dhe ushtarë trima!

S’është as e re as e papritur pamja që kam sot përpara syve. Ashtu si ju kujtonja, ashtu ju gjeta, stërnipër të fjeshtë të një race të vjetër e bujare, trima dhe besnikë të patronditur të vëndit tuaj dhe të mbretit tuaj. Edhe jam i lumtur tani që mund t’ju hap zëmrën time. Ju thom pa u mburrur që, sa kam rrojtur, kam patur gjithënjë këtë mall për atdhenë dhe këtë dëshirë për lirinë. Kur më ftuat për këtë vepër nga shërbimi i Sulltanit, kisha në zemër atë dëshirë që kishit edhe ju. Juve nofta ju shkoj nga mëndja që e kisha harruar vëndin, edhe nderin, edhe lirinë, kur ju ktheva prapë të helmuar, pa ju dhënë asnjë shpresë e pa ju treguar asnjë ndjenjë bujare dhe shpirtmadhe. Po unë sillesha me atë mënyrë, se ashtu e deshte  shpëtimi juaj dhe imi, se puna ish e tillë, që duhej bërë e jo thënë, se e shikonja që kishit më tepër nevojë për fre se sa për shtyrje. Jua fsheha pllanet e mia dhe s’jua çfaqa dëshirën që kisha në zemër kaqë vjet, jo se s’u kisha besim, jo se s’jua dinja shpirtin, posa ju ishit të parët që hothtë zjarrin dhe u futtë në këtë valle: po se puna duhej mejtuar thellë, se duheshin gjetur mjetet, se duhej zgjedhur koha mirë. Ndryshe, do të derdhej gjak më kot dhe përfundimi do t’ish një robëri më e keqe se e para. Dhe aherë çdo shpresë për të nesërmen fluturonte; se një punë si kjo niset një herë e mirë, dhe në mos vaftë mbarë, rasja dhe mjetet për ta nisur ikin e s’kthehen kurrë prapë. Prandaj s’ia tregonja pllanin tim as vetes sime dhe ruhesha mos më shkiste gjuha e mos më dëgjonin muret. Kam për dëshmor Hamzën, tim nip, që e kam pasur përkrahës, këshilltar dhe shok armësh, me ca të tjerë të pakë, me besnikërin’ e të cilëve e vumë këtë pllan në veprim. Tani, ndonëse rronim e hanim bashk, dhe kishim një zëmër e një shpirt, me gjithë këtë asnjë nga këta s’më kish dëgjuar kurrë të zë në gojë atdhenë, lirinë dhe krishtërimin. Gjersa ardhi rasja në betejë të Nishit.

Lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një tjatër çlirimtar, se Shqipërisë nuk i mungojnë burrat, po ju pëlqeu ta prisni nga dora ime, ndonëse vonë, se kështu nofta desh vet i madhi Zot. Se është me të vërtetë çudi që trima kryelartë si ju, të rritur në liri, duruat kaqë kohë robërin’ e barbarëve, duke pritur të më shikoni një ditë në kryen tuaj. Po vallë, a e meritoj këtë titull të bukur të çlironjësit, që kini mirësinë të më jipni? Lirinë s’jua solla unë, po e gjeta këtu në mes tuaj. Posa shkela këmbën këtu, posa dëgjuat emrin, rentë të gjithë, më dualltë përpara kush e kush më shpejt, sikur t’ishin ngritur nga varret etërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishte zbritur nga qielli vetë Perendia. Më prittë me aqë dashuri e gëzim, më sualltë aqë  shërbime të çmuara e pa numër, sa më bëtë më tepër ju robin tuaj, se sa unë të lirë ju. Këtë mbretëri e këtë qytet nukë jua dhashë unë, po ju gjeta t’armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahëror, në ballë, në shpatë e në ushtatë; si gardianë besnikë të emëruar prej tim eti, ju ma vutë mi krye këtë kurorë, ju ma dhatë në dorë këtë shpatë, ju më bëtë zot të kësaj mbretërie, të cilën ma ruajtët me aqë besë, me aqë kujdes e me aqë mundime. Shpjermëni tani, me ndihmën e Perëndisë që ta çlirojmë tërë Shqipërinë.

