Kërko

Koha e Ardhjes simbolizuar nga drita e qirinjve Koha e Ardhjes simbolizuar nga drita e qirinjve 

Shenjtorët e javës 2 - 9 dhjetor

Kisha fillon Vitin e Ri liturgjik e kremton të Dielën e Parë të Kohës së Ardhjes, ciklit të tretë, sipa kalendarit liturgjik. Nis kështu përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht.

R.SH. - Vatikan

E diel 2 dhjetor, Kisha fillon Vitin e Ri liturgjik e kremton të Dielën e Parë të Kohës së Ardhjes, ciklit të tretë, sipa kalendarit liturgjik. Nis kështu përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht.

Gjithnjë më 2 dhjetor, kalendari përkujton shën Bibiana, matronë romake, shën Pimeni, martir e shën Silvestri, papë. E Liturgjia e së Dielës së I të Ardhjes na thërret t’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë! Jezusi, për tri herë, i përsërit secilit thirrjen “Rrini zgjuar” e “rrini gati”, si një këshillë, si ftesë, si një urdhër, por edhe si paralajmërim i një ati, që shqetësohet për të gjithë bijtë e vet, që të jenë të kujdesshëm e të mos dorëzohen para lodhjes, para  vështirësive e shqetësimeve të kësaj kohe, që kalon shpejt. Për këtë t’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon e pengon për të takuar Zotin në jetën tonë e t’i themi: eja o Zot Jezus.

Të hënën më 3 dhjetor,
bie festa e shën Françesk Saverit, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor i misioneve. Ai na kujton se kumtimi ynë i krishterë bëhet i besueshëm, kur e dëshmojmë Krishtin në çdo çast të jetës sonë. Dëshmi, jo fjalë, kërkon nga ne Zoti që vjen!

Më martën më 4 dhjetor, kalendari kujton shën Gjon Damashenin, meshtar e dijetar i Kishës e Shën Barbara, martire. Liturgjia e ditës na fton që jo vetëm t’i dëgjojmë fjalët e Jezusit, por sidomos t’i vëmë në jetë

Të mërkurën më 5 dhjetor, kalendari përkujton shën Pelinin, ipeshkëv e martir i shekull VII me origjinë nga Durrësi, lindur rreth vitit 620, dhe shën Sabën themelues dhe Arkimandrit i bashkësisë murgare të "Laurës së madhe" në Palestinë. Liturgjia e ditës na fton të jetojmë me bindjen se kushti kryesor për ta përhapur praninë e Zotit në botë, është të besosh me gjithë zemër në Të.


Të enjten më 6 dhjetor
, kalendari kishtar na propozon shembullin e shën Nikollës së Barit, ipeshkëv i Mirës. Shën Nikolla, ipeshkvi i shenjtë i Mirës (Turqia e sotme), jetoi mes shekulli III-IV. U bë i famshëm që në lashtësi, me anë të mrekullive të shumta, me të cilat u erdhi në ndihmë atyre që kërkuan ndërmjetësimin e tij. Është i njohur në të gjithë botën, edhe jashtë Kishës. Ndër shqiptarë devocioni ndaj shën Kollit është më i përhapuri bashkë me atë ndaj Shën Andout. Është shumë popullor edhe në të gjitha kishat e traditës Ortodokse.

Të premten më 7 dhjetor
, kalendari kujton shën Ambrozin, ipeshkëv i Milanos e doktor i Kishës.Njeri i drejtë, që kërkoi me ngulm drejtësinë dhe asaj i shërbeu si jurist, u zgjodh ipeshkëv i Milanos kundër vullnetit të tij, por, pasi e pranoi këtë shërbesë si vullnetin e Zotit, iu përkushtua plotësisht Ungjillit dhe Kishës. Ja si e kujton zgjedhjen e tij ipeshkëvnore: “Çfarë qëndrese bëra për të mos u shuguruar! Në fund, pasi e pashë veten të detyruar, kërkova që, të paktën, të ma shtynin shugurimit. Asgjë nuk vlejti kjo kërkesë për një përjashtim. Fitoi detyrimi, që më ngarkuan”. Predikimet e tij mrekulluan shën Agostinin e Iponës, të cilin e pagëzoi në fenë e krishterë pas një kërkimi të gjatë shpirtëror. Ai e shoi etjen tek burimi i kulluar i fjalës së Hyjit, prandaj na porosit edhe ne: “Pi, pra, nga të dyja kupat, nga ajo e Besëlidhjes së Re dhe të Vjetër, sepse tek të dyja pi Krishtin. Shkrimi hyjnor pihet, Shkrimi hyjnor gëlltitet, kur lëngu i fjalës së amshuar zbret në venat e mendjes dhe në energjitë e shpirtit”.

Të shtunën më 8 dhjetor, bie solemniteti i Zojës së Papërlyer. Në festën e Ngjizjes së Papërlyer të Virgjërës Mari, Kisha ka dashur që, gjatë kohës së Ardhjes, liturgjia të bëjë të pranishme mes popullit të krishterë fuqinë, që e ka ruajtur Virgjërën nga mëkati, për të përgatitur tek ajo mishërimin e Birit të Hyjit. Kremtojmë, në eukaristi, po atë mister të shëlbimit, që na prek të gjithëve, por dobinë e të cilit Maria e ka njohur e para.

Të dielën e ardhshme më 9 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 2-të të kohës së Ardhjes e po më 9 dhjetor, kalendari kujton shën Huan Diego-n, shën Sirin e shën Valerin. Liturgjia e ditës na fton ta pranojmë Zotin, që vjen të na çlirojë nga mëkati, i cili na e ndrydh shpirtin. Hyji ynë vjen të na shpëtojë! Edhe ne, bij të këtij shekulli, që ka harruar mrekullitë e Hyjit, nëse e hapim zemrën, mund të shohim gjëra të jashtëzakonshme.

01 dhjetor 2018, 14:10