Pllaka, që kujton Gjergj Kastriotin - Skënderbeun në pallatin ku rrinte, në Romë Pllaka, që kujton Gjergj Kastriotin - Skënderbeun në pallatin ku rrinte, në Romë 

Skënderbeu, ndërmjet Mesjetës dhe Kohëve Moderne: takim i ambasadës së Shqipërisë në Itali

“Epoka e Skënderbeut: ndërmjet Mesjetës dhe Kohëve Moderne në Mesdhe”: ky është titulli i një konference, që do të mbahet nesër në Romë, kushtuar Heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotit, në 550-vjetorin e vdekjes së tij. Vijojnë pra, kremtimet me rastin e Vitit jubilar të kreshnikut, që ndali otomanët në portat e Evropës.

R.SH. - Vatikan

Është ambasada e Shqipërisë në Itali, që në bashkëpunim me Shkollën Spanjolle të Historisë dhe Arkeologjisë në Romë, me Universitetin e Kalabrisë, Universitetin e Ankarasë, Universitetin e Napolit “Federico II”, Universitetin e Palermos, Universitetin Ndërkombëtar të Katalonjës,  organizon takimin, që do të mbahet nesër, në orën 10.00, në selinë e Shkollës Spanjolle të Historisë dhe Arkeologjisë, në rrugën Sant’Eufemia 13.

Paraqitja e Gjergj Kastriotit në ftesën e takimit

         “Figura e fisnikut shqiptar Gjergj Kastrioti (1405-1468) – shkruhet në paraqitjen e kësaj veprimtarie nga Shkolla spanjolle – ka qenë shpesh me interes të madh për historianët. Otomanët e mbiquajtën ‘Skënderbej’ – ‘Princi Aleksandër’ – duke e krahasuar talentin e tij ushtarak me atë të Aleksandrit të Madh. Si mbrojtës kryesor i Shqipërisë nga sulmet turke, historiografia shqiptare e ka konsideruar tradicionalisht si heroin e saj të madh kombëtar.

         Megjithatë, figura dhe aleancat e tij me Republikën e Venedikut dhe me mbretërinë e Napolit, me synimin për të ndaluar përhapjen e otomanëve në Mesdhe, e bënë Skënderbeun të famshëm përtej kufijve, duke e shndërruar, njëkohësisht, atë zonë të Ballkanit në një enklavë strategjike themelore për Evropën gjatë më se një shekulli.

         Në 550-vjetorin e vdekjes së tij, na duket se e kemi për detyrë të reflektojmë mbi trashëgiminë e Skënderbeut, përtej fakteve luftarake, në të cilat qe protagonist. Vlerat, që synonin favorizimin e bashkëjetesës ndërmjet popujve të ndryshëm, shkëmbimeve kulturore dhe bashkëpunimit, vënë në pah një kuadër shumë më të ndërlikuar, që duhet shqyrtuar me më tepër vëmendje”.

Pjesëmarrësit

         Konferenca hapet me fjalën e ambasadores së Shqipërisë në Itali, znj. Anila Bitri, e cila do të reflektojë mbi “Skënderbeun dhe epokën e tij në gadishullin iberik në shekujt XIV-XVI”. Më pas do të flasin studiues nga Ankaraja, nga Napoli, nga Palermo, nga Kalabria, nga vetë Shkolla Spanjolle e nga Universiteti i Katalonjës. Të mirënjohur, studiuesit arbëreshë Matteo Mandala dhe Francesco Altimari.

Ja emrat e të gjithë pjesëmarrësve:

-         Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali, mban kumtesën me temë “Skënderbeu dhe epoka e tij në gadishullin iberik në shekujt XIV-XVI”.

-         Evrim Türkçelik, Universiteti i Ankarasë, flet për “Kryengritjen e Skënderbeut kundër Perandorisë Otomane”.

-         Gennaro Varriale, Universiteti i Napolit “Federico II”, mban kumtesën me temë “Kastriotët në Napoli: brezi i parë i mërgimtarëve pas Skënderbeut”.

-         Matteo Madala, Universiteti i Palermos, përqendrohet mbi “Një koncert të Zorzi-t, borizan venedikas në praninë e Skënderbeut”.

-         Francesco Altimari, Universiteti i Kalabrisë, flet për “Gjergj Kastriotin Skënderbeun në kujtesën historike të Arbërisë italiane”.

-         Rubén González Cuerva, IH-CSIC, mban kumtesën me temë “Skënderbeu në Spanjë: krijimi i një heroi kryqtar”.

26 nëntor 2018, 12:03