Fan S.Noli, Skënderbeu u flet ushtarëve të tij, marrë nga “Bota Shqiptare”, Tiranë, 1943, fq n 306-307                                    

 

 Marin Sirdani: Kuvendi i Lezhes

 Për t’a siguruem Skanderbegu pozitën e vet e për t’u vûm nji pritë të qindrueshme sulmeve turke, grishi në Lezhe, vieti 1444, të gjith princat e krenët e Shqipnís, të cilët tue pasë shpresë të gjallë në zotsín e tij, e tue e pám nevojën e njij marrveshtjeje, erdhën me shumicë. Mâ në shêj ndër ta  qenë Gjergj Arjaniti Komneni, princi i Kaninës; Andrè Topija, stërnip i Karl Topís, princ i krahinës ndërmjet Krús e Durrsit, Theodor Koronë Muzaku, princ i Beratit, me disa princa të tjerë të Muzeqés; Pál Strez Balsha, princ i Arbnit;  Pal e Nikollë Dukagjini, princa të Pultit t’Epër, princnija e të cilëvet zgjatej prej Drinit në Kosovë e deri në kufij të Serbís; Lekë Zakarija, princ i Dêjës; Pjetër Shpani, princ i Pultit të Poshtër; Lekë Dushmani, princ i Zadrimës, Shtjefën Çernoviqi, princ i Zetës edhe princa toskë e gegë. Në këtë mbledhje u sajue Lidhja e Princavet Shqiptarë e Skanderbegu u zgjodh njij zâni  kryetar i saj e kryegjeneral i ushtrís së federatës. Gjergj Arjaniti u lidh me i paguem kryevjeti teloznën qi parandej i lante Turkut, e tjerët, nji ndihmë të hollash të caktueme, mbas fuqís qí kishin. U fol me u caktuem edhe ndihma ushtarake, por Skenderbegu u shpreh se nuk donte me i randue, mbassi mujte me përbâm prej nështetasvet të vet nji fuqí të mjaftueshme me i bâm báll Turkut; ndihmën e tyne e donte vetëm ndër rasa të jashtzakonshme.

            Pak mbas kësaj mbledhje Skanderbegu bashkoi ushtrín në Koshar, katund në Tiranën e vogël, e mbassi bâni numrimin, e gjeti se numri i tyre mërrinte në pesëmbdhetë mijë, domethânë gjashtë mijë kambësorë e shtatë mijë kalorë të mbledhun prej vendevet të shtetit të vet, e dy mijë, gjysma kambsorë e gjymsa kalorë të dërguem prej Aleatvet. Sigurisht se po të donte, kishte mujtë me bashkuem edhe aq ushtarë prej shtetit të vet qi kishte gëzuem pagjën për do vjet të mira e prej princavet qi kishin vûm shpresë të madhe në tê, por me aq ushtri ai e dinte vedin ngadhnyes mbi Turk.

            Ushtria e tij e zakonshme në rasë lufte mërrinjte deri në tetëmbëdhjetë mijë vetë, gjysma kalorí e gjysma kambsorí, posë njij numri të mirë qi línte në rojtje të fortesave e për sigurí të qetsís së vendit. Tri të katërta të kësaj ushtrije ishin nënshtetas të tij, tjetra gjithfarësh. Në zyra nalta ushtarake ishin edhe shum djelm princash e zotnish qi vullndetisht kishin hým në shërbim të tij, si Dukagjin, Shpâj, Muzakaj, Toptaj, Gropaj e Balshaj. Këta të gjith, si edhe ushtarët, ishin të rroguem mirë, mbas gradës qi kishin, e kur ndonjêni dallohej për trimní a besnikí, Skanderbegu i lëshonte edhe prone të mëdha.

 

Marin Sirdani “Kuvendi i Lezhes”, marrë nga  “Bota shqiptare”, Tiranë, 1943, fq.  211-212                

 

Atë Marin Sirdani: “Skanderbegu mbas gojëdhanash”                         

 Skanderbegu me treqind ushtarë, në Nerzhez (Mali i Mirditës)                                 

