Cerca

Vatican News
2018.12.08 Immacolata Concezione, Vergine Maria, Madonna 2018.12.08 Immacolata Concezione, Vergine Maria, Madonna 

Atë Fishta ‘Të nxanunt e pafaj të së Lumes Virgjines Mrí’

12 Perse Âjo âsht rrâja, mbetun njomë gjith-hera,/ Prej s’cillës dikúr do t’bîje lulja Jese;/ Perse e njerzimit vetem â’ Âjo ndera:/ Âsht hýll e limâ shprese. / 13 O Zojë, o Virgjen, o Shêjtneshë e lume!/ Ti jé ajo Grue, qi i hershmi e priti moti/ E me t’cillen Mendja e naltë e amshueme/ Vepren krijuese e ploti.

R.SH. - Vatikan

Atë Gjergj Fishta ‘Të nxanunt e pafaj të së Lumes Virgjines Mrí’

1“Mnín kam per t’qitun ndermjet Grues e teje
E ndermjet bîmës, qi Asajë ka per t’i lé,
E ti nen thêmer t’Sajë, i ndrydhun kreje,
Pluhun do t’bréjsh e dhé.”

2 Njeshtû atje n’Eden t’blertë, n’atë ças të mnershem
Kúr s’parit mkati flligji rruzullimin,
I Bukri i qiellve i foli gjarpnit t’hershem
Ka’ i lshoi të randë mallkimin.

3 E rruzullimi per dyzet qindvjeta
E priti atë Grue të folne prej t’Amshuemit,
Prej s’cilles n’shekull do t’pertrihej jeta,
Do t’ngjallej shpresa e t’shuemit.

4 E qe, se n’kohë të vûme n’shêj prej qiellit,
Po del Âjo, qi e priten motet t’tâna,
E bardhë si drita, veshë me rreze diellit,
E bukur mâ se hâna.

5 Hyjzit mâ t’bukurt per rreth krés i shndrisin,
E hâna i rrin per shkamb nen kambë t’pushtueshme.
Prej trollit t’lartë t’nji rregji ka Âjo fisin,
N’popull t’vet e madhnueshme.

6 E sheh mâ i madhi i jetës nalt prej Empirit,
E sheh kah vjen si fjolla e tymit t’kemit,
Edhe per Âmë Âj i a shenjton të Birit,
Shelbuesit t’tânë polemit.

7 Mâ t’lehtit Êj, mâ t’epert Kerubima,
Fron e Dominacjon edhe Pushteten,
E Serafîjt e ndezun si vetima
Pervûjtë Asa’ i pershndeten.

8 Per Rregjineshë edhe e nderon natyra
Âtë, qi âsht drita e rrezes s’amëshueme,
E Mendes s’Eper, qi âsht edhe pasqyra
Mâ e kjartë e mâ e kullueme.

9 E Gjarpni i motshem, qyshë n’fill t’herës krenár
Ka’ e sheh edhe t’pervûjtë n’gjith atë lumní,
Prej resës përmblidhet n’férr kulár-kular,
E fishkullon n’ajri.

10 E tu’ u plandosë i mnershem n’zjarm t’pasosun
Helm kundra Sajë sterklatë me gjuhë të çame
N’per t’cillen Even pat dikúr perdhosun
Tu’ i sjellë mâ t’randet dame.

11 Por kot; pse i Lumi e ruen si kopshtë t’vallue,
E ruen sí lil nder ferra të morrizit,
Si gurrë të gjallë, qi shkon tue gurgullue
Neper vrrîje t’Parrizit.

12 Perse Âjo âsht rrâja, mbetun njomë gjith-hera,
Prej s’cillës dikúr do t’bîje lulja Jese;
Perse e njerzimit vetem â’ Âjo ndera:
Âsht hýll e limâ shprese.

13 O Zojë, o Virgjen, o Shêjtneshë e lume!
Ti jé ajo Grue, qi i hershmi e priti moti
E me t’cillen Mendja e naltë e amshueme
Vepren krijuese e ploti.

14 Ti streha jé e ngushllimi i t’bijve t’robit,
Perse prej teje Hylli i bardhë na doli,
Të cillin Hy’i dikur prej derës s’Jakobit
Popullit t’zgjedhun i a foli.

15 Ti jé, po, Âjo, qi porsi ushtri kreshnike
Fuqít e ferrit per nen kambë i shkele,
Qi t’rrejshmet msime permbí tokë i fike,
E anmiqt e Fés i ngele.

16 Kah don fajtori mnís me i hikë t’frigueshme,
T’elterit t’and kerkon ai t’bardhat troje,
Pse Ti e njerzimit Nâna jé e ngushllueshme
E n’Tý gjên ndimë e proje.

17 Ke ti i mjeruemi vjen, po, per m’u ankue
Pse, se âsht xânë jeta, kurr Ti lott e t’mjerit,
Qi sheklli e bân me kjá, s’i ké poshtune
Si t’bijt e robit t’njerit.

18 Deh ! prá, Ti, o Rregjinesha e rruzullimit,
Âta t’út sý të mshírshem prej nesh sielli
E nierit t’ngratë, qi kján n’ketë fushë mjerimit
Mâ t’bardha dit Ti kthielli.

19 Per Urdhen Shêjt t’Sh.Françeskut lute Zotin
E rritja nderen, emnin edhe rueja,
Pse ky per tý dikur pat rritun Skotin
Kreshnik nder lufta t’ueja.

20Shtrîje edhe doren mbi kto malet t’ona,
E neper rrezet t’amëshuem t’Ungjillit,
Na prîj atje, kû na me u gjetun dona
Nder t’blertat vrríje t’qi’ellit.

08 dhjetor 2018, 13:07