Kërko

2018.12.03 Nativita, la nascita di Gesu' - Natale 2018.12.03 Nativita, la nascita di Gesu' - Natale 

Kolë Dedaj: Krishtlindja kremton takimin e Zotit me njerëzimin, pёr dashuri

Jezusi u lind në përvujtëri të një stalle, në një familje të varfër (krh. Lk 2,6-7); barinjtë e thjeshtë janë dëshmitarët e parë të ngjarjes. Në këtë varfëri shfaqet lavdia e qiellit (krh. Lk 2,8-20). Kisha nuk ndalon së kënduari lavdinë e kësaj ngjarjeje.

R.SH. - Vatikan

Krishti erdhi dhe u mishërua për të kryer vullnetin e Hyjit Atë dhe për të na liruar prej mëkatit, për të na bërë të njohim fytyrën e vërtetët te Atit, për dashuri, për të na hape rrugën e shëlbimit, pohon mes tjerash meshtari dom Kolë Dedaj në "Festa e Krishtlindjes"

“Ajo (Maria) lindi djalin e vet ‑ të parëlindurin” (krh. Lk 2,6-7)

“Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. Ajo lindi djalin e vet ‑ të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta” (Lk 2,6-7). Krishtlindja ka shumë emërtime: Christi Natalis (Lindja e Krishtit); Festum Christi Natalis (festa e Lindjes së Krishtit); Natalis Domini (Lindja e Zotit); Nativitatis Christi/Domini (Lindja e Krishtit/Zotit). Festohet me 25 dhjetor duke filluar me mbrëmësoren e parë.

Pikërisht në këtë ditë festohej, në Romën pagane, festa shtetërore e të pamposhturit hyjit “diell” përmes së cilës festohej solstice, diellqëndrimi a diellndalimi dimërorë[1]. Këto u morë prej paganëve, por u banë kuptimplote me anë të Krishtit. Pra Krishti ishte dielli i kësaj feste.

Por përse Hyji i pamposhtur, i gjithëpushtetshëm, duke qenë në lavdi, përvujtërohet dhe vjen e merr natyrën tonë?

Krishti erdhi dhe u mishërua për të kryer vullnetin e Hyjit Atë dhe për të na liruar prej mëkatit, për të na bërë të njohim fytyrën e vërtetët te Atit, për dashuri, për të na hape rrugën e shëlbimit.

Në Kishën primitive festat më me rëndësi ishin Pashkët, Rrëshajët dhe Dëftimi (Epifania), ndërsa Krishtlindja nuk përmendet në listat e Shën Ireneut dhe Tertulianit. Ky i fundit tha: “Caro salutis est cardo” (mishi është rrënja e shëlbimit). Fillon e merr rëndësi që prej shek. V dhe VI si festë.

Kjo festë ka mundësuar njohjen e vetë Hyjit në mënyrë të dukshme të cilin mund ta prekim dhe ta shijojmë në Eukaristi si prani reale e flisë pashkvore, të cilën e jetojmë që prej kohës së Krishtit[2].

Jezusi paraqitet gjithmonë porsi fëmijë i varfër, i cili vjen në këtë bote, e sheh dhe shijon dritën e tij përmes një gruaje (gruaja merr kuptim prej meritave te tij te Krishtit). Vetë varfëria dhe lindja e natyrshme e Jezusit i ka afruar dhe i afron njerëzit të Zoti. Në këtë pamje vjen deri te identifikimi i ynë me Jezusin.

Kështu Kisha pohon se Jezusi është Hyji i vërtetë e njëri i vërtetë. Ai është më të vërtetë Biri i Hyjit që u bë njeri, vëlla i yni, pa ndalur së qenuri Hyj dhe Zoti ynë[3].

Jezusi u lind në përvujtëri të një stalle, në një familje të varfër (krh. Lk 2,6-7); barinjtë e thjeshtë janë dëshmitarët e parë të ngjarjes. Në këtë varfëri shfaqet lavdia e qiellit (krh. Lk 2,8-20). Kisha nuk ndalon së kënduari lavdinë e kësaj nate[4].

Kjo festë nuk është thjesht një përkujtim i një ngjarjeje të kaluar, nuk është një ndjenjë për atë që ishte, por kujton me gëzim e me fe atë që ndodhi, është përzgjatja reale e asaj nate, e jeton me dashuri në të sotmen fenë në Shëlbuesin që lind, dhe pret ardhjen e dytë të Jezu Krishtit me shpresë të gjallë.

“Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria ‑ këto të tria ‑ porse më e madhja ndër to është dashuria” (1Kor 13,13). Për t’iu përgjigjur pyetjes së fillimit, falë dashurisë Hyji vjen në tokë e bëhet si ne. Në të tashmen aktualizohet misteri i dashurisë që Hyji ka për ne, e shenja është një foshnje e vendosur në grazhd, është shugurimi eukaristik i Krishtit të pranishëm.

“Eja, o Zot, Jezus!” (Zb 22,20) / Kolë Dedaj

25 dhjetor 2018, 09:36