Pat hypë në ket mal Skanderbegu, edhe i lshoi syt për me kundruem at dhé të poshtë, ku janë sot Shpella, Proseku, Përlati, Bishkashi e tjera. Tue kundruem vendin, i pyeti ata qi i kishte pasë marrë me vedi e qi e njifshin mirë: “A mund të dijni, or burra, a do gjendet shpí ja kasolle ja njeri për gjatë atyne humbnerave t’atij dheu të poshtë? Jo, t’u njat jeta, - i përgjigjën, as shpi as njeri s’ngjitet atje, përveç kafshësh të kqija e gjithfarë egërsina vallon nper ato vende. (Kishte qênë vend i lám e pyell i mnershëm). Posë m’atë majë mali, atje  larg që shifet e i thonë “Kulmja e Dervenit” e për gjithë mjes shifet ke del tymi. Skanderbegu, atëherë, u lshue teposhtë, e për s’parit i ra atij pyelli, edhe e bâni nji rrugë  për të gjatë e per të gjânë. Mbasi u thellue në male, nuk pánë as qiell as shka kishte pasë falë i Madhi i jetës prej landësh, lisash e ferrash. E mu n’at vend ku âsht sot Rshêni, u ndalue Skanderbegu me ushtrí të vet e tha:

 “Prohè, sa vend i thkell kênka ktu !” e prej aso kohe i mbet emni Thkell, Thkellës së sotshme. U nisën rishtas me kilë vendin e mrrijën mje n’Kulme të Dervenit.

 Kur sosën këtu të lodhë e të këputë si qenë sa prej udhe sa prej mundi, lypën m’u frý me uj, por as krue as gurrë s’u gjet kund; ushtarët atëherë i thanë Skanderbegut:

 “Zot, plasëm edi!” Skanderbegu, i prekun prej ankimit t’ushtrís besnike së lodhme e së mbetme, ra në dy gjuj ku ndodhi, e mbassi u lut, u çue, e prej vendit ke i pat pshtetë gjujt, buroi uj; e Skanderbegu sa e pa se duel uj, tha : “Këtu dalsh, e deri te kamba e mâ t’mbramit ushtar humbatsh”.

            E përnjimend nj’a gjashtëdhetë hapa prej gurrës ky uj humbat.

            Ket uj e thrret vendi edhe sot “Kroj-Skanderbeg”.

  Marrë nga Bota Shqiptare, Tiranë, 1943, fq. 226

 

Poçi i venës në shtëpi të Malçajvet në katund të Skurait n’Kurbi

E pat qitë tari Skanderbegun me ushtrí të vet me kaluem për katund të Skurait, e si kje lodhë, u ndal në ket katund, e për pushim e msyni shtëpín e Kokë Malçit. Posa zûni vend Skanderbegu e u ngre me ushtarë të vet, i tha Kokës : “Më thau fyti, or Kokë, a thue të ndodhet ndonjë pikë vêne, të pí unë e këta vllazën të mij ?” – Koka i a priti : “Posi, or t’u njat-jeta, më ndodhet nji poç, sa mos me më koritë  Perendija me Ty !”. Shkoi Koka, e mâ parë i dha me pí Skanderbegut mje qi nuk deshti mâ ; e kupë mbas kupe i rreshtoi, edhe ushtrín e Skanderbegut e ngini. E me kupë në dorë të mbushme me vênë i pyette ushtarët Koka: “A doni mâ or ju ? për marre ja për dhimbë mos kqyrni, poçi i em ka edhe mâ vénë ! “ – Mbassi s’ deshti kush mâ , Koka e pështeti kupën në nji skaj, e vate m’u ulë afër Skanderbegut.

            Zuni atëherë, me buzë në gaz, me folë me Kokën Skanderbegu : “Or Kokë, ti më thé se veç nji poç me vênë të ka ndodhë, e me gjithkëtê ti na ngîne mbarë, ç’far poçi do t’jét njaj, a mundem se si me e pám ? “ “- Po, t’u njat- jeta, ia priti Koka, urdhno mbrenda e shife. Skanderbegu u ngrejt edhe e muer mbrapa Kokën. Mrrini ke poçi, ç’ka me pám! Kishte pasë kenë sa nji vozgë e madhe. Mbet serjan Skanderbegu e s’u dha tjetër me thânë por: “Poçat e Skurait, brez mbas brezit u përmendshin!” E përnjimend edhe sot mbahen në zâ poçat e këtij katundi; e kush don me pasë nji poç të madh, shkon në Skurai edhe e blén për mirëkandje, edhe e mban për gjâ të madhe, përse thonë: “Poçat e skurait i ka pasë bekuem Skanderbegu”.

  Gjeçovi Marrë nga Bota Shqiptare, Tiranë, 1943, fq. 226

Fan S. Noli: Vdekja e Skënderbeut

Shkëputemi, për një çast, nga vepra me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, që i afrohet fundit, për ta kujtuar vdekjen e Skënderbeut sipas përshkrimit tronditës të Fan S. Nolit, shkëputur nga vepra “Historia e Skënderbeut”.

