Kërko

She Gjon Pagëzuesi She Gjon Pagëzuesi 

Shenjtorët e javës 9 – 16 dhjetor

Liturgjia e kësaj së diele tё kohёs sё Ardhjes na paraqet Gjon Pagëzuesin. Ai është një urë ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Do të jetë zëdhënës i Mesisë që vjen. Do t’i përgatisë zemrat për t’u hapur ndaj Ungjillit.

R.SH. - Vatikan

E diel 9 dhjetor, Kisha katolike kremton të Dielën e 2-të të kohës së Ardhjes, e gjithnjë më 9 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Huan Diegon, shën Sirin e shën Valerin. Liturgjia e kësaj së diele tё kohёs sё Ardhjes na paraqet Gjon Pagëzuesin. Ai është një urë ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Do të jetë zëdhënës i Mesisë që vjen. Do t’i përgatisë zemrat për t’u hapur ndaj Ungjillit. Dhe kumton kohën e çlirimit me ardhjen e Krishtit, që hyn në historinë tonë për ta shndërruar.

Të hёnёn më 10 dhjetor, kalendari kishtar kremton festën e Zojës së Loretos, përkujton shën Maurin, martir dhe shën Gregorin II, papë. Liturgjia e ditёs na kujton se gjithçka ne admirojmë në Shën Marinë Virgjër është fryt i fesë së saj dhe i veprës së Shpirtit Shenjtë Zot, që përmes pranimin e adezionit të plotë të Marisë në veprën hyjnore të shpëtimit, ka sjell fryte shëlbimi për mbarë gjininë njerëzore.

 

martën më 11 dhjetor, kalendari përkujton shën Damazin I, papë, shën Danielin, shën Sabinin. Liturgjia e ditёs na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.

Të mërkurën më 12 dhjetor, kalendari kishtar përkujton festën të Lumes Mari Virgjër Mari të Guadalupes e shën Gjovanën de Shantal. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti na fton të kthehemi në rrugë të drejtë, për të gjetur ngushëllim. E kur e kuptojmë se nuk jemi të aftë ta përballojmë jetën pa ndihmën e Zotit, ai na jep forcë e krahë shqiponjash, për të fluturuar drejt lartësive.

Të enjten më 13 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Luçinë e Sirakuzës, virgjër e martire (shqipëruar Drita) dhe e shën Aristonit, martir i Portos. Liturgjia e ditës na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë nga mundimet e përditshme, por duhet ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit zemërbutë e të përvujtë, të sigurtë se një ditë do ta kundrojmë me sytë tanë lumninë e Zotit.

Të premten më 14 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Gjonin e Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur. Liturgia e ditës na kujton se në rrjedhë shekujsh Zoti i është dëftuar njerëzve shumë herë e në shumë mënyra, por ata e patën të vështirë ta pranojnë. Shën Gjon Pagëzuesi nuk i bindte, sepse tepër i ashpër, ndërsa Jezusi, pse tepër i butë.

Të shtunёn më 15 dhjetor. kalendari përkujton shën Valerianin, ipeshkëv në Afrikë e martir. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë mbi rëndësinë e mesazhit të Shën Gjon Pagëzuesit, krahasuar nga Krishti me Elinë. E kjo, sepse Shën Gjon Pagezuesi na fton të pendohemi e të kthehemi plotësisht në rrugën e Zotit.

Të dielёn e ardhsme mё 16 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 3-të të kohës së Ardhjes. Gjithnjë më 16 dhjetor, bie përkujtimi i shën Davidit mret e profet dhe shën Adelajdës perandoreshë. Liturgjia e ditёs na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.

09 dhjetor 2018, 09:27