Kërko

Lindja Jezu Krishtit Lindja Jezu Krishtit 

Gëzimi i njeriut gjendet në Krishtin që vjen, jo në kënaqësitë pa Zot

Gëzimi i krishterë buron nga kjo siguri: Hyji është pranë, është me mua, është me ne, në gëzim e në dhimbje, në shëndet e në sëmundje, si mik e dhëndër besnik. E ky gëzim mbetet edhe në orën e provës, edhe në çastet e vuajtjes, e nuk mbetet në sipërfaqe, por hyn në thellësi të shpirtit të njeriut që i beson Zotit, që e lëshon veten plotësisht në dorë të Tij.

R.SH. - Vatikan

Gëzim i vërtetë është ai që shndërrohet në solidaritet, për dashuri të Zotit, e jo gëzimi i rremë, që kërkohet në parajsat artificiale të kënaqësisë, ku Zoti nuk ekziston. Kisha, gjatë kohës së Ardhjes, e cila tashmë është afër përfundimit, na flet për kuptimin e gëzimit të krishterë, parë me syrin e Krishtlindjes.

Po duhet të jemi të sinqertë: ka njerëz që gabojnë rrugë, në sa kremtohet Krishtlindja. Gabon rrugë kush nuk e ndjen gëzimin që sjell Foshnja Hyjnore e Betlehemit, por ndjek kënaqësitë që premtojnë ‘parajsa’ të tjera, si droga. Lumturi artificiale, shumë afër dëshpërimit, të cilin përpiqen ta fshehin, por tepër larg paqes së shpirtit.

Kjo paqe buron nga vetëdija se Zoti është afër, se po vjen një Fëmijë, që rri gjithnjë pranë njeriut, në gëzim e në dhimbje. Mos ta harrojmë frazën e Shën Palit: “Gëzohuni përherë në Zotin!” dhe atë shpresë me të cilën të krishterët e presin ardhjen e dytë të Krishtit, sepse e njohin të parën. Misteri i Betlehemit na dëfton Hyjin-me–ne, Hyjin që është pranë nesh, e jo thjeshtë në kuptimin hapësinor e as kohor; ai është pranë nesh sepse është martuar - në se mund të shprehemi kështu, me natyrën tonë njerëzore.

Gëzimi i krishterë buron nga kjo siguri: Hyji është pranë, është me mua, është me ne, në gëzim e në dhimbje, në shëndet e në sëmundje, si mik e dhëndër besnik. E ky gëzim mbetet edhe në orën e provës, edhe në çastet e vuajtjes, e nuk mbetet në sipërfaqe, por hyn në thellësi të shpirtit të njeriut që i beson Zotit, që e lëshon veten plotësisht në dorë të Tij.

Në këtë kohë të Ardhjes duhet të bëjmë një pyetje që sot ia bën shumëkush vetes: “Po a mund ta ndjejmë akoma këtë gëzim në kohët tona? Përgjigjen na e japin me jetën e tyre, burrat e gratë e moshave e të gjendjeve të ndryshme shoqërore, të cilët ia kushtojnë, gjithë gëzim, vetveten të tjerëve, deri në fund të fundit. E këtu nuk mund të mos ndalemi tek shembulli i Nënës sonë Terezë Ganxhe Bojaxhiu.

Shenjta Nënë Tereza e Kalkutës a nuk ishte, në kohët tona, dëshmitare e paharrueshme e gëzimit të vërtetë ungjillor? Jetonte ditë për ditë pranë mjerimit, zvetënimit njerëzor, vdekjes. Shpirti i saj njohu edhe provën e natës së errët të fesë, e megjithatë u dhuroi të gjithëve buzëqeshjen e Hyjit. Shenjta Nënë Tereza ishte dëshmitare e gjallë e faktit se gëzimi, hyn në zemrën e njeriut që ia kushton vetveten shërbimit të të vegjëlve e të të varfërve. Ndërsa kush e bën lumturinë idhull, gabon rrugë dhe e ka vërtetë vështirë ta gjejë gëzimin për të cilin flet Jezusi.

Ky, për fat të keq, është propozimi i kulturave që e venë lumturinë vetjake në vend të Zotit, mendësi që gjen shprehjen e vet në kërkimin e kënaqësinë me çdo kusht, në përhapjen e drogave, si arratisje nga realiteti e kërkim i parajsave artificiale, të cilat lënë pas vetëm zhgënjim.
Edhe për Krishtlindje mund të merret gabimisht si festë e vërtetë, ajo që nuk ia hap zemrën Krishtit. Virgjëra Mari na ndihmoftë të gjithëve e posaçërisht njerëzit në kërkim të Zotit, të arrijnë deri në Betlehem, për të takuar Foshnjën Hyjnore që lindi për ne, për shëlbimin e lumturinë e të gjithë njerëzve.

21 dhjetor 2018, 09:14