Kur vdiq Skënderbeu, asnjë sy nukë mbeti i papërlotur. Mbretëresha dhe i biri dymbëdhjetëvjeçar, të gjunjëzuar përpara kufomës së tij, po lebetiteshin. Princërit rreth e rrotull po qanin si foshnja, dhe e vajtonin pas mënyrës shqiptare, me këngë:

O trim Gjerq, zot e mbret, o atë i shënjtë dhe mbrojtësi ynë, qysh na le jetimë dhe të shkretë si dhëntë pa bari? Ku të vemi tani të kërkojmë ndihmën në shtrëngimet? E kush do të na mbrojë tani nga armiqtë dhe nga tërbimi i Turqëve? Mjerë ti, o Shqipëri, mjerë ne derzëstë, mjer’ i madh e mjerë i vogël, mjerë tërë krishterimi që humbi një të  këtillë kryembrojtës!

Lek Dukagjini, si i marrosur nga hidhërimi, rendi në shesh të qytetit e, duke çjerur krahërorin e dyke çkulur mjekrën dhe flokët, bërtiti:

Ejani, o Shqiptarë! Sot ra kryekështjella e Shqipërisë: fortesat tona u përmbysnë: fuqia jonë humbi: qytetet tona ranë përdhe; tërë shpresa jonë u shua me vdekjen e një burri! Klithmat zëmërçjerrëse dhe të mallëngjyera të popullit e mbuluan këte lajmërim të Dukagjinit, të cilin e vërtetonin tingëllimat vajtimtare të këmbanave. 

Atje tej dëgjohej hingëllimi i dëshpëruar, i mallëngjyer, i ngjirur, i këputur i një kali. Ishte kali luftëtar i Skënderbeut, që vajtonte të zotin. Mihte  dhenë me tërbim, rënkonte si i plagosur për vdekje, drithërohej e ngjethej si nga e ftohta e etheve, çfrynte avull e lëshonte lotë si njeri. Që kur u shtri Skënderbeu në shtrat, u sëmur edhe ay; dhe kur vdiq, u egërsua, s’qaste njeri tjatër që t’i hipte, s’deshte më të hante, s’deshte më të rronte, e u shtri e vdiq pakë ditë pas të zotit.

Skënderbeu u varros në kathedarlin e Shën Kollit në Lesh. Të gjithë princërit, oficerët dhe ushtarët e tij, me gardën mbretërore, e përcuallë në banoren e funtme. Gjëmimi i topave dhe kërcëllimi i pushkave lajmëruan që kufoma e tij zbriti në varr dhe, bashkë me të, edhe Shqipëria e lirë.

Shqipëria e qau dhe e vajtoj vjete me radhë. Evropa derdhi lotë të hidhura. Të gjithë hoboret, anembanë Evropës, mbajtën zi, se fama e tij ishte përhapur aqë shumë në botë, sa dhe armiqve u vinte keq për vdekjen e tij.

Kur e dëgjoi Sulltan Mehmedi, tha:

-Një luan të tillë do mos lindë më dheu kurrë! Dhe pastaj shtoj: tani Evropa dhe Asia janë të miat! Mjerë krishterimi, se i humbi shpata dhe mburonja!

  Marrë nga Bota Shqiptare, Tiranë, 1943, fq.  237-238

 

Ndre Mjedja “Liria”

- VI -
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.

E kqyr: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll' për kasoll' rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija

e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin' ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji iu qitin.
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.

Ismail Kadare: Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.

 

Vorri i Skanderbegut

Diq i Madhi: askund n’ ushtrí
s’e sheh mâ jo kurr mizori;
rrebtë si paras s’ shndritë, Shqypní,
nj’ajò shpatë qi sá herë nxori,
frigë e mnerë kërkund s’ na mbeti
qýsh se né na u rrxue gjyteti
E gjith fisin e rrênoj.

Diq: vorfnisht n’njat vorr â mbëlue
pá lumní mâ i madh luftari:
Fisi i jonë me tê u rrênue,
me tê diq per luftë shqyptari.
bashkë n’ at vorr â mbëlue Shqypnija
deri sá ta thrrasin mnija
me e thá doren qi e turpnoj.

Si krismë luftet gjith u hapte
neper fushë te njatij vorrit;
kush per terr andej u kapte
ndijte ‘j duhmë, si duhmë toborrit;
shoqe mb’ shoqe shpata kriste,
e kalorë, ushtrí qi u niste,
merrshin hovin per at vênd.

