Giorgio Castriota Scandercg - eroe albanese - Gjergj Kastriot Skenderbeu Giorgio Castriota Scandercg - eroe albanese - Gjergj Kastriot Skenderbeu 

Prof. Domenico Morelli. Figura Gjergj Kastriotit Skёnderbeut te Arbёreshёt

Origjinaliteti njerëzor, biografik, kristian i Skënderbeut e kujtimi te arbёreshёt është i madh, simbol i vetëidentifikimit, i krenarisë kombëtare dhe i patriotizmit; ai përfaqëson idealin e ardheut të lirë e të bashkuar. Jo vetëm si simbol i lavdive të kaluara, por edhe të aspiratave të asokohshme e të realizimeve të ardhshme.

R.SH. - Vatikan

Dioqeza e Prizren-Prishtinës, e shënoi Vitin Jubilar të 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me një aktivitet dy ditor me kremtime liturgjike dhe programe të ndryshme kulturore, që u mbajtёn në Kishën Katedrale ‘Shën Nënë Tereza’ dhe në ambientet e Kuries së dioqezës së Kosovës, në Prishtinë.

Ndёr mysafirёt ishte edhe arbёreshi prof. Domenico Morelli, i cili foli pёr figurёn madhore tё Gjergj Kastriotit me temёn “Kujtimi i Skënderbeut ndër arbëreshë” dhe bёri paraqitjen e librit tё njё abёreshi tjetёr, Alessandro Serra Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut“ – përkthyer nga redakësia shqipe e Radio Vatikanit – Vatican News.

Nё vijim ju propozojmё fjalёn e prof. Domenico Morellit, disa mendime tё tij mbi lidhjen e arbёreshёve me figurёn e Gjergj Kastriotit Skёnderbeut, në kulturën dhe në jetën arbëreshe.

Prof. Domenico Morelli: Kujtimi i Skënderbeut ndër arbëreshë

 Falenderoj sinqerisht organizatorët për këtë Kuvend, që përkujton 550-vjetorin e vdekjes së Heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Origjinaliteti njerëzor, biografik, kristian i Skënderbeut është pa dyshim i madh, siç është e madhe “historia e ndikimeve” në ngjarjet e mëpasme të shqiptarëve, deri në ditët tona.

Prandaj, kremtimi i sotëm i vdekjes së tij është rast i volitshëm, jo vetëm e jo aq për ta riaktualizuar kujtimin e tij dhe trashëgiminë e pasur, që ka të bëjë me të, se sa për të ndërmarrë një dialog e konfrontim të ri ndërmjet tij, njerëzve dhe shqiptarëve të sotëm, me qëllim që t’i jepet mundësia të na flasë në një mënyrë të re, për shkak të pyetje-përgjigjeve të pabëra më parë.

Kujtesa e Skënderbeut mbetet e gjallë në shekuj, përmes kujtesës gojore dhe veprave të shkrimtarëve më të rëndësishëm jo vetëm shqiptarë: gati 400 janë edicionet e veprave historike e letrare, që i kushtohen atij në gjithë Evropën. Popujt e kërcënuar e të shkelur e ngjallnin sërish atë kujtim për t’u frymëzuar në mbrojtjen e vlerave të tyre më të larta e më të pavdekshme.

 Skënderbeu është personazh i ndërlikuar, përshkruar si kalorës i rrezikshëm nga armiqtë, por lartuar si hero në luftën kundër otomanëve: mite e legjenda kanë lindur rreth figurës së tij, me pasqyrime veçanërisht të rëndësishme në letërsi, në pjesë teatrale e kinematografike.

Dua të ndaj me ju disa mendime mbi figurën e Skënderbeut në kulturën e në jetën e arbëreshëve.

Forca e lidhjeve ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë i ka rrënjët thellë në histori, në afërsinë gjeografike, në shkëmbimet shekullore kulturore e tregtare, në bashkësinë e shumënumërt shqiptare, që përfaqëson bashkësinë e dytë të huaj në Itali.

