Cerca

Vatican News
 Flamuri i kombit shqiptar Flamuri i kombit shqiptar 

Zef Chiaramonte: Arbëreshët e Sicilisë kremtuan festën e flamurit shqiptar

Arbёreshёt e Sicilisё qё nga periudha e fitimit të Pavarësisë së Shqipërisë nga sunduesi turko-otoman, e kremtojnë çdo vit festën e Pavarësisë e tё Flamurit kombëtar, me gëzim, kujtime, emocione, dashuri dhe nostalgji pёr Atdheun e tё parëve.

R.SH. - Vatikan

Arbëreshët e Sicilisë qё nga periudha e fitimit të Pavarësisë së Shqipërisë nga sunduesi turko-otoman, çdo vit e kremtojnë festën e Pavarësisë e tё Flamurit kombëtar me gëzim, kujtime, emocione, dashuri dhe nostalgji pёr Atdheun e tё parëve.

Siç na kujton bashkëpunëtori ynë nga Palermo, prof. Zef Chiaramonte, duke nënvizuar lidhjen e përhershme tё arbëreshëve  me atdheun, kujton se nё vitin 1902, Qemal bey Vlora u prit në Palermo nga Kryetari i Lidhjes Italo-Shqiptare, kavalieri Françesko Muzaka. Po tё ndjekim njoftimin e Prof. Zef Chiaramonte-s nga Palermo mbi kremtimin e sivjetmë tё festës sё 28 nёntorit ndёr arbëreshët e Sicilisë....:

"Mё 28 Nëntor në mbrëmje, Arbëreshët e Sicilisë kremtuan si çdo vit Ditën e Flamurit. Kjo ditë tek Arbёreshёt ka qenë e festuar fill mbas fitimit të Pavarësisë së Shqipërisë nga sunduesi turko-otoman. Në fakt, Qemal bey Vlora né vitin 1902 u prit në Palermo nga Kryetari i Lidhjes Italo-Shqiptare, kavalieri Françesko Muzaka.

Qemali vazhdoi pastaj për në Horë të Arbëreshёvet, Piana degli Albanesi, ku u prit me manifestime të mëdha  nga poeti Zef Skiro plaku, nga priftërinjtë arbëreshë dhe nga një mori arbëreshësh të ardhur nga tjerat koloni.

Kujtimi i kësaj ngjarjeje u ruajt aq mirë nga bey Vlora sa të nesërmen e shpalljes së Pavarësisë i dërgoi telegram Muzakës për ta njoftuar.

Përgjigja iu dha menjëherë nga Lidhja Italo-Shqiptare,  tek shprehej gëzimi i madh për arritjen e lirimit nga Perandoria osmane.

Kavalier Muzaka, poeti Skiro dhe të tjerë anëtarë të Lidhjes morën pjesë pastaj, né mars 1913, te  Kongresi panshqiptar i Trieste-s ku u shqyrtuan pikat kryesore për Kongresin e Londrës i cili pati miratuar ndërkombëtarisht lindjen e Shtetit Shqiptar.

Manifestimet e djeshme u zhvilluan te Teatri i Selisë se Eparhisë (dioqezёs) sё Horës, nen patronazhin e Dhespotit (ipeshkvit)  imzot Gjergj Dhimitër Gallaro.

Mbas përshëndetjeve nga të pesë Kryetarët e Bashkive arbëreshe, fjalën e pati korespondenti ynë nga Sicilia, Prof. Zef Chiaramonte, i cili foli mbi kalimin nga Rumelia otomane tek formimi i  shteteve të pavarura në Balkan, duke inkuadruar kontekstin e rrethanave që sollën deri tek pavarësia e Shqipërisë.

Nё vazhdim Prof. Zef Skiro Di Maxho, i cili u përqendrua tek antikiteti i shënimit të emrit dhe të veprave të Heroit kombëtar Skënderbeu, sidomos te gjiri i diasporës arbëreshe

Prof. Skiroi gjithashtu paraqiti Zonjën Angjelina Xhara e cila erdhi enkas nga Athina për të shfaqur dokumentarin e saj mbi figurën e Skënderbeut. Dokumentari u pëlqye shumë nga të pranishmit të cilët e kanë duartrokitur me vrull.

Mbrëmja kremtore  u mbyll me shfaqjen e  tragjedisë FLUTURA e Zef Skiro Di Maxho-s, e luajtur nga Anamaria Salerno, në rolin e Fluturës, dhe nga dy aktorë të tjerë arbëreshë.

Nga të pranishmit, duhet pёrmendur Kryeprifti i Katedrales papas Jani Pekoraro, Kryetari i Shoqatës “Pro Loco”,  Gjergj Kuçi me Pjetër Napoli-n, noteri Dr. Salvino La Spina, zonjat Shilipa poeteshë dhe Randaco dirigjente nё administratën e Krahinës Autonome të Sicilisë".

Zef Chiaramonte nga Palermo, 29.11.2018

29 nëntor 2018, 21:41