Cerca

Vatican News
Shën Ambrozi Shën Ambrozi  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Më 7 dhjetor kalendari kujton Shën Ambrozin, ipeshkëv e dijetar

Figura e Shën Ambrozit, mbetet në kujtesën e besimtarëve edhe si ikonë patristike, përmes së cilës duket qartë “zemra e doktrinës ambroziane”. Por si ikonë është edhe dëshmia e fesë që Shën Agostini e pa tek besimtarët, sapo arriti në Milano

R. SH. - Vatikan

I jashtëzakonshëm fati i Ambrozit, i cili u emërua ipeshkëv para se të pagëzohej.

I lindur në vitin 339 në Treviri, qytet i Galisë, Ambrozi ndoqi familjen e tij në Romë, ku kreu studimet në retorikë.  Si u bë avokat e më pas prokuror, rreth vitit 370 u emërua qeveritar i Liguries dhe Emilies në Itali. Më pas u transferua përfundimisht në Milano.  Këtu, ndërsa merrte pjesë në zgjedhjen e ipeshkvit të ri të qytetit, duke u përpjekur të zgjidhë mosmarrëveshjet që kishin lindur në bashkësinë e krishterë ndërmjet arianëve e katolikëve, mbajti një fjalim aq të fuqishëm e aq të përshpirtshëm, sa u vendos menjëherë të zgjidhej ai vetë ipeshkëv.

Në fillim nuk pranoi, por më pas, nën udhëheqjen shpirtërore të meshtarit Simpliçiani, u përgatit për pagëzim. Në të vërtetë kishte vendosur prej kohe të bëhej i krishterë, sepse tek krishterimi kishte gjetur të vërtetën dhe qëllimin e vetë jetës së tij. Ia dhuroi të gjitha pasuritë Kishës dhe bëri kushtin e virgjërisë. Me shembullin e shkëlqyer të jetës e me fjalën e tij të frymëzuar, ktheu në fenë e krishterë shumë njerëz, ndërmjet të cilëve, edhe Shën Augustinin.

Ai që thoshte: “Ku është Pjetri, atje është Kisha”, vdiq më 4 prill të vitit 397 e u varros në bazilikën që mban emrin e tij, në Milano, qytet i cili e zgjodhi Pajtor qiellor, së bashku me Shën Karl Borromeun. Konsiderohet si atë i liturgjisë ambroziane, që përdoret nga Kisha e Milanos.

Me jetën dhe veprat e shumta liturgjike, komentarët mbi Shkrimin Shenjt e shkrimet me karakter asketiko-moral, ai mbetet simbol i lirisë e i pajtimit.

Ambrozi qe një Shën Gjon tjetër. Ipeshkvi i famshëm, që i priu në fe Milanos së shekullit IV, njeri i ligjit e funksionar civil - u zgjodh njëzëri si nxënës i dashur nga Jezusi. Ashtu si Shën Gjoni Apostull, qe i aftë ta thithte drejtpërdrejtë nga Zemra e Mësuesit Hyjnor, Jezu Krishti, thelbin e mesazhit të tij të dashurisë e të bëhej jo vetëm mësues i fesë, por edhe, e sidomos, dëshmitar i dashurisë së krishterë.

Shën Ambrozi është figurë e një dëshmitari të vërtetë të Zotit. E kur flasim për Shën Ambrozin, duhet thënë se ipeshkvi shenjt pati meritën ta kthente zemrën e Shën Agostinit në rrugën e Zotit, jo vetëm falë përshpirtërisë, por kryesisht falë shembullit të tij. Agostini u prek thellë kryesisht nga radha e gjatë e njerëzve që kërkonin çdo ditë të flisnin me Ambrozin ipeshkëv, sepse ai u jepte ngushëllim e këshilla të urta për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Duke u frymëzuar nga shërbimi që kryente Ambrozi, Agostini  e kuptoi menjëherë se katekizmi është i pandarë nga dëshmimi i tij në jetë. E këtë mësim duhet ta kenë të qartë edhe katekistët e sotëm sepse, kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme.

Për Agostinin e ri, ende në kërkim të Zotit, fryti i kumtimit të krishterë u shfaq me një dukje të dyfishtë: personale e komunitare. Dëshminë personale e pa me sytë e vet tek ipeshkvi i asokohshëm i Milanos, Ambrozi. Agostini, ipeshkvi i ardhshëm i Iponës mbeti pa mend, kur e pa Ambrozin duke e lexuar Shkrimin Shenjt, Biblën me gojë mbyllur, vetëm me sy.

Një lexim i tillë i binte ndesh dokeve e traditës së kohës, sipas të cilave Bibla duhej lexuar me zë të lartë edhe personalisht. Nga kjo mënyrë e leximit të Shkrimit Shenjt, Agostini fitoi aftësinë për t’u familjarizuar me Biblën.

Në këtë lexim me lëvizje të pandjeshme të buzëve, përmes të cilit zemra përpiqet të arrijë urtinë e Fjalës së Hyjit, mund të shihet qartë metoda e katekizmit ambrozian: është vetë Shkrimi Shenjt, i përvetësuar në thellësi të shpirtit, që të mëson çka duhet të kumtosh për t’u prirë zemrave në rrugën drejt Zotit.

Tek figura e Shën Ambrozit që mbeti në kujtesën e besimtarëve si ikonë patristike, përmes së cilës duket qartë “zemra e doktrinës ambroziane”, kemi edhe një ikonë tjetër që është dëshmia e fesë, që Shën Agostini e pa tek besimtarët e kohës së shën Ambrozit, sapo arriti në Milano.

Ajo që e tundi zemrën e rektorit të ri afrikan,  Agostinit dyshimtar e të dëshpëruar, e që e bëri të pendohej përfundimisht, nuk qenë homelitë e bukura të Ambrozit, ndonëse i vlerësonte shumë. Qe dëshmia e ipeshkvit dhe e Kishës së tij milaneze, që lutej e këndonte, e bashkuar si një trup i vetëm.

E në përfundim po kujtojmë fjalët e një prej lutjeve të thella të Shën Ambrozit kushtuar Krishtit: “Në se dëshiron të mjekosh një plagët, Ai është mjeku; në se digjesh nga etja e kërkon një pikë ujë, Ai është burimi; në se ke nevojë për ndihmë, është Ai forca; në se dëshiron qiellin, Ai është udha”. “Të Shpresojmë edhe ne në Krishtin. Do të jemi kështu të lum e do të jetojmë në paqe!”.

07 dhjetor 2018, 14:25