Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Shën Margerita e Skocisë, mbretëreshë e vejushë, shek. XII Shën Margerita e Skocisë, mbretëreshë e vejushë, shek. XII 

Më 16 nëntor kalendari kishtar kujton sot Shën Margeritën e Skocisë

Ndërsa përballonte punën për edukimin e fëmijëve e kujdesej për oborrin mbretëror, ajo nuk i harroi kurrë të varfërit, të vuajturit, të sëmurët e jetimët. Prandaj nënshtetasit e deshën shumë.

R.SH. - Vatikan

Shën Margerita e Skocisëmbretëreshë e vejushë, lindi në mërgim, pranë oborrit mbretëror të Shën Shtjefnit të Hungarisë, më 1046. Ishte bija e Eduardit mërgimtar dhe e Ages, motra e mbretëreshës hungareze dhe mbesa e mbretit Edmondi II. Në vitin 1054, së bashku me familjen, u rikthye në atdhe pas pushtimit të Anglisë nga normanët. Gjeti strehim në Skoci, pranë oborrit mbretëror të Malkolmit III, me të cilin u martua në vitin 1069.

Menjëherë pas martesës nisi të ndjehet fuqimisht ndikimi i saj në oborrin mbretëror skocez. Falë kulturës të jashtzakonshme dhe këshillave të vlefshme që i jepte të shoqit, vendi nisi të përparonte dukshëm. Nën mbrojtjen e saj u bënë disa reforma liturgjike, u ndërtua abacia e Trinisë në Dunfermlin, u rivendos praktika e agjërimit kreshmor dhe e kungimit për Pashkë.

Nga martesa me Malkolmin III pati gjashtë djem e dy vajza, të cilëve u dha një edukatë thellësisht të krishterë. Tre prej djemëve do të bëheshin mbretër të Skocisë. E ndërsa përballonte punën për edukimin e fëmijëve e kujdesej për oborrin mbretëror, ajo nuk i harroi kurrë të varfërit, të vuajturit, të sëmurët e jetimët. Prandaj nënshtetasit e deshën shumë.

Në vitin 1093 iu desh të përballojë një humbje të madhe: i vdiq bashkëshorti, Malkolmi III dhe trashëgimtari i tij, djali i madh, Eduardi, që u vranë në një pritë pranë Alnvikut. Duke mos mundur ta përballojë dhimbjen e thellë, mbretëresha u sëmur e vdiq pak kohë pas tyre. U varros në një varr me mbretin në abacinë e Dunfermlinit, ndërtuar prej saj. Shumë shpejt varri i mbretëreshës u bë cak shtegtimesh. U shpall shenjte në vitin 1249 nga Papa Inoçenci IV, ndërsa Pajtore e Skocisë, në vitin 1673.

16 nëntor 2018, 10:32