 Këto lidhje u mbajtën gjallë nga bashkësia arbëreshe në Itali, e cila, gjatë shekujve, ka krijuar shpesh qendra jetësore interpretimi kulturor, që kanë dhënë kontribut themelor si në kulturën e atdheut të origjinës, ashtu edhe në kulturën italiane, për të cilën, pluralizmi i përvojave kulturore të pakicave, në vend që të jetë faktor fragmentimi dhe shpërbërjeje, ka qenë dhe është burim i vazhdueshëm i kontributeve dhe i stimujve origjinalë, që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të indit të vetë identitetit kombëtar.

Deti Jon nuk ka qenë pengesë, por faktor bashkimi ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, një kufi “i lëngshëm - likuid”, i cili, përgjatë shekujve, ka shërbyer për shkëmbimin jo të vogël të mallrave e të njerëzve, pra, edhe të kulturave.

Emigrimi më i madh i shqiptarëve në Itali është realizuar në një hark kohor, që përshkon tre shekuj, nga gjysma e shekullit XV në gjysmën e shekullit XVIII, por nga dokumentet dihet se kalime grupesh sporadike të shqiptarëve në Itali kanë ndodhur edhe para pushtimit otoman, saktësisht, më 1272, më 1388 e më 1393. Para emigracionit të vërtetë, pas vdekjes së Skënderbeut (1468), kalimi i shqiptarëve në Itali ishte vërejtur edhe më parë, sidomos për arsye ushtarake, por edhe për arsye historiko-politike e për arsye të kuptueshme gjeografike.

Një element i padiskutueshëm bashkimi në grupin e të mërguarve të rinj ka qenë feja e krishterë, riti i së cilës, bizantin i gjuhës greke, shpesh, i ka ngatërruar me grekët. Edhe sot e kësaj dite, është një nga tiparet karakterizuese të etnisë shqiptare, që e dallon si nga popullsia italiane, ashtu edhe nga shqiptarët e mbetur në atdhe, shumica e të cilëve u kthyen në myslimanë.

Emigracionet arbëreshe nga Shqipëria e nga Morea drejt Mbretërisë së Napolit u karakterizuan nga prania e papàsve (priftërinj të ritit bizantin), të cilët, në forma të ndryshme, ndoqën grupet e familjeve, që zhvendoseshin nga toka e origjinës drejt vendeve të tjera.

Nën aspektin e kujdesit fetar, Kisha Katolike e Romës, me themelimin e Kolegjit Grek të Romës (Papa Gregori XIII, 1577), u rezervonte atyre disa vende falas për formimin e klerit: meshtari i parë, që ka studiuar në Kolegjin grek është Lukë Matranga, i cili, në vitin 1592, botoi katekizmin arbëresh “E mbësuame e Krështerë”.

 Duhej të vinte shekulli XVIII, me dy Kolegjet në Kalabri, i pari “Corsini” në Shën Benedikt Ulano (CS) e më pas, Seminari greko-shqiptar i Palermos, që të kishim një ofertë studimesh më të përshtatshme e të shtrira për një numër më të madh studentësh. Edhe këto dy institucione, që në statutet themeltare, e zgjeronin vështrimin drejt diasporës dhe zonave të prejardhjes së popullsisë arbëreshe. Këtu mendja të shkon edhe në misionet e bazilianëve në Himarë (Jugu i Shqipërisë), në shekullin XVII e XVIII, kur nga Manastiri i Grotaferrata-s e nga ai i Mezzoiuso-s shkuan pikërisht në zonën e Himarës disa murgjër arbëreshë, të cilët, më vonë, u emëruan ipeshkvij të Durrësit (imzot Zef Skirò, 1736) dhe të Ohrit (imzot Bazil Matranga, 1726).

Kisha është përpjekur gjithnjë të jetë pikë referimi për emigrantët, për t’i mbështetur ata në udhën e vështirë si qytetarë të botës, por, njëkohësisht, edhe si trashëgimtarë të një kulture, që përfaqëson bazën e identitetit laik e fetar.

