Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Shen Andrea Apostull Shen Andrea Apostull 

Festa shën Andreut apostull, ungjillëzues i shqiptarëve!

Shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre, që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.

R.SH. - Vatikan

Më 30 nëntor, kalendari Kishtar kremton Shën Andreun, Apostullin e parë që ndoqi Krishtin, dhe më vonë solli tek Krishti edhe vëllain e tij, apostullin e shenjtë Pjetër.

Po kush ishte Shën Andreu? Pas Pjetrit dhe përvojës së tij të jashtëzakonshme njerëzore e shpirtërore, edhe Andreu, peshkatar si i vëllai, Simoni, njeri plot fe e shpresë, dishepull i Shën Gjon Pagëzuesit, në kërkim të Mesisë, takohet me Krishtin. E menjëherë pas këtij takimi, vrapon te Simon-Pjetri për t’i thënë: “E kemi gjetur Zotin”. Ky është portreti i Shën Andreut, apostullit që do të gëzonte nderim të thellë në gjirin e bashkësive të para të krishtera, por mbi të gjitha, që do të kumtonte i pari Ungjillin ndërmjet grekëve, duke lidhur me një lidhje të posaçme dy Kishat: atë romake me atë bizantine.

Po kështu duhet të kujtojmë se sipas shën Gregorit Nazianzeni, që përmend 30 nëntorin si datën e festës së tij, Shën Andreu Apostul ka predikuar Ungjillin e Krishtit dhe ka sjell krishterimin edhe në Illiri, Epir, pra në trevat shqiptare e ndër shqiptarë.

Andreu, pra, qe i pari ndërmjet Apostujve, që u thirr për ta ndjekur Jezusin. Mbi këtë bazë liturgjia e Kishës bizantine e nderon me titullin Protóclitos, që do të thotë pikërisht ‘i thirruri i parë’. Sipas një tradite tepër të lashtë, është Andreu apostulli që ia kumtoi Jezusin botës greke. Pjetri, nga Jerusalemi, përmes Antiokisë, arriti në Romë për të ushtruar misionin e tij universal; ndërsa Andreu qe apostull i botës greke: ata, në jetë e në vdekje, i shikojmë gjithnjë si vëllezër të vërtetë – të lidhur me një vëllazëri që shprehet simbolikisht në lidhjen e posaçme të Selive të Romës e të Kostandinopojës, Kisha vërtetë motra.

Duke lexuar fragmentet e Ungjijve, që flasin për veprimtarinë apostolike të Shën Andreut, mund të njohim së afërmi personalitetin e Apostullit, realizmin e tij në shumëzimin e bukëve, kur flet për djaloshin që kishte shportën me bukë e peshq e vë në dukje se ishin tepër pak për të ngopur turmën. Ose kur, së bashku me Pjetrin, Jakobin e Gjonin, e pyet Jezusin për rrënimin e Tempullit, duke i krijuar kështu mundësinë të shqiptojë një fjalim të rëndësishëm mbi mbarimin e kohëve.

E duke e kujtuar këtë ngjarje, mund të arrijmë në përfundimin se nuk duhet të kemi frikë t’i bëjmë pyetje Jezusit por, njëkohësisht, se duhet të jemi gati t’i pranojmë mësimet që na jep Zoti, edhe kur na duken të çuditshme e të vështira. Është një mësim themelor ky, që Shën Andreu ua jep të krishterëve kur, në Patras, përballon vdekjen mbi kryq – mbi kryqin në formë iksi, të cilin ai nuk e shikon si një vegël torture, por si mjet të pakrahasueshëm për t’u bërë një me Krishtin.

Ne duhet të marrim prej këndej një mësim tepër të rëndësishëm: kryqat tonë fitojnë vlerë, në se i mbartim si pjesë të kryqit të Krishtit. Vetëm nga ky Kryq edhe vuajtjet tona fisnikërohen e fitojnë kuptimin e tyre të vërtetë.

Andreu Apostull na mëson ta ndjekim Krishtin me gatishmëri, t’u flasim me entuziazëm për Të të gjithë atyre që takojmë e, mbi të gjitha, të mbajmë kurdoherë një lidhje vërtetë familjare me Të, të vetëdijshëm se vetëm në Të mund të gjejmë kuptimin e fundit të jetës sonë e të vdekjes sonë.

Ky kremtim është ftesë për të rinovuar besnikërinë tonë ndaj mësimeve të Apostujve, duke e shpallur pa u lodhur fenë në Krishtin, me fjalë e me dëshminë e jetës.

Përmendim edhe një herë se shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre, që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.

30 nëntor 2018, 09:59