Spartiti per Scutari Orkestra Spartiti per Scutari Orkestra  

“Spartiti per Scutari” paraqesin CD-në “Tereza e Kalkutës”

Nënë Tereza e paraqitur nga një orkestër “shkodranësh”. Të shtunën, më 15 dhjetor, në orën 18.00, në Sallën akademike të Institutit Papnor të Muzikës Kishtare, në Romë, me një koncert të “Spartiti per Scutari Orkestra” do të paraqitet CD-ja “Teresa e Kalkutës” e kolanës “Saints” (Shenjtorët). Takimi organizohet nga ambasada e Shqipërisë në Itali, në kuadrin e Vitit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

R.SH. - Vatikan

Kush ndodhet në Romë atë ditë, do të mund të dëgjojë muzikë e këngë të traditës shqiptare, ekzekutuar nga orkestra e drejtuar nga Bardh Jakova, bir i artit, sepse është nipi i njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj shqiptarë, Preng Jakovës. Koncerti përmban edhe pjesë nga David Tukiçi dhe nga Enrico Vallone. Në pianoforte, Massimiliano Génot dhe në violinë, Giuliano Cavaliere.

Kush është “Spartiti per Scutari Orkestra”

         Orkestra shumëkombëshe, që i ka marrë emrin Shkodrës, së cilës ia kushton partiturat e saj, lind nga një takim i frytshëm ndërmjet Bardh Jakovës dhe violinistit italian Gioele Sindona. Shpejt, bëhet me 15-20 muzikantë, djem e vajza, shqiptarë e italianë, amerikanë e francezë, që sjellin shpesh për publikun një repertor shqiptar, kryesisht shkodran, por edhe ballkanas, mesdhetar e botëror, me dajre e lodër, me zëra, fizarmonikë, violinë, violonçel, klarinetë, flaut, kitarrë, buzuk, tapan, darbouka e instrumente të tjera. E siç shkruan Darien Levani në “albanianews”: “Pasi dëgjon për një kohë të gjatë njerëz, që i shesin zhgënjimet e tyre për muzikë ballkanike, nuk mund të mos heq kapelen [para kësaj Orkestre]. Ajo që u mungon shumë muzikantëve në këto vite të shpejta dhe kalimtare është të gjejnë pasionin, ndërsa ta ruajnë në vite është punë tjetër. …është e rrallë të gjesh një muzikant [si Bardh Jakova], që di akoma ta trajtojë muzikën me kuriozitet dhe ndershmëri të mirëfilltë, pastaj, nëse gjen edhe nja 20 të tjerë e i mbledh të gjithë në të njëjtën skenë, është fat… Një lloj Orkestre e Popullit: nganjëherë, edhe njëri prej tyre mjafton”.

04 dhjetor 2018, 16:45