Siç nënvizova, një nga aspektet e traditës arbëreshe është transmetimi i saj, që lidhet, gati ekskluzivisht, me formën gojore, pavarësisht se sasia e dokumenteve në arbërisht për gjuhën e traditat është e rëndësishme. Aspekti i parë, që shihet qartë në kulturën dhe traditën e bashkësive arbëreshe, është respekti i thellë për mikun: shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, i cili nderohet, duke i ofruar ushqime të thjeshta. Ky zakon ndiqet akoma në malet e Shqipërisë. Gjithsesi, bashkësitë arbëreshe sillen me rezerva me të huajt, që i quanin latinë (lëtirë), të cilët, deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar nuk mund të hynin lehtë në qendrat arbëreshe.

Motive të traditës popullore gjenden në literaturë, që i filloi pikërisht prej saj, hapat e para. Elemente të tjera strukturore të kulturës arbëreshe të zanafillës kanë mbërritur deri në ditët tona, përmes një historie shekullore dhe e ruajnë akoma forcën e përfaqësimit të vlerave të organizimit të bashkësive. Ato janë: vatra, qendra e parë rreth së cilës lëviz familja; gjitonia(fqinjët), rrethi i parë shoqëror jashtë shtëpisë, element vazhdimësie ndërmjet familjes e bashkësisë; vëllamja(vëllazëria), rit i lidhjes së ngushtë shpirtërore; besa ndaj fjalës së dhënë, rit i hyrjes në shoqëri me detyra të mirëpërcaktuara për t’u qëndruar besnik impenjimeve. Vetëdija e fuqishme për identitetin e ndryshëm etniko-gjuhësor është gjithnjë e pranishme në folklor. Në të gjitha format e ndryshme të folklorit del në pah gjithnjë kujtesa e vazhdueshme e atdheut të origjinës dhe këngët, popullore a fetare, legjendat, tregimet, proverbat, janë mbrujtur me një frymë të fuqishme bashkimi e solidariteti etnik.

Temat e zakonshme të kulturës tradicionale shqiptare janë malli për atdheun e humbur dhe kujtimi i veprave legjendare të Skënderbeut, hero i njohur nga të gjitha bashkësitë shqiptare nëpër botë, si edhe tragjedia e diasporës pas pushtimit turk.

Por mbi të gjitha mitet, akoma mbizotëron ai i Skënderbeut.

Gjestet e tij heroike u përçuan në tokën italiane nga mërgimtarët, përmes burimeve të shkruara e atyre gojore, si biografi, poema, këngë epike, vepra letrare, shumicës së të cilave, edhe sot, nuk u është shkundur akoma pluhuri i fondeve të bibliotekave, si publike, ashtu edhe private.

  Kujtimi i heroit, gati i humbur në Shqipëri, por besnikërisht i gjallë në këngët e bashkësive shqiptare, mundi të shndriste sërish para popullit në atdhe, të cilit i ishin errësuar sytë nga pushtimi 5-shekullor. Ato rapsodi të mrekullueshme, që i thurnin lavdi gjesteve të heroit, u trashëguan gojarisht për shekuj me radhë, deri sa Jeronim De Rada, poeti më i madh arbëresh, i mblodhi në fillim të shekullit të Nëntëmbëdhjetë dhe ua bëri të njohura të gjithë bashkëkombasve e studiuesve të huaj.

- Cikli i Skënderbeut, në të cilin përjetohen gjestet e Mbrojtësit të Madh të Perëndimit u rikompozua nga De Rada, duke shfrytëzuar dëshminë e gjallë e zërin e të moshuarve të fshatit të tij.

“Këgë shumë të bukura - siç shkruan Ernest Koliqi – në të cilat shndrisin vetëtima flakë të kuqe e iskra të arta, që të kujtojnë artin e mozaikëve bizantinë”.

  Jeronim De Rada e ngre lart Skënderbeun, jo vetëm si simbol të lavdive të kaluara, por edhe të aspiratave të asokohshme e të realizimeve të ardhshme.