Edhè u dukte se luftote
shpirt me shpírt per atò fusha ;
trupi n’ vorr ndoshta iu shkote
e atà u hidhshin si harusha.
Lypshin luftë per vênde t’ veta,
per djelmní çalltorë si zhgjeta
tym e flakë lypshin me shênd.

Lerg e lerg do brima ushtoshin:
varza e grá me flokë të shprishun
afer vorreve u rrethoshin
tui bâ váj e tu’ u dermishun.
Kjájshin t’ mjerat, se temeli
i atdheut u tund, e i shkeli

kombi i huej nen kâmbë të vet.

E nget vorrit t’ Skanderbegut
rrite ‘j zojë mê futë në krye ;
prei mjesnatet e n’ pikë t’ zhegut
Shqyptarija rri tui shfrye;

tui derdhë lot e tuj vajtue
rreket t’ dekunin me zgjue
qi ká n’ báll: lumní, pushtet.

E prei vorrit t’ ktij farë trimit
mêrrte uzdajë per vedi e mjera.
Te ky ltér i dashunimit
niste djelmt per luftna tjera.
Njitû shpesh u çil ushtrija,
njitû u njifte trimenija
Kombt’ e huej me i ndalun n’ cak.

Rreth e rreth mâ e kândshmja érë
drandofilleve ju ndihej,
e n’ ket vorr t’ shuguruem n’ prêndvérë
i natyrës gazmêndi shihej :
Lott e shêndin e Shqyptarit
njiky vorr i dijte s’ parit,
njitû shfryte i rí e plak.

Çou, o trim, e mbî t’ tú vllazen
sielli syt qi xhixhillojshin ;
kqyr sá kobe n’ ta po shprazen
kqyr se kombeve qi e droshin
sot mbî né ju mbet parija.
Jo, t’ bâj bé, s’ â kjo Shqypnija
qi ti rrite me krah tand.

Sá do mue ma rrit trimnín,
forcom krahin me luftue ;
me gjak t’ êm une Shqypnín
prei kso kobesh due me e pshtue.
Me ket parzem un anmikun
do ta pres, deri sá t’ fikun
ta shofë bota kand e kand.

Ernest Koliqi: Kushtrimi i Skanderbeut

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundet dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhë dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron GJERGJ KASTRIOTI,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si Heroi ma i madh Kombëtar!

1924

Ismail Kadare: Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.

 

Martin Camaj: Hija e Gjergj Kastriotit

Shum vjet mbas vdekjes barijt e panë

Gjergjin mbi majet e Dibrës  në kalë

tue shkue për Krû.

Andej lumit i ecte hija shpatit

tue i prekun majet e lisave kryet;

“Gjergj, ndalu nji herë, pashë Zotin! -

I britte nji plak tue ngâ mbas tij kambzdathë.

-Turqit m’a vranë djalin dhe vajzën…

vajzen m’a shnderuen te votra.

Ndalu, ndalu, Skanderbeg e kthe dalë!

Shatorret anmiku në mbrame i dij ku i ngul

e shtiqet e ngushta n’udhtim ku i këput.

Un due me vdekë, o zot, i ngimë me gjakun e tyne,

përndryshej toka s’ka me më lanun mbrendë

me djalë, as qiella me thithun nji ajr me vajzë.

Nxire pallën, bre burrë!”.

Skanderbegu pa sjellun kryet ulej majes teposhtë,

parzmorja e hekurt e armët pa krisë.

-O plak fatkeq, pse e mundon ashtu hijen?

-Britne barít për së largut.

Lene Gjergjin me shkue për Krû!”.

Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,

por andej lumit hija i eci mbi lisa me qinda vjet

për rrugë tue shkue në Krû.

Fq 163 poezi 1953-1967 Tipografia Detti, Romë, 1971

Një mori shkrimtarësh e poetësh të huaj e përmendin me nderim emrin e Skënderbeut dhe të Shqipërisë. Le të kujtojmë pas tyre emrat e shumë poetëve të mëdhenj si Ronsar, Agrippa, D'Obinje, Gabriel Ferni, Amadis Jamis, Luixhi Greto, Zhan Bussier, Margarita Sarroki, Lope De Vega, Kristofor Marlou, Edmund Spencer, Bajroni i madh etj.

