Kërko

 Protestat e islamistëve radikalë në Pakistan Protestat e islamistëve radikalë në Pakistan 

Rihapet çështja e Asia Bibit: nuk mund të largohet nga Pakistani

Qeveria pakistaneze, për t’u prerë hovin protestave të islamikëve radikalë, vendosi ta rihapë çështjen e Asia Bibit, duke e rikthyer pranë Gjykatës së Lartë. Gruaja nuk mund të largohet nga vendi. Ndërsa avokati i saj u largua. “Jeta ime - thekson- është në rrezik”.

R. SH. - Vatikan

Ndërlikohet, pra, përsëri, jeta e Asia Bibit, gruas katolike 47 vjeçare, nënë e pesë fëmijëve, e liruar nga burgu në Pakistan, pas dënimit me vdekje nga shkaku i një akuze të rreme për blasfemi e tetë vjetëve, kaluar në pranga. Tani autoritetet e ndalojnë të largohet nga vendi, duke e radhitur në një listë, që e nuk e lejon ikjen jashtë atdheut. Ky, rezultati i protestave të islamikëve radikalë, që për tri ditë e paralizuan qytetin e që dëshirojnë ta shikojnë gruan të varur në litar.

Marrëveshje për t’u dhënë fund protestave të radikalëve

Marrëveshja u arrit  ndërmjet qeverisë dhe partisë myslimane sunnite Tehreek-e-Labbaik Pakistan (Tip): Asia Bibi nuk mund të bashkohet me familjarët, që jetojnë jashtë vendit, derisa Gjykata e Lartë të mos e ketë rishikuar përfundimisht dënimin e saj - shpjegon Ministri i Punëve Fetare, Noorul Haq Qadri. - Sipas marrëveshjes, qeveria duhet t’i dëmshpërblejë viktimat e protestës e t’i lirojë manifestuesit e arrestuar këto ditë. Islamistët njoftuan se do t’i japin fund protestës kombëtare, por duke theksuar se “po të mos zbatohet marrëveshja, do t’i rifillojnë përsëri”.

Avokati i Asia Bibit detyrohet të ikë nga vendi

Ndërkaq Saiful Malook, avokati i gruas, i kërcënuar disa herë, u largua nga Pakistani, duke pohuar se jeta e tij është në rrezik, edhe pse për të nuk është marrë asnjë masë mbrojtjeje. Duhet të vijoj të jetoj - pohoi në agjencinë France press-  për ta vijuar betejën ligjore në mbrojtje të Asia Bibit. E prisja këtë reagim të ekstremistëve - shtoi - po çka më shqetëson më shumë, është qëndrimi që po mban qeveria. Nuk është në gjendje as të zbatojë një vendim gjykate!

03 nëntor 2018, 15:47