Kërko

Arkivoli me eshtrat e Mid'hat Frasherit del nga selia e parlamentit të Shqipërisë (Foto Arbian Dedej) Arkivoli me eshtrat e Mid'hat Frasherit del nga selia e parlamentit të Shqipërisë (Foto Arbian Dedej) 

Dy fjalë të thëna nga Mid’hat Frashëri – për Mid’hat Frashërin

Dy fjalë në kujtim të Mid’hat Frashërit: njeriut, eruditit, shërbestarit të Kombit.

Këto ditë një breshëri fjalësh ra, së bashku me dheun e atmes, mbi eshtrat  e Mid’hat Frashërit, këtij të vdekuri “të gjallë”, ardhur nga një udhëtim i gjatë. Shpresojmë, i fundmi. Fjalë të thëna prej tij në harkun e gjithë jetës, fjalë të dashamirëve e të kundërshtarëve….

Zgjodhëm, për ta përkujtuar, vetëm disa nga fjalët e Atij, që shumë e shanë, e nderuan me tituj, por që përdori të vetmin syresh, titull i cili nuk i shkonte kujt për shtat dhe as për mend; pikërisht titullin e shërbestarit të Kombit.

Kulti i Mëmëdheut

“Që kur mbaj mend – shkruan - kam dëgjuar në shtëpi fjalë mbi Shqipërinë, mbi të drejtat e saj, mbi kultin e mëmëdheut... Isha pesë vjeç kur e njoha për herë të parë tim atë, kur u fal prej burgut, por qe akoma i dënuarë me mërgim. Im atë fliste mirë, qe elokuent, i pëlqente bisedimi. Kështu që ca e nga ca, mëmëdheu mori për mua formën e një perëndie dhe kulti i tij mori për mua vendin e një besimi fetar. Po bashkë me adhurimin e tij dhe fare e pandarë zinte vent edhe çdo cep i pandarë i Shqipërisë, që mua më dukej si një trup i gjallë”.
“Ky besim fetar”, - shkruan sërish Mid’hati, - “kishte gjetur rastin të më hynte në zemër; kulti i tij gjente pra një vend fare të lirë që të zhvillohet dhe të rritet çpenguarë”.

Studime të thella

“Në moshën 12-13 vjeç brenda vitit që erdhëm së parit në Këzëll Toprak kam mësuar me të ndjerin babain tim Gjeografinë e përgjithshme, përfshirë atë të Azisë dhe Afrikës, dy volume. Edhe në moshën 13-14 vjeç përsëri po në Këzëll Toprak, vajta në shkollën e Fretënvet tetë muaj. Këtu studiova gramatikë, lexim letrar, arithmetikë, histori të shenjtë. Pastaj erdhi Merjemi, pat filluar dimri, bashkë me të mësuam nga një hoxhë me çallmë. Në frëngjisht kam zotësi e kompetencë të gjërë. Persishten e marr vesh. Arabisht kuptoj. Gjermanishten e lexoj edhe greqishten e lexoj”.
“Më ka kapur një pasion i madh për studimin, veçse po më shqetëson epshi i shumtë që kam e po më sjell pengime deri diku në studime të thella”.

Qëllimi i elitës: a mund të rrojmë, pa parë, pa vështruar, pa menduar, pa gjykuar, pa punuar?

“Elita, a nuk duhet të ketë për qëllim përmirësimin e vetes së saj, fitimin e virtytit, karakterit dhe diturisë? A është e mundur që njeriu, kjo krijesë, që i thotë vetes me mend, të rrojë e hequr zvarrë prej rrethanash materiale, prej dorës së verbër të ngjarjeve, pa ndjerë, pa manifestuar asnjë reaksion, asnjë sforcim, pa mbrojtur veten? A është e mundur të rrojë njeriu, të themi më mirë: të rrojmë ne, pa parë, pa vështruar, pa menduar, pa gjykuar, pa punuar? Ata që ngrihen makar dy gisht mbi nivelin ordiner, duhet të kuptojnë përgjegjësinë e tyre”.

Shqiptarë, larg nga jeta e kafeneve!

“Le të përpiqemi t’i prapsim pak shqiptarët nga jeta politike e kafeneve, t’i shtyjmë në studim dhe në merak për çdosënd që i përket Shqipërisë dhe shqitparizmës, sepse po qe se nuk e zgjuam dot një kult, një adhurim për çdo send që i përket kombit dhe tokës sonë, nuk mund të kemi as Shqipëri, as shqiptarë.”

S’bëhet gjë me smirë e urrejtje!

“Nuk bëhet gjësendi me smirë dhe urrejtje. Gjithë sa na sheh syri dhe na pëlqen, çdo send i mirë dhe i këndshëm bëhet me dashuri. Shpirti, zemra, mendja, duhen ushqyer me dashuri, me dhembshuri”.

16 nëntor 2018, 13:00