Po radhsim më poshtë, disa fragmente poezish:

 

Pierre de Ronsard: fragment nga poema “Skanderbeg”

… Ish Skënderbeu mundës i skithëve të tërbuar

Që prej Azie krejt Ungjillin patën dëbuar!

O Burrë i këtij shekulli, plot me lavdi e nder

Dora e jote turqit i mundi dhjetra herë.

Drojë e tmerr kalle në radhët e tyre të rrëmby’shme,  

I bëre të lënë eshtrat, rrëzë kështjellave të pathyeshme.

Por Ty, o trim i rrallë, bota do të kish harruar

Nëse dijetarë t’ devoçëm, s’do të kishin përjetësuar!


Pjetër Reguli i Viçencës, (Shekulli XVI)


 Kështu do të mahnitesh o lexues nga betejat
e kapedanëve të famshëm heroikë.
Ndër to çudi është Skënderbeu, rrufe e luftës,
sa kënaqësi do të ndjesh kur të lexosh për të!
Prijës i madh, trim e shpirt hero,
kërdi ka bërë mbi turqit kaq mizorë!
Se emri i tij do të thotë "Aleksandër i madh"
mirëmbetsh o lexues me lavdinë e tij përherë!


Domeniko de Alcenjano i Padovës, (Shekulli XVI)
 
Në qoftë se ti lexues do të tejshohësh
me aftësinë tënde në këtë vepër madhështore,
ke për ta çuar famën e autorit deri në zenith,
se ai këndoi Skënderbeun, bir i një populli të lartë.
Këndoi trimëritë e bëmat e prijësit arbër
që asnjë mangut nuk i le Kamilit të madh.
I pakrahasueshëm në fitore, i shkatërroi me ngulm
ushtritë pafund të perandorëve sulltanë.
Le të gëzojë e larta Arbëri për këto triumfe,
le të ngrejë në qiell veprat e princit të vet.

Monologu i Skënderbeut (fragment tregimi)

I ulun në faqen e historisë, që përshkruen bëmat e tij, Skënderbeu tregon:

… të kthehemi në vjetën 1463. A e di çka don me thanë me e mbajtë luftën në kambë për 24 vjet. Sot për një muej luftë vendet bahen që, me i kapë për hunde,u del shpirti...Lidhja shqiptare nënshkroi një paqë fiktive. Po unë e lajmova menjëherë Papën se isha gati ta fillojshe luftën kurdoherë ta shikonte të nevojshme. Menjëherë mbas, Piu II u bani thirrje gjithë të krishtenëve me rrokë Kryqin kundër turqve. Por pak e kush iu përgjegj kësaj thirrje për të nisë kryqëzatën. Evropa ishte lash e lî. Ngatërrue me sherret e përjetshme të atyne, që s’shohin tjetër para vedit, veç pushtet e pasuni. E s’kanë sy me pa as sa afër asht mbarimi, ngulë në hu. Pak ishin gati... Vetëm unë e Mathias Korvini i Hungarisë. I dispruem prej apatisë dhe verbimit të botës së krishtenë, së cilës i kishin plasë të dy sytë, shkova në Romë. Veshë si ushtar i thjeshtë. E banova në një pallat, për të cilin shkruhet se e ndërtova unë! Unë, që s’kisha vend ku me pështetë kryet, të mos ma kishte lëshue Papa këtë strehë. Ishte  bujtinë, për njerëz e për kual. Mbërritëm, tue përshkue një shteg me kalldram, tipik romak. Dirgjeshim udhës e mangët e zhveshuna të gunave na lodrojshin të lira mbi supe. Këmisha e bardhë cohen e kuqe e ndizte flakë në krahola. Sumbullat arit vezullojshin, si margaritarët në gushat e grave romake, që na ndiqshin me sy plot admirim prej dritareve. Kur mbërrijtëm, pamë, të çuditun, një vargan të gjatë kardinajsh e ipeshkvijsh, që kishin dalë me na pritë. Rruga tundej prej brohorive e entuziazmit të turmës së madhe të romakëve. Që dridheshin prej frikës së turqëve.

Mandej, në Bazilikën e Shën Pjetrit u mbajt një kremtim madhështor. Papa Piu më dha me dorën e vet një shpatë nderi të bekueme. Po si ndihmë financiare u mblodhën vetëm 7 mijë duket. M’u desht me u kthye menjëherë, për t’i dalë zot Krujës së rrethueme. Ishte fitorja e fundit. Papa u nis për Raguzë, por fati nuk e deshti ta kryente shtegtimin e nisun. Vdiq rrugës, e bashkë me të, edhe shpresa e fundit e frontit të përbashkët kundër anmikut otoman...

