Kërko

2018.12.03 Nativita, la nascita di Gesu' - Natale 2018.12.03 Nativita, la nascita di Gesu' - Natale 

Jezusi dëshiron të lindë në zemra të njerëzve. Këtë na kujton koha e Ardhjes

Shën Leoni i Madh shpjegonte se “bijtë e Kishës lindën njëherësh me Krishtin, në ditën e Lindjes së Tij, ashtu si edhe u kryqëzuan me Të në mundimet e Tij dhe rilindën në Ngjalljen e Tij. Në zanafillë të të gjithave është fakti biblik, i përmbushur në Marinë: Virgjëra bëhet Nënë e Jezusit “për virtyt të Shpirtit Shenjt”

R.SH. - Vatikan

Gjatë së Ardhjes, Kisha na fton të përgatitemi sa më mirë shpirtërisht për ta shijuar festën e Lindjes së Krishtit, duke na kujtuar se: “Ai u mishërua për virtyt të  Shpirtit Shenjt nga Maria Virgjër".

Është Krishti vetë, pra, që dëshiron të lindë në zemrën tonë. Kjo, atmosfera e Krishtlindjes në fjalët e liturgjisë së këtyre ditëve, që na rikujton ngjarjen e Betlehemit, më e rëndësishmja e të gjitha kohëve. E bota në të cilën lëvizin Maria e Jozefi, nuk ishte më pak e tronditur se kjo e sotmja. Lajmet për akte terrorizmi, luftëra, masa njerëzish të detyruara, si asokohe të lënë shtëpitë e tyre, duke u nisur në një drejtim ku, si për Marinë e Jozefin, për ta nuk gjendet vend në asnjë bujtinë, zëvendësojnë njëri-tjetrin e merren vesh menjëherë.

Vetëm kush do të jetë i aftë ta bëjë të heshtë gjithçka, brenda e jashta vetes, e  me hirin e Shpirtit Shenjt Zot do të fitojë vetëdijen e asaj që kujtojmë në Ditën e Lindjes së Krishtit, mund të thotë se e kremtoi si duhet Krishtlindjen. Është kremtim i cili kërkon të kuptohet sipas domethënies që ka për secilin prej nesh. Shën Leoni i Madh shpjegonte se “bijtë e Kishës lindën njëherësh me Krishtin, në ditën e Lindjes së Tij, ashtu si edhe u kryqëzuan me Të në mundimet e Tij dhe rilindën në Ngjalljen e Tij. Në zanafillë të të gjithave është fakti biblik, i përmbushur në Marinë: Virgjëra bëhet Nënë e Jezusit “për virtyt të Shpirtit Shenjt”. 

Ky mister historik, si të gjitha faktet e shëlbimit, zgjatet në nivelin sakramentor të Kishës, në liturgji, në Eukaristi; e në nivel moral, në çdo shpirt besimtar. Maria Virgjër, që lind Krishtin për virtyt të  Shpirtit Shenjt Hyj, na duket kështu, tipi, shembulli ose figura e përkryer e Kishës dhe e shpirtit besimtar.

Në Koncilin II të Vatikanit rikujtohet ky vizion, posaçërisht në kapitujt e Kushtetutës “Lumen Gentium” kushtuar Zojës Bekuar: "Ajo është shembull e model i Kishës’, e thirrur për të qenë në fe, virgjër e nënë, e shpirti besimtar, duke i përngjarë Marisë në virtyte, bën që Jezusi të lindë e të rritet në zemrën e tij e edhe në zemrat e vëllezërve”.

Kisha na kujton posaçërisht edhe rolin e Shpirtit Shenjt, që vepron në zemrën e Marisë Virgjër, duke e ndriçuar e duke e përflakur me Krishtin, para se të zihej në kraharorin e saj, të cilin e mbushi përplot me Jezusin: “Shpirti, që zbret mbi Marinë, është ‘Spiritus creator’ – ‘Shpirti krijues’, që formon mrekullisht nga Virgjëra Mari, korpin e Jezusit, por është edhe diçka më shumë, domethënë, ujë i gjallë, është zjarr, dashuri e vajim shpirtëror”.

Maria e jetoi mishërimin si ngjarje karizmatike që e bëri model të shpirtit të flaktë në Shpirtin Shenjt. Ishte ajo, që e shijoi e para, pijen e Shpirtit të Zotit! Përvujtëria e Virgjërës Mari pas Mishërimit të Krishtit, duket si një nga mrekullitë më të mëdha të hirit hyjnor, që na çon tek koncepti i “amësisë hyjnore” të Marisë, apo tek titulli “Nënë e Zotit”. Amësi fizike, metafizike - domethënë, siç e shpjegonte Shën Injaci i Antiokisë, Jezusi është Biri i Zotit e i Marisë  - e shpirtërore - domethënë  “i zemrës, përveçse i korpit”. E është Shpirti Shenjt ai, që na fton të rikthehemi tek zemra, për ta kremtuar në të Krishtlindjen më intime e më të vërtetë, e cila e bën të vërtetë edhe Krishtlindjen, që e  kremtojmë në ritet e traditat.

Jezusi vetë dëshiron të lindë në zemrën tonë; dëshiron të lindë pambarimisht më shumë, sesa dëshirojmë ne vetë. Madje, në këto ditë të fundit të Kohës së Ardhjes, duhet, në fe - nëse besojmë vërtet – ta mendojmë kështu, ta përfytyrojmë kështu Jezusin. Si atëherë kur, në prag të Krishtlindjes, prindërit e Tij trokisnin portë në portë për të kërkuar një vend, ku të lindte. E ai vijon të na thotë edhe ne, sot: ‘Ja, unë jam tek porta e po trokas: a do të më bësh vend për të lindur?’. 

20 dhjetor 2018, 16:52