Jemen: një vajzë e vogël vdes nga uria. Simbol i tragjedisë në vend.
R. SH. - Vatikan
Vocrrakja Amal, me vdekjen e saj, duket sikur i kujton botës se 400 mijë fëmijë të tjerë jemenitë - shifra të Unicef-it këto - rrezikohen të pësojnë të njëjtin fat për shkak të mungesës së vazhdueshme të ushqimit. Ashtu si 11 milionë banorët e vendit, të cilët kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme, nga një botë që vijon t’i vrasë me indiferencën e saj!
Vrasja e fëmijëve të pafajshëm
“Në Jemen vijon vrasja e fëmijëve të pafajshëm, që askush nuk po luan as gishtin ta ndalojë. Askush nuk interesohet për t’i dhënë fund një lufte që, prej tre vjetësh, e ka shkretuar vendin, i cili po jeton “krizën më të keqe humanitare në botë”. Kjo, padia e bërë dje nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Guterres, i cili kërkoi “armëpushim të menjëhershëm”. Ojq-të nuk arrijnë të japin ndihmën e nevojshme, infrastrukturat janë të shkatërruara, ashtu si jetët e civilëve, që gjuhen me raketa nga kualicioni saudit i cili, me pretekstin për të ndaluar rebelët houthi, sulmon shkollat, spitalet, të pafajshmit, me bombat e ardhura edhe nga shtetet perëndimore, të cilat sot qajnë me lot krokodili para fotografisë së Amal! Në sa atje vijojnë të arrijnë armë të reja e njeriut i shkelen të drejtat deri në atë masë, sa të lihet të vdesë nga uria!