Versioni Beta

Cerca

Vatican News
processione Venerdi Santo e Veglia Pasquale processione Venerdi Santo e Veglia Pasquale  (ANSA)

Më 6 nëntor kalendari kujton Shën Leonardin nga Noblak, oshënar

Shën Leonardi nderohet në mbarë Evropën si Pajtor i minatorëve. U vu në shërbim të Shën Remigjit, që kishte lejen nga mbreti për lirimin e të burgosurve që do të takonte. Leonardi arriti të lirojë një numër të madh njerëzish që vuanin ndër pranga e t’i kthente në rrugë të mbarë.

R.SH. - Vatikan

Shenjti lindi në Gali në fillim të shekullit VI, në kohën kur sundonte perandori Anastas. Prindërit e tij ishin fisnikë e miq të mbretit Klodoveo, që e mbajti  Leonardin në pagëzim. U rrit i rrethuar nga kujdeset e familjarëve, që dëshironin të ndiqte karrierën ushtarake.

Por Leonardi nuk pranoi e u vu në shërbim të Shën Remigjit, kryeipeshkëv i Reimsit. Prelati kishte leje nga mbreti për të kërkuar lirimin e të burgosurve që do të takonte. Kjo leje iu dha edhe Leonardit, i cili arriti të lirojë një numër të madh fatzinjsh që vuanin ndër pranga e t’i kthente në rrugë të mbarë.

Kështu fama e tij nisi të përhapej kudo, aq më tepër kur, në vend që të pranonte dinjitetin ipeshkëvnor, ofruar nga mbreti Klodove, la gjithçka e u nis përmes pyjeve për të gjetur një strehë vetmitare.

Duke u endur pyjeve të Pavumit, takoi mbretëreshën, të cilën e kishin zënë papritmas dhimbjet e lindjes, në sa kthehej në kështjellë nga një shtegtim i gjatë. Lutja e shenjtit e ndihmoi ta kapërcente këtë situatë të vështirë e të nxirrte në dritë një djalë të bukur. Për t’i shprehur mirënjohjen, Klodoveu  i dhuroi Shenjtit një pjesë të pyllit.

Aty Leonardi ndërtoi kuvendin e dëshiruar, themeloi një uratore për nder të Zojës së Bekuar, lartoi një elter kushtuar Shën Remigjit e hapi edhe  një pus, që u mbush me ujë në mënyrë të mrekullueshme. Aty jetoi derisa vdiq në Noblak (Limozhë), më 6 nëntor të një viti të papërcaktuar, aty nga gjysma e shekullit VI. Nderohet në mbarë Evropën si Pajtor i minatorëve. 

06 nëntor 2018, 10:53