Versioni Beta

Cerca

Vatican News
San Leone Magno, Basilica di san Paolo fuori le mura San Leone Magno, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Me 10 nëntor kalendari kujton Shën Leonin e madh, Papë

Shërbëtor i së Vërtetës në Dashuri, teolog e bari i jashtëzakonshëm shpirtëror, ky me pak fjalë është portreti i shën Leonit të Madh. Papnia e Leonit të Madh, që zgjati 21 vjet mbetet një nga më të rëndësishmet në historinë e Kishës.

R.SH. - Vatikan

Kisha kremton, më 10 nëntor, Shën Leonin e Madh, njërin ndër Papët më të mëdhenj të historisë. Papa Leoni i Madh i dha autoritet Ipeshkvit të Romës, promovoi paqen në kohë të vështira, doktor i Kishës, sepse diti t’u qëndronte pranë besimtarëve me vepra baritore, bamirësie e me predikime.

Shërbëtor i së Vërtetës në Dashuri, teolog e bari i jashtëzakonshëm shpirtëror, ky me pak fjalë është portreti i shën Leonit të Madh. "Duhet t'i ngjasosh Bariut të Mirë, i cili shkon ta kërkojë delen e humbur dhe e sjell rishtas në grigjë, duke e mbartur përmbi shpatulla. Kështu duhet të veprosh me ata që kanë dredhuar rrugë, duke hyrë në shtigje të verbra, të cilat i çojnë larg së vërtetës. Duhet t'i rifitosh për Zotin përmes lutjeve të Kishës së tij".

Papa Leoni ia shkruante këtë letër Timoteut, ipeshkvit të Aleksandrisë, më 8 gusht të vitit 460 - një vit para se të vdiste - duke i dhënë këshilla që janë pasqyrë e vetë jetës së tij e duke treguar se ishte bari që nuk i dënonte delet rebele, por i kthente në vath me dashuri e vendosmëri. Mendimi tij përmblidhet në këto dy fragmente themelore: "Edhe atëherë kur duhet të qortosh, mos e humb kurrë dashurinë” e sidomos, mos harro se Krishti është gjithçka për ne, me Të mund t'i arrijmë të gjitha”.

Nuk është e rastit që Leoni i Madh, Papë e doktor i Kishës, përballoi Atilën, kryetarin e Hunëve, për të cilët shkruhej se ku vinte këmbën, nuk mbinte më bari, duke e bindur - i armatosur vetëm me kryqin papnor - të mos marshonte mbi Romën dhe të tërhiqej përtej Danubit. Ky Takim i vitit 452 pranë lumit Minçio mbetet edhe sot e kësaj dite një nga misteret e mëdha në historinë e Kishës.
Një nga papët më të mëdhenj, që e kanë nderuar Selinë romake. Me këto fjalë mund ta përshkruajmë figurën e Shën Leonit të Madh.

Roli i pasardhësit të Shën Pjetrit është unik në Kishë, sepse “një apostulli të vetëm iu besua, ajo që iu komunikua të gjithë apostujve”, është një nga fjalët e njohura nga predikimet më të bukura të Shën Leonit të Madh, ipeshkvit të parë të Romës me emrin Leon, Papës së parë, predikimet e të cilit kanë arritur deri në ditët tona. E nga këto predikime, kujtojmë edhe fjalën e mbajtur nga Leoni i Madh në Koncilin Kishtar në Kalçedoni, në vitin 451, i cili ngjalli aq shumë emocion e entuziazëm, sa Etërit e Kishës pohuan njëzëri se “ishte vetë Pjetri që fliste me gojën e Leonit”.

Posaçërisht nga ky fjalim, e nga të tjerë, mbajtur gjatë polemikës kristologjike të këtyre viteve, Papa Leoni vuri theksin mbi përgjegjësinë e Pasardhësit të Pjetrit, roli i të cilit është unik në Kishë, sepse një apostulli të vetëm iu besua, ajo që iu komunikua të gjithë apostujve, siç pohon Leoni në një nga predikimet e tij, mbajtur në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit. Tregon kështu, se ushtrimi i parisë së Pjetrit ishte i nevojshëm asokohe, ashtu siç është i nevojshëm edhe sot, për t’i shërbyer bashkimit, karakteristik për Kishën e vetme të Krishtit.

Leoni ishte predikatar i madh, që ndiqej me interes nga mijëra besimtarë. Ai posaçërisht u mësoi besimtarëve të asaj kohe – e fjalët e tij vlejnë edhe sot për ne – se liturgjia e krishterë nuk është kujtim i ngjarjeve të kaluara, por aktualizim i realiteteve të padukshme, që veprojnë në jetën e secilit. Ai ishte njeri i paqes e i dashurisë. Na mëson, kështu, rrugën në të cilën duhet të ecim: në fe, mësojmë dashurinë.

Papnia e Leonit të Madh, që zgjati 21 vjet mbetet një nga më të rëndësishmet në historinë e Kishës. E kjo, jo vetëm pse theksoi me forcë përgjegjësinë e pasardhësit të Pjetrit, por kryesisht sepse këtë përgjegjësi diti ta ushtrojë mrekullisht mirë, në Perëndim e në Lindje, duke ndërhyrë me maturi, vendosmëri e kthjelltësi, si përmes shkrimeve, ashtu edhe përmes legatëve të tij. Mbeti kështu në kujtesën e Kishës si Kryebari që vijoi ta kumtojë me sukses Ungjillin edhe në kohë tepër të vështira për Kishën, duke e lidhur ngushtë liturgjinë, me jetën e përditshme të të krishterëve.

10 nëntor 2018, 11:21