Kërko

Santi Martiri innocenti, Evangeliario di Ottone III Santi Martiri innocenti, Evangeliario di Ottone III 

Më 28 dhjetor, Kisha katolike kremton festën e Shenjtërve të Pafajshëm, martirë

Kisha në festën e Fëmijëve të Pafajshëm, bën thirrje të kujdesemi për fëmijët, që vuajnë e që keqpërdoren nga të rriturit, fëmijë të lindur e të palindur. Kisha përkujton një ngjarje tragjike që ndodhi pak vite pas lindjes së Krishtit. Na kujtohet se si Tre Mbretërit apo Dijetaret kur erdhën në Jerusalem për të pyetur ku lindi Mbreti i ri, dhe në bazë të Shkrimeve zbuluan se Ai ka lindur në Betlehem.

R.SH. - Vatikan

Pra, sot më 28 dhjetor, Kisha katolike kremton e kujton festën e Shenjtërve të Pafajshëm Martirë, fëmijët që u vranë nga mbreti Herod në përpjekjen për të zhdukur Jezusin fëmijë nga faqja e dheut.

Mbretërit Dijetarë erdhën nga Lindja për të adhuruar Foshnjën Hyjnore të lindur në grazhdin e Betlehemit. Të lajmëruar në ëndërr për të mos kaluar nga Herodi – lexojmë në Ungjillin e Shën Mateut – ata u kthyen në vendet e tyre nëpër një rrugë tjetër. Duke e parë këtë, Herodi u tërbua dhe urdhëroi që në Betlehem e në rrethinat e tij të mbyteshin të gjithë meshkujt dy vjeç e teposhtë. Kështu në Jezusin u vërtetuan profecitë e, sidomos, profecia e Jeremisë, që shkruan: “Një zë dëgjohet në Ramë, vajtim e gjëmë e hidhur: Rakela vajton të bijtë, nuk do të ngushëllohet, sepse ata s’janë më. Foshnjet e mbytura nga Herodi, me shpresë se ndërmjet tyre do të ishte edhe Mesia, konsiderohen si frytet e para të të shëlbuarve nga Jezusi. Ja pse Kisha i nderon si martirë.

Në Ungjillin e sotëm thuhet se u ngrit në qiell “një vaj e gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e vet e nuk do të ngushëllohet, sepse nuk janë më”. E Kisha, gjatë këtyre ditëve, mëse një herë e ka kujtuar thirrjen e fëmijëve, viktima të dhunës nga ana e të rriturve.  Krishtlindja na kujtoi se vetë Zoti, duke u bërë njeri, lindi si një fëmijë pa mbrojtje, që kishte nevojë për ndihmën tonë.

Krishti lindi në një stallë, në varfëri të plotë: Shenja e Zotit është fëmija. Shenja e Zotit është se Ai u bë i vogël për ne. Kjo është mënyra e tij për të mbretëruar në zemrat tona njerëzore. Zoti nuk vjen me pushtet e madhështi.

Ai vjen si fëmijë i pambrojtur, që kërkon ndihmën tonë. Nuk dëshiron të na sundojë me forcë. Na e heq frikën nga madhështia e tij. Zoti na kërkon dashurinë tonë: prandaj bëhet fëmijë. Kështu Zoti na mëson të duam të vegjlit dhe të dobtët. Na mëson kështu, respektimin e fëmijëve.

Foshnja e Betlehemit e drejton vështrimin drejt të gjithë fëmijëve të vuajtur e të keqpërdorur, të abuzuar të botës, si drejt atyre që kanë lindur, ashtu edhe drejt të palindurve. Drejt fëmijëve që, si ushtarë, futen në një botë plot dhunë; drejt fëmijëve që janë të detyruar të lypin rrugëve; drejt fëmijëve që vuajnë nga mjerimi e uria; drejt fëmijëve që nuk kanë asnjë përvojë dashurie nga prindërit e nga familja.

Kisha i kushton vëmendje në veçanti fëmijëve, e ardhmja e të cilëve është në rrezik për shkak të shfrytëzimit e keqdashjes nga ana e të rriturve pa skrupuj. Flet për vdekje të heshtura të fëmijëve shkaktuar nga uria, nga aborti, nga eksperimentimi mbi embrionet.

Psalmin 138, na kujton se si sytë plot dashuri të Zotit kthehen drejt njeriut, qysh kur është akoma pa formë në kraharorin e nënës. Madhështia e kësaj krijese njerëzore akoma të palindur qëndron në faktin se është e rrethuar nga dashuria e Tij Hyjnore. Në librin e jetës së Zotit tashmë janë të shkruara ditët që ajo krijesë do të jetojë e ekzistencën e saj tokësore do të mbushë me vepra.

Kisha, pra, na fton të kemi guxim e të jemi koherentë. Herodi thoshte se dëshironte ta adhuronte Foshnjën Hyjnore, por në të vërtetë donte ta vriste. Vetëm duke respektuar me koherencë çdo person, në çdo fazë të jetës promovohet paqja.

E fëmijët, me pafajësinë e tyre e pasurojnë njerëzimin me mirësi e shpresë dhe, me dhimbjen e dashurinë e tyre na nxisin të bëhemi të gjithë veprimtarë të drejtësisë e të paqes.

28 dhjetor 2018, 11:52