 

At Gjergj Fishta: “In hoc signo vinces” – Skanderbegut


Tue zbardhun mosha dhjetepêstë e jona
Atje prej shtojesh t’Anadollit t’plleshem
Hânza përgjakshem, nisë mbi Europë t’kukzohet.
Ishte zot-madhi i Turqvet, qi në krye
5. Të ma s’ rrebtes ushtrí së jetës s’ atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,
Edhe betohej n’ mni të vet mizore,
Se shpirti trupit s’do t’i dahej para
Se hânzën t’ ngrifte mbi Sh’ Sofí t’ Bizantit
10. E n’ Sh’ Pjeter t’ Romës tagjí t’i vête kalit.
E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,
Perpara tij rán frone e rán therore;
U rroposen mbretní e u shkimen fise,
E as bár mâ s’ bijtì andej ka’ i shkeli kamba.
15. Greku, Bullgari humben, humbi Serbi,
- Humbi, po, Serbi, madhështija e t’ cillit,
Qatje te e vona boten mbarë në zi
Do t’a pshtiellte. – T’ felgruemun drojet, shuejten
Zânin mbretent e Europës. Zâmaret eshten,
20. Eshti edhè kanga e njì mjerí i shemtuem,
I ra mbarë dheut.
Kur, qe, mbi kep të Kruejes
Titanike po del nji hije burri,
Vetullat ngerthye, si dy hullì rrufeje,
Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thijtë, e cila
25. Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo njegulla
Rreth njaj curri s’ thepisun. N’ krye trishtueshem
Flakë i shkelqàn tarogza brynatake,
Qi, tmerrshem ka ‘i vezullon nen rreze t’ diellit,
Kometë zharitse dán ndër sy t’ anmikut.
30. Ai âsht fatosi i ndiemun Gjergj Kastrjota,
I Madhi Gjergj Kastrjota Skanderbegu,
Qi, pre’ atij kepi, si nji shqype mali
Kundron kah forca e barbarís lindore
Shkon tue rrëmbye mbretní e fise e popuj,
35. E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e nierit;
Sì rribë Veriu, qi rêt i fshin prej qiellit
E e lên token me u thà. Edhè tue pamun
Se anmiku i rrebtë i gjytetnìs njerzore
Po nisë per s’ afermi Shqypnìs t’ kercenohej
40. E se prej nierit s’ kisht’ pse ndimë me pritun,
Çon sŷt kah qiella, e zêmra gjak t’u i shkue,
“O Zot! – gerthet, - O Zot i Madhi i Ushtrivet!
E po a njimend se mâ s’ do t’ két Shqypnija
Nji vend kû me t’ u lutë?... e se grát t’ ona
45. Djepat n’ Azí mbas sodit do t’ perkundin?...
E se Shqyptari token do t’ punoje
Veç për me kndellun n’ mish gocat qerkeze,
Qi nji Tirani t’ i sherbejnë ma kandshem?
Ohì pse i a mbrrim ksajë dite, e s’ ka shperthye
50. Toka q’ me kohë, me na perpî per s’ gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrivet, ti prej qiellet
Zêmer e forcë m’ dergo, qi ktij Tartari
Barbar un t’ia diftoj, se Shqyptarija
S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé
55. Din t’ desë Shqyptari”. Permbi flatra
Të bardha t’ Fés kjo lutë u çue kah qiella
E i shkoi n’ vesh Perëndís e e preku n’ zêmer.
I Amshuemi, atëhera, prej visarit t’ qiellvet
Xjerrë nji pelhurë të njyme “kuq e zì”,
60. Qi Engjujt vetë n’ Parriz endun e kishin:
E mbasi e puthë i Lumi e vèn në bàll,
Nji Kerubini t’ lehtë i urdhnon tu’ i thànun,
“Na, e ketë Flamur Skanderbegut çoja
Atje poshtë n’ Krue, e thuej prej ane s’ême,
65. Se dersà t’ rrije tok fisi i Shqyptarit
Nen hije t’ ktij emblemi t’ êm t’ bekuem,
Zot m’ veti e i lirë gjithmonë ai ka me kênun”.
Kshtu tha i Amshuemi; e ai Kerubini i qiellvet
Palosun n’ parsme Flamurin e Shqypnìs,
70. Hapë flatrat e prarueme e poshtë Empirit
Zhgjetë nper nji rreze drite dirgjet n’ Krue.
