Greta Thunberg në protestën e së premtes për klimën Greta Thunberg në protestën e së premtes për klimën 

Cop24 mbi klimën: një adoleshente suedeze kundër mungesës së të mëdhenjve të botës

15 vjeçarja suedeze, Greta Thunberg, shkon në Katowice të Polonisë, ku po mbahet konferenca botërore mbi klimën Cop24, dhe proteston kundër mungesës së të mëdhenjve të botës. “Janë të papërgjegjshëm” thekson ajo.

R.SH. - Vatikan

Greta Thunberg, një 15-vjeçare suedeze, që çdo javë largohet nga shkolla për të protestuar kundër apatisë së politikanëve në ndalimin e pasojave të ngrohjes globale, i quan krerët botërorë, që e kanë injoruar krejtësisht Takimin Botëror mbi Klimën në Poloni, “njerëz të papërgjegjshëm”.

         Adoleshentja shkoi në Katowice të Polonisë, në fillim të punimeve të Cop24-ës, që do të vijojnë për dy javë, deri më 14 dhjetor. Foli para disa krerëve të shteteve të pranishme në Konferencë e pastaj, në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, 15-vjeçarja denoncoi mungesën e liderëve si presidenti amerikan Donald Trump dhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Kjo “tregon se kujt i japin përparësi”, ngriti zërin Greta, e cila proteston që prej muajsh për çështjen e klimës.

         Ҫdo të premte, ajo lë shkollën e shkon para parlamentit të Stokholmit, në përpjekjen për të sensibilizuar politikanët dhe shoqërinë. “Në të ardhmen – tha adoleshentja për liderët jo të pranishëm në Katowice – do t’i kthejmë sytë pas e do të qeshim me ta, ose do t’i urrejmë”. Aktivizmi i Greta Thunberg ka frymëzuar edhe mijëra studentë në të gjithë botën, deri në Australi.

04 dhjetor 2018, 13:31