2018.11.01 Tutti i Santi 2018.11.01 Tutti i Santi 

Shenjtorët e javës 4 – 11 nёntor

Shenjt është Jezusi e atëherë kushdo, duke u bashkuar me të, mund t’i rrijë pranë, mund të shikojë, të dëgjojë e të prekë Zotin vetë. Shenjtorët na kujtojnë se dashuria është shpirti i jetës së krishterë. Historia e krishterë, është histori e shenjtorëve-ikonë, yje të ndritshme, në kupën e qiellit të Kishës.

R.SH. - Vatikan

E diele 4 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 31-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 4 nëntor kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë. Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

Të hënën më 5 tetor, kalendari përkujton shenjtorët Domninin, Teotinin me shokët martirë. Liturgjia e ditës së tyre na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.

Të martën më 6 nëntor,  kalendari përkujton shën Leonardin vetmitar. Liturgjia e kësaj së diele na fton e na ndihmon të meditojmë, të shpresojmë e të hyjmë në misterin e jetës përtej vdekjes. Njëra prej lutjeve për të vdekurit që na ofron Meshari Romak na kujton se: “Jeta nuk na është marrë, por është shndërruar”.
 
Të mërkurën më 7 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Erkolaun, shën Balbo-n dhe shën shën Ernestin. Liturgjia  e ditës na kujton se Zoti e bekon njeriun, që i do e i ndihmon me gjithë zemër vëllezërit, edhe pse i duhet të mbartë çdo ditë mbi supe kryqin e vet. Si mësuesi, ashtu edhe nxënësi. Kryqi është filli i kuq, që përshkon gjithë jetën tonë, bën pjesë në planin që ka Zoti për ne. Psenë e kësaj barre të rëndë që na vë mbi supe, duhet ta zbulojmë me lutje e reflektim.

Të enjten më 8 nëntor, kalendari përkujton shën Gofredin, shën Adeodatin I papë si dhe shenjtorët e Martirët, reliket e të cilëve pushojnë në paqe në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan. Të Lumin Gjon Dunks Skot. Liturgjia e kësaj të diele na paraqet dy vejusha për të na folur për mikpritje (Libri I i Mbretërve) e për bujari të përvujtë (Ungjilli).

Të premten më 9 nëntor, Kisha kremton festën e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit në Romë. Liturgjia na kujton se ky tempull është Katedralja e Ipeshkvit të Romës dhe Kisha nënë e të gjitha Kishave romake e, sidomos, se tempujt e ndërtuar nga duart e njeriut janë në shërbim të gurëve të gjallë, dmth të Kishës që secili nga ne është i thirrur ta ndërtojë në zemër të vet, së bashku me të gjithë vëllezërit. 

Të shtunën më 10 nëntor, kalendari Kishtar përkujton shën Leonin e madh, papë e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se po të ecim sipas shembullit të atyre që e morën seriozisht mesazhin ungjillor, duke flijuar jetën për të gjithë, mund të shpëtojmë nga çdo lloj skllavërie e të drejtohemi nga të mirat e amshuara, që na janë premtuar.

Të dielën e ardhshme më 11 nëntor, Kisha katolike do të kremton të dielën e 32-të gjatë vitit kishtare e, po më 11 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Martinin, ipeshkëv i Turit e shën Bartolomeun, abat i Grotaferratës. Liturgjia e kësaj dite na kujton se kush jeton për Zotin, dhuron gjithnjë me duar plot e nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.

04 nëntor 2018, 09:55