Ku Skanderbegut n’ dorë dhantín e Zotit –
Flamurin e Shqypnís – i a nep e kshillin
E t’ Lumit i a difton: se si Shqyptari
75. Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë do t’ mund qindroje.
Si ai njeri, qi trishtue një andrre s’ keqe,
Kûr gjumi i del, me vedi xên e gzohet,
Se n’ hije e jo i njimendtë iu tfaq rreziku:
Kshtu Skanderbegu nisë me u gzue me vedi,
80. Si Lajmi i qiellvet n’ dorë i a dha Flamurin
E i tha se per nen hije t’ tij Shqypnija
E lirë e zojë m’ vetvedi p’r herë do t’jitte.
Edhe armatìset Burri i dheut krejt m’ hekur,
Njeshë pallen n’ ijet – pallen t’ rrebtë, mizore,
85. E m’ patershanë, me pafta arenzi t’ mbathne,
Njet Flamurin kuq e zì, qi vetë i Amshuemi
E kishte puthë, edhe mbi shpinë të kalit,
Qi, fry turìjt, njuhatte erë të gjakut,
Hidhet porsi duhì e rrebtë. Prej millit
90. E zjerrë pallen mizore, e drejtë kah qiella
Heshten e ngrehë. Nji fllad i lehtë, i ambel –
Flladi i Dashunís – po e zhdrivillon Flamúrin.
- Flamúrin e Atdheut t’ êm – qi tue gufue
Mallnueshem neper ajr të lirë t’ Shqypnìs
95. Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,
Si njaj skundilli i petkut t’ Perendís,
Qi, mirë qendisë me hâna, hyj e diella,
Prej krahve t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshem
I mvaret poshtë neper hapsí t’ Empirit,
100. Kah, pshtetë n’ stuhi e n’ flatra t’ rribës s’ Murranit
Sheston boshtin e moknes s’ rrokullís.
E ashtû n’ atë dukë të rrebtë e t’ perfrigueshme
Me ‘i zà, si tue ulrue, prej kepit t’ Kruejes
Po u thrret Shqyptarve t’ vet e u thotë: “Ktù burra!
105. Ktù eni, o t’ bijt e Maleve! Shqypnija
Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene
Malet e fushat e Shqypnís kreshnike,
Edhe nji çetë e vogel homeridash,
- Burrash si motit veç qi i bàte nàna -
110. Per rreth tij mblìdhen, e nen hije t’ Flàmurit
Nji bé të madhe bàjn e lidhin besen,
Se i pllâmë toke t’ Atdheut s’ ia lshojn Tartarit,
Po s’ e lán para me gjak t’ tij t’ perdhosun.
T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shêjtni tagresh
115. E shpresë n’ Zotin tue mbajtë e m’ krah të vetin,
Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,
Poshtë errmorevet t’ malevet t’ thepisuna
Si rreshme bore prej ndo ’i kulmi t’ rryeshem,
Rrâjn fulikare permbi rradhe t’ Turqvet;
120. Të cillt, prej s’ largut tue u a pamun hovin,
Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Edhe mnerrshem nisë lufta titanike.
Kah t’ idhtat shpata, kah gjakbâset heshta
Çeken nder shkndija me vringllimë t’ trishtueshme,
125. E bubullojn henikë edhe gopedra,
E vrrasin keqas të varruemt per dhé.
Kaq nji zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme
Çohet per ajr të terratuemun pluhnìt,
Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Balkani.
130. Shkon gjaku rrkajë. T’ tànë fusha e gjànë e Dibrës
Me kurma t’ zeshkët barbarësh àsht mblue. Hidhet,
Hingllon, trumhaset kali i Skanderbegut,
Kah thundra e mbathne kthelltë i humbë në dhé
Të rìjtun n’ gjak t’ barbarit. N’ dhambë brén buzen,

136. Atëherë zot-madhi i Turqve pendohet

Qi i rà kurr n’mend t’i mësyjë Shqypnìn mizore.

E sheh, po, vetë gjakbási, se rob s’ bâhet
Ai dhé, kù Flamuri kuq e zi valvitet.
(Nga vepra ‘Mrizi i Zànavet’, shtypshkroja “A. Gj. Fishta” Shkoder 1941, fq. 48-55)

16 janar 2019, 17:31