Kërko

 Shën Gjoni i Kryqit Shën Gjoni i Kryqit  (© Ordine dei Carmelitani Scalzi)

Mё 14 dhjetor kalendari kujton Shën Gjonin e Kryqit, meshtar e doktor i Kishёs

Shën Gjoni i Kryqit, karmelitan, ndoqi gjurmët e shën Terezës së Jezusit. Mori pjesë në bashkësinë e parë të të reformuarve, në Karmelitanët e Zbathur. Nuk i munguan sprovat nga ana e Inkuizicionit. U burgos e u torturua, duke vuajtur jashtëzakonisht shpirtërisht, vuajtje, që i shprehu në këngën “Nata e errët e shpirtit”.

R.SH. - Vatikan

Shën Gjoni i Kryqit na mëson se të ndjekësh Krishtin, nuk do të thotë të marrësh mbi supe një barrë të rëndë. Të ndjekësh Krishtin, do të thotë të ndjekësh dritën, e cila i ndriçon të gjitha ditët tona.

Shën Gjoni i Kryqit duhet të ketë lindur rreth vitit 1540 në Fontiveros, pranë Avilës, në Spanjë. Ishte ende i mitur, kur i vdiq i jati. S’ ëmës iu desh të lëvizte nga një vend në tjetrin për të fituar bukën e gojës, duke marrë kudo me vete edhe jetimin.

Me gjithë kushtet tepër të vështira të jetesës. Gjoni filloi të ndjekë shkollën, por u detyrua edhe të punonte, për të lehtësuar barrën e rëndë që peshonte mbi supe të nënës. Si fitoi pjekurinë, vendosi t’ia kushtonte gjithë jetën Zotit. Për ta realizuar këtë dëshirë, në sa ishte në Medinë, vendosi të vishte zhgunin e karmelitanëve. Ishte viti 1567. Nisi kështu për të rruga e meshtarisë: më 1567, pasi kishte kryer studimet e filozofisë dhe të teologjisë në Salamankë, universitet spanjoll me famë i kohës, u shugurua meshtar. 

Në të njëjtin vit u takua me Shën Terezën e Jezusit, e cila sapo kishte marrë nga eprori i përgjithshëm lejën për themelimin e dy kuvendeve të karmelitanëve kundrues, të cilët më pas u quajtën “të zbathur”, me qëllim që t’u ndihmonin rregulltareve në shtëpitë që drejtonte. Më 28 nëntor 1568 Gjoni u bë anëtar i grupit të reformatorëve të Durelos, duke e ndryshuar emrin nga Gjoni i Shën Matisë në Gjoni i Kryqit. Kreu më pas detyra të shumta e të ndryshme: ndërmjet tjerash, qe rrëfyes e drejtues i kuvendit të Zotit të Mishëruar në Avila.

Gjatë punës për reformën, u dëbua nga kuvendi. Më pas u ngarkua gabimisht me një faj që nuk e kishte bërë e kaloi tetë muaj në burg. E pikërisht kur ishte i mbyllur në burg, shkroi pjesën më të madhe të poezive të tij lirike, që u bënë shpejt pronë e thesarit të kulturës botërore, duke u radhitur ndërmjet kryeveprave më të njohura të lirikës.

Iu desh, pra, të mbarte kryqin, që u bë pjesë e pandarë e emrit të tij. E ishin pikërisht vuajtjet, që e ndihmuan të zbulonte misterin e Kryqit dhe të ecte në rrugën e kundrimit më të lartë e të jetës mistike. Etapat e kësaj jete i përshkroi në veprat e teologjisë shpirtërore, të cilën Kisha e konsideron si doktrinë të sigurtë për të gjithë besimtarët e saj. 

Ja disa nga titujt: “Ngjitja në malin e Karmelit”; “Nata e errët e shpirtit”; “Këngë shpirtërore”, “Flakë e gjallë dashurie”. Ai e pa thelbin e Kishës në bashkimin e saj jetik me Krishtin, i cili është përherë i pranishëm e veprues në Kishë Gjoni i Kryqit vdiq në moshën 49 vjeçare ndërmjet 13 e 14 dhjetorit të vitit 1591 në Ubedë.

Përvoja e Shën Gjonit të Kryqit është model për të gjithë, e jo vetëm për pak shpirtra të zgjedhura. Në se shpirti i njeriut është përplot me dashuri, kjo dashuri i jep krahë, ia lehtëson barrën e përditshme, e ndihmon t’i përballojë më lehtë shqetësimet e jetës, sepse ia mbush shpirtin me një dritë të madhe. E kjo dritë është feja: është ndjesia e jashtëzakonshme që provon njeriu, kur kupton se Zoti e do e se është gati ta lëshojë plotësisht veten në krahët e Tij, nëpër Jezu Krishtin.

Shenjtëria nuk është vepër e duarve tona. Është një dritare. Na hapet në shpirt, për të hyrë drita e Zotit, që mund ta shndërrojë krejt jetën tonë. Mbi të gjitha – shtoi Ati i Shenjtë – shenjtëri do të thotë t’ia hapësh zemrën Zotit, ta lësh të të dojë, ashtu si di të dojë vetëm Ai.

13 dhjetor 2018, 18:44