Kërko

Shën Damasi I, papë Shën Damasi I, papë 

Më 11 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Damasin I, Papë

Në kohën e Shën Damasit I, Papë, falë lirisë së dhënë nga Kostandini, të krishterë i braktisën vendet e fshehta të kultit, prej nga i mbartën edhe reliket e martirëve për t’i vendosur në bazilika e Kisha të reja që nisën të ndërtoheshin.

R.SH. - Vatikan

Më 11 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Damasin I, papë. Emri grek Damas, me histori shumë të lashtë, sepse e gjejmë që në Iliadën e Homerit, të kujton edhe katakombet romake, sepse Papa i shekullit VI me këtë emër, Damas, qe zbuluesi e arkeologu më i njohur i kohës që ruajti, studioi e mbrojti qytetin e të vdekurve që shtrihet poshtë Romës të të gjallëve.

Spanjoll me origjinë, lindur në Romë në vitin 305, Damasi qe i pari Papë që mori këtë emër, me të cilin mbajti Tiarën nga viti 366 deri më 384. Pikërisht në kohën e tij, falë lirisë së dhënë nga Kostandini, të krishterë i braktisën vendet e fshehta të kultit, prej nga i mbartën edhe reliket e martirëve për t’i vendosur në bazilika e Kisha të reja që nisën të ndërtoheshin. Kështu për katakombet u krijua rreziku i braktisjes edhe i shkatërrimit të plotë. Po Papa Damasi largpamës e ruajti traditën e nderimit të katakombeve, duke i mbrojtur e shpëtuar nga rreziku i shkatërrimit.

Kujtojmë se pikërisht me porosinë e përkrahjen e tij, shën Jeronimi Iliras, emëruar nga Papa sekretar i posaçëm papnor, përktheu në latinisht variantin e ri të Biblës – Shkrimit Shenjt, që njihet me emrin ‘Vulgata’. Është përkthim i pashoq, që u bëri ballë shekujve e që edhe sot e kësaj dite mbetet  tekst bazë për të gjithë studiuesit e Biblës.

Papa Damasi vdiq më 11 dhjetor të vitit 384, në moshë të shtyrë, 80 vjeç e, pas varrimit të përkohshëm në rrugën romake Ardeatina, reliket e tij u bartën në Kishën romake të Shën Lorencit in Damaso. Falë pasionit të tij për poezi e shkrime,  nderohet nga  shkrimtarët e përhapësin e shkencës, e konsiderohet si pajtor qiellor i arkeologëve.

11 dhjetor 2018, 11:56