Kërko

Commemoration of the 9th November Commemoration of the 9th November 

Më 9 nëntor kujtojmë rënien e Murit të Berlinit: bota ka nevojë për ura, pohon Papa!

29 vjet më parë, qytetarët e Berlinit mundën të kalonin, më në fund, kufirin që ndante më dysh qytetin. Kjo ditë nuk shënon kështu, rilindjen e Evropës, ringjalljen e saj, daljen në dritë, nga rrënojat prej çimentoje e hekurishtash që, për mëse 30 vjet me radhë, ngujuan e ndanë vise e njerëz.

R.SH. - Vatikan

 “Që sonte, kufiri është i hapur”. Me këtë njoftim të kryetarit të Partisë Komuniste berlineze, Gunter Schabowsky, më 9 nëntor të vitit 1989, filloi prishja e Murit të Berlinit, simbol kryesor i Luftës së Ftohtë, ndërtuar në vitin 1961 nga regjimi i Walter Ulbricht-it.

29 vjet më parë, qytetarët e Berlinit mundën të kalonin, më në fund, kufirin që ndante më dysh qytetin. Kjo ditë nuk shënon vetëm bashkimin e tij - që do të sillte më pas edhe bashkimin e Gjermanisë – por edhe rënien e perdes së hekurt ndërmjet Lindjes e Perëndimit të Evropës e fundin e Luftës së Ftohtë.

Shqipërisë, që e mori vesh lajmin, si gjithnjë, përmes rrugëve të tërthorta, do t’i duhej të priste dhjetorin e vitit 1990 e manifestimet studentore që të gëzohej, së bashku me gjithë Evropën Lindore, për fundin e diktaturës komuniste.

“Të përhapet gjithnjë e më shumë kultura e takimit, e aftë të rrëzojë të gjitha muret, që akoma e ndajnë botën”. Me tweet-in e sotëm, Papa Françesku kujton 29-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Përkujtohet, kështu, dita e rilindjes së Evropës, e ringjalljes së saj, dalja në dritë, nga rrënojat prej çimentoje e hekurishtash që, për mëse 30 vjet me radhë, ngujuan e ndanë vise e njerëz.

Papa Françesku, duke folur gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot më 11 nëntor 2014, me rastin e 25-vjetorin të rënies së Murit të Berlinit, foli për ngjarjen e madhe, për shembjen e atij muri, të cilin e quajti: “simbol i ndarjes ideologjike të Evropës e të mbarë botës”:

“U shemb papritmas, pasi kjo shembje u bë e mundur përmes angazhimit të një mori njerëzish, që luftuan, u lutën, vuajtën, disa deri në flijimin e jetës, për t’ia arritur kësaj dite. Ndërmjet tyre, një rol protagonisti pati Ati i Shenjtë Gjon Pali II”.

Historia është mësuese e jetës e Papa Françesku i ngriti sytë nga muri, që nuk është më, për të kërkuar shembjen e të gjitha mureve, që vijojnë t’i ndajnë edhe sot e kësaj dite popujt me çimenton e formave të tjera të diskriminimit:

“Të lutemi që, me ndihmën e Zotit e bashkëpunimin e mbarë njerëzve vullnetmirë, të përhapet gjithnjë më shumë kultura e takimit. Kjo kulturë është e aftë t’i shembë të gjitha muret që e ndajnë edhe sot e kësaj dite botën e të mos ndodhë kurrë më që njerëz të pafajshëm të persekutohen e deri edhe të vriten për shkak të besojmës e të fesë së tyre. Ku ka mure, ka edhe zemra të mbyllura! Na duhen ura, jo mure!”.

Kjo thirrje plot ngazëllim e Papës Bergoglio, lidhej ngushtë me reflektimin, që i parapriu lutjes së Engjëllit të Tënzot,  dedikuar festës së Kushtimit të Bazilikës Lateranense, që kremtohet nga Kisha po më 9 nëntor.

Papa Françesku nënvizoi se kuptimi shpirtëror i kësaj feste duhet të jetë gjithnjë ai i unitetit, që përfaqëson kjo Bazilikë e shën Gjonit në Lateran për të gjitha bashkësitë e krishtera, si seli e hershme e Ipeshkvit të Romës. Papa Françesku vërejti se pikërisht “bashkimi i të gjitha Kishave”...:

“... për analogji, na nxit të angazhohemi që njerëzimi t’i kapërcejë kufijtë e armiqësisë e të indiferencës, të ndërtojë ura mirëkuptimi e dialogu, për ta bërë mbarë botën një familje popujsh të pajtuar, vëllezër solidarë”.

Duhen tulla, për të ndërtuar një Kishë, shpjegoi akoma Papa Françesku, por duhet shpirt, që këto tulla të marrin jetë në jetën e të krishterëve, gurë të gjallë, të thirrur, pohoi Papa Bergoglio, për detyrën e koherencës e misionin e dëshmisë së Ungjillit:

E nuk është e lehtë, e dimë të gjithë, koherenca e fesë dhe e dëshmisë; por ne duhet të ecim përpara e ta bëjmë këtë koherencë të përditshme në jetën tonë. ‘Ky është i krishteri!’. Jo për atë që thotë, por për atë që bën, për mënyrën si sillet. E këtë koherencë, që na jep jetë e që është hir i Shpirtit Shenjt, duhet ta lypim”.

Kisha, përfundoi Papa Françesku, është e thirrur të jetë në botë bashkësi që, e rrënjosur në Krishtin përmes Pagëzimit, shpall me përvujtëri e guxim besimin në Të, duke e dëshmuar edhe përmes dashurisë së krishterë.

09 nëntor 2018, 10:46