shën Pelinin, martir shqiptar nga Durrësi shën Pelinin, martir shqiptar nga Durrësi 

Më 5 dhjetor kalendari kujton shën Pelinin, martir shqiptar nga Durrësi

Shën Pelini lindi në Durrës rreth vitit 620. Ishte murg bazilian, opozitor i herezisë monotelite në Bizant. Kundërshtoi fuqishëm qëndrimet e Kostandinopojës e për këtë arsye, funksionarët e perandorisë Bizantine, më urdhër të basileusit e internuan në Korfinio (Abruco në Itali), ku u dënua me vdekje dhe u vra së bashku me dishepujt e vet, më 5 dhjetor të vitit 662.

R.SH. - Vatikan

Më 5 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Pelinin, ipeshkëv e martir i shekull VII, me origjinë nga Durrësi. Pra, Shën Pelini lindi në Durrës rreth vitit 620.

Ishte murg bazilian, opozitor i herezisë monotelite në Bizant, së pari, gjatë perandorit Herakli I e më pas, gjatë Kostantit II (648). U transferua në Brindizi së bashku me dishepujt e vet, Gorgonin, Sebastin dhe Çiprion.

Ndeshja ndërmjet Romës dhe Bizantit u ashpërsua deri atje, sa papa Martini I e shkomunikoi patrikun Serxho dhe heretikët, por u arrestua, u internua në Kostandinopojë e më pas në Kerson të Krimesë, ku vdiq në vitin 655.

Ndërkaq, në Brindizi, Pelini i qëndroi besnik e pas vdekjes së ipeshkvit të atëhershëm Proklit, u zgjodh në krye të dioqezës së Brindizit.
Kundërshtoi fuqishëm qëndrimet e Kostandinopojës e për këtë arsye, funksionarët e perandorisë Bizantine, më urdhër të basileusit (pushtetarit) e internuan në Korfinio (Abruco e sotme), ku u dënua me vdekje dhe u vra së bashku me dishepujt e vet, më 5 dhjetor të vitit 662.

U shpall shenjt në vitin 668 nga Çiprio, pasardhësi i tij në krye të dioqezës së Brindizit. Në atë rast, u hartua edhe një “Jetë” e shenjtit, ndoshta nga vetë Çiprio, i cili mund të ketë ngritur në Brindizi, edhe vendin e parë të kultit të shën Pelinit.

Për shekuj, ka qenë pajtor i Brindizit së bashku me shën Leuçon. Në vitin 1771 iu kushtua një elter në Katedralen e qytetit, ku martirizimi i tij paraqitet në një pikturë të Oronco Tizos. Shën Pelini është pajtor i dioqezës së Sulmona-Valvës. Një bazilikë e shenjtit ndodhet në Korfinio e kulti i tij në Marsika dëshmohet edhe nga emri i fshatit shën Pelini, pranë Avecanos, ku mendohet të ketë kaluar shenjti, pas një udhëtimi në Romë.

05 dhjetor 2018, 12:46