Kërko

 Ushtria pakistaneze mbron pakicat e krishtera Ushtria pakistaneze mbron pakicat e krishtera 

Pakistan: islamistët protestojnë për lirimin e Asia Bibit

Kërkohet rishikimi i procesit dhe ndalimi i largimit të Asia Bibit nga Pakistani. Policia ruan kishat dhe zonën ku jeton pakica e krishterë.

R. SH. - Vatikan

Ditë proteste në Pakistan, pas vendimit për lirimin e Asia Bibit nga burgu, ku kaloi tetë vjet, e dënuar me vdekje sipas ligjit mbi blafeminë, në pritje të ekzekutimit. Kujtojmë se ky ligj vijon të jetë në fuqi në vend. Islamistët radikalë kanë bllokuar autostradat, duke shkatërruar me dhjetra automobilë, për të bërë presion mbi qeverinë, që ta ndalojë lirimin e gruas. Manifestime të reja edhe sot, pas lutjes të së premtes, ndërsa  ushtria pakistaneze është mobilizuar në mbrojtje të pakicës së krishterë.

Përpjekje të reja nga ana e akuzës

Mohamed Salim, kadiu apo gjykatësi islamik e akuzuesi i parë i Asia Bibit për blasfemi në vitin 2009, me detyrën për të mbrojtur ligjin kuranik, i kërkoi Gjykatës së Lartë të Lahores ta rihapë procesin. “Gjykata e lartë e Pakistanit në Lahore, e pranoi këtë peticion” - shpjegon profesori Mobeen Shahid, themelues i shoqatës “Pakistanezët e krishterë në Itali”. “Duke vepruar kështu - pohon - çështja e Asia Bibit rihapet, por së paku tani për tani, nuk ka ndonjë urdhër arresti për gruan”.

Qeveria mbron  qëndrimin e saj

Mohamed Salim kërkoi, më pas, që gruaja të jetë në Ecl (Exit Control List), listë e njerëzve të cilëve u ndalohet largimi nga vendi. Gjithsesi - shpjegon akoma Mobeen Shahid - “mbrëmë u bë e njohur deklarata e Ministrit federal të informimit, i cili pohoi se qeveria nuk ka gisht në këtë kërkesë e se nuk e ka aspak në mend ta shkruajë emrin e Asia Bibit në   listën Exit Control”.

E gjithë kjo protestë e islamikëve shfren kështu mllefin, sepse tashmë Asia është bërë simbol i pakicave fetare në Pakistan. Pikërisht atyre njerëzve, që islamistët dëshirojnë t’i dëbojnë nga Pakistani, duke e radikalizuar edhe Kushtetutën e vendit.

02 nëntor 2018, 17:01