  Si pionier i lëvizjes së rilindjes, De Rada ka meritën e mishërimit të idesë së lirisë së mëmëdheut në figurën e Skënderbeut. Në aspiratat konfuze të një populli, në të cilin pushtimi shumëshekullor otoman kishte mbjellë me marifet urrejtje dhe përçarje ndërmjet feve dhe rajoneve, ai bëri të shndrisnin veprat, që në shekullin XV zgjuan admirimin e gjithë botës, veprat e shqiptarëve, që luftonin të bashkuar, me një hov epik heroizmi. Ua hoqi fuqinë ngjarjeve të trishta të pesë shekujve skllavërie të errët, duke e rilidhur të ardhmen me të kaluarën e, duke ua treguar shpëtimin vëllezërve të një gjaku përtej Adriatikut në qytetërimin perëndimor, nga gjiri i të cilit i kishte shkëputur një fat historik më i fuqishëm se vullneti i tyre.

Kjo ide themelore – mbi të cilën u bazua më pas edhe Naim Frashëri, poeti mysliman, që i mësoi shumicës së shqiptarëve të dallojnë ndërmjet përkatësisë fetare dhe përkatësisë etnike – qe boshti i veprimit të patriotëve. Hija e rëndë e Skënderbeut gjeti vend, gjithnjë e më e shndritshme, në të gjitha përpjekjet kryengritëse për të hedhur poshtë zgjedhën aziatike. Kështu, ai lajtmotiv i poezisë deradiane bëhet impuls jetësor i krejt rilindjes së trazuar shqiptare, duke penguar afirmimin e çdo lloj synimi për t’i dhënë vendit, sapo të çlirohej, struktura shtetërore me baza fetare apo rajonale anakronike. Përveç kësaj, Poeti besonte gjithnjë në këndvështrimin e tij të gjerë teologjik, se eksodi i shqiptarëve në Itali dhe mrekullia e ruajtjes së traditave të të parëve në Itali ishin vepër e Provanisë Hyjnore. Arbëreshët kishin sjellë nga mëmëdheu rapsodi mallëngjyese , në të cilat kremtohej mbreti pa kurorë, Skënderbeu, i cili, për shekuj me radhë, mbretëroi mbi shpirtin e tyre.

ùDuke e lidhur mendërisht figurën e Skënderbeut me veçoritë e jetës arbëreshe, me gjuhën e me traditat e tij, De Rada ndjeu dhe u bind se ishte i paracaktuar nga Provania Hyjnore për të përdorur epopenë e për të vazhduar veprën e bashkimit të “Gjakut tonë të shprishur”. E këtu, Poeti bëhet bard (rapsod), pra, Poet e Profet. Që nga ky çast, ai impenjohet në rilindjen shqiptare. Bardi ëndërronte një Arbër të rithemeluar mbi bazat e tij shpirtërore, pra, një Shqipëri ideale, ashtu siç përshkruhej në rapsoditë e shekullit XV, mbledhur prej tij: një atdhe të krishterë, përtërirë nga trashëgimia e çmuar, ruajtur nga shqiptarët e Italisë. Stërnipat e ushtarëve të Skënderbeut duhej t’i kthenin tokës së origjinës flamurin e lavdishëm të traditave të shpëtuara përmes eksodit nga furia e jeniçerëve.

Feja në Zotin e në botën shpirtërore janë dëshmuar gjerësisht edhe nga vetë Skënderbeu.

Në këngën e pestë të librit II (ndërsa është në frontin e ushtrisë otomane), duke diskutuar me një shqiptar, pohon se vetëm në atdhe do të gjente ngrohtësinë e gjuhës atërore dhe frymën e Birit të Zotit, Jezu Krishtit.

Skënderbeu beson thellësisht në Zotin e në gjithëpushtetin e Tij, në ndihmën, që mund t’i japë për t’u kthyer në atdhe e për të plotësuar detyrën ndaj njerëzve të vet. Prandaj, themelore është fjala, vullneti i Zotit.

“Tek Skënderbeu, De Rada - kuptohet duke lexuar poemën e tij - nuk admironte aq njeriun e guximshëm, virtyt i zakonshëm ndër shqiptarë, as strategun e zotë, se sa krijuesin e idesë së vëllazërimit, atë që kishte ndezur zjarrin e shenjtë në vatrën e madhe të fisit, që u kishte mësuar njerëzve të lidhur nga i njëjti gjak e nga e njëjta gjuhë të konsideroheshin bij të së njëjtës nënë”.

 (Ernest Koliqi, Esse të letërsisë shqiptare, Olschki Editore, 1971, faqe 109)

Një autor tjetër arbëresh, ndoshta pak i studiuar, papas Bernardo Bilotta, i kushton Skënderbeut një vepër të veçantë, “Shpata e Skanderbekut”, përveç përmendjes në himne patriotike për pavarësinë e Shqipërisë dhe në poezi të tjera.

Skënderbeu e tërheq Bilotta-n, sepse është i pranishëm në rapsoditë atdhetare të fshatit të tij Frascineto (Frasnitë), që këndohen në tri ditët e festës së Pashkëve në bashkësinë arbëreshe.

Duke e zgjedhur për t’ua treguar shqiptarëve si model në luftën kundër turqve, Bilotta e paraqet sërish, pas 4 shekujsh, mitin e Skënderbeut akoma të gjallë, si i vetmi hero, që mund t’i bashkonte shqiptarët. Në emër të tij, shqiptarët do të gjenin bashkimin, guximin dhe forcën morale për të luftuar për pavarësinë e atdheut.

Vallet arbëreshe, apo “vallje”, të lidhura me kremtimet e Pashkëve e me raste të tjera feste, ekzekutohen nga gra të vendosura në gjysëmrreth dhe të shoqëruara me këngë me përmbajtje epike, që tregojnë për rezistencën kundër turqve, tregojnë histori dashurie dhe vdekjeje. Më e famshmja ndër këto këngë epike, Kënga e Skënderbeut, që këndohet të martën e Pashkëve, përkujton rrethimin e tretë turk të qytetit të Krujës. Shumë popullore janë rapsodia “Kostantini i vogëlth”, e njohur në Shqipëri si ballada e “Ago Ymerit”, tema e së cilës është njohja e bashkëshortit pas shumë vitesh; si edhe ajo e “Kostantinit dhe Garentinës”, rapsodi e përhapur në gadishullin ballkanik, botuar në përmbledhjet e folkloristëve të ‘800-ës, sugjestionet e të cilëve frymëzuan letërsinë e parë romantike evropiane.

Lidhja e fuqishme e shkrimtarëve arbëreshë me botën, së cilës i përkisnin e me traditën letrare gojore, konsolidohej për dy arsye. Ata e njihnin përsosurisht këtë botë dhe i shkruanin veprat, së pari, për arbëreshët, si përftuesit kryesorë të krijimeve të tyre letrare.

Përveç kësaj, tradita letrare gojore arbëreshe ishte e pasur si art i fjalës, si sistem shprehimor artistik. Për rrjedhojë, me qëllim që veprat e tyre të shkruara të kuptoheshin, të pranoheshin gjerësisht e vazhdimisht e të ushtronin ndikim tek përftuesit e tyre, poetët arbëreshë, shpesh, krijonin mbi bazën e poezisë gojore. Kështu, disa prej tyre si Bazili, Skiroi, Dara i Riu arritën t’ua atribuonin veprat e tyre të shkruara traditës gojore, pra, burimit gojor.

Këto lidhje të veprave të letërsisë së shkruar me ato të letërsisë gojore arbëreshe dëshmohen edhe nga një fenomen tjetër i rëndësishëm. Vërtet, një pjesë e veprave të shkruara nga poetë arbëreshë si Jeronim De Rada, Zef Serembe, Françesk Anton Santori, Zef Skiroi, janë mësuar përmendësh nga arbëreshët dhe kanë vazhduar të ekzistojnë edhe përmes transmetimit gojor, cilësi tipike e veprave letrare gojore. Në këtë mënyrë, veprat letrare të shkruara, falë artit të tyre të madh, përmes mënyrës së dyfishtë të komunikimit, me shkrim e me gojë, ushtruan një ndikim të madh për ruajtjen dhe pasurimin e kulturës arbëreshe.

 Duke reflektuar mbi këtë temë, më vijnë ndërmend fjalët e FAN S. NOLIT:

 “Skënderbeu ishte frymëzuesi ynë gjatë viteve të para e të lodhshme, që shoqëruan lindjen e Shqipërisë. Skënderbeu frymëzoi poetët, historianët, skulptorët tanë. Ai na frymëzon edhe sot. Nganjëherë, pyes veten, i mahnitur, nëse ka ndonjë njeri tjetër, po aq i gjallë sa Skënderbeu”.

Mitizimi i Skënderbeut ka qenë, do të thosha, gati një akt i detyrueshëm për bashkësitë italo-shqiptare. E origjina e tij, në nivelin e pavetëdijshëm, duhet kërkuar larg në kohë, ndoshta, në periudhën pas mërgimit të parë të madh të shqiptarëve, atij të shekullit XV, pra, në një periudhë menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, kur duhej me çdo kusht një spirancë shpëtimi, që ta ruante e ta mbante të bashkuar popullin në ikje.

Nëse e interpretojmë në diakroni evolucionin e mitit të Skënderbeut – gur i vërtetë kilometrik në krijimin e identitetit shqiptar – nuk është pa vend të përmendim perspektivën mitformuese të tij: falë mitit të luftëtarit të vlefshëm, ngritur në qiell pa masë nga humanistët italianë e i thirrur nga turqit me emrin e Aleksandrit të Madh, Skënderbeu përbën provën dokumentore të origjinës së lashtë të shqiptarëve: emri i tij u bë garanci për një origjinë historike të padiskutueshme, duke vërtetuar, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, vazhdimësinë e historisë së “racës” shqiptare, që nga fazat e lashta të historisë ballkanike e deri në mbërritjen e arbëreshëve në Itali. Ishte fjala për provën e një pranie cilësore në historinë e Perëndimit e të Lindjes, që me një goditje të vetme, zgjidhte problemin e integrimit me perëndimin dhe të rizbulimit të origjinës në lindje. Jo më kot, miti i Skënderbeut i reziston kohës edhe sot, pavarësisht nga këndvështrime serioze, që nga më se një anë, i kundërshtojnë origjinën, përhapjen e, sidomos, funksionin e përcaktimit të identitetit. Në çdo shesh të bashkësive arbëreshe, lartohet busti i heroit kombëtar.

Dua të paraqes këtu, dëshminë e një murgu benedektin, Raymund Nethammer, i cili i ka vizituar shqiptarët e Kalabrisë, në vitin 1904. Kur ndodhej në Shën Mitër Koronë, merr një karrocë për të vizituar fshatrat përreth e atëherë, na tregon:

“Sapo kishim dalë nga fshati e, pa pritur më gjatë, plaku fjalëshumë e kishte çuar tashmë, me gjithë qejf, bisedën tek heroi i madh kombëtar, Skënderbeu. Ai fliste me kaq shumë entuziazëm e më kaq qartësi për veprat e këtij heroi të shqiptarëve, sa që mund të besohej se ky lloj bardi i moshuar  kishte qenë shqytari i heroit në të gjitha betejat e tij të ashpra kundër turqve. E pra, betejat dhe fitoret e trimit Gjergj Kastrioti, që quhet edhe Skënderbeu, u bënë në gjysmën e shekullit XV”.

(Raymund Nethammer, Tra gli albanesi di Calabria, Il Coscile, 2003, faqe 10).

Siç dihet, arbëreshët kanë pasur një rol qendror në ngjarjet e bashkimit të Italisë. Është peshë shumë më e madhe, në proporcion, në krahasim me atë demografike. Patriotët arbëreshë kanë luftuar për bashkimin e Italisë. Arbëresh ishte Agesilao Milano, që pasi u rekrutua në ushtrinë e borbonëve, për t’iu afruar mbretit të Napolit, u përpoq të vriste Ferdinandin II, në vitin 1856 e, së fundi, u ekzekutua. Arbëreshë ishin shumë prej djemve, që humbën jetën në sulmet kalabreze në emër të flamurit tringjyrësh, si për shembull, Raffaele Camodeca, i ekzekutuar, ashtu si vëllezërit Bandiera, në luginën e Rovitos. Arbëreshë ishin 500 banorët e Ungrës (Lungro në italisht) (hiq të moshuarit, gratë e fëmijët dhe një ndër tre meshkuj) që u bashkuan me marrshimin garibaldin mbi Napolin. Arbëresh, siç shpjegon Sergio Romano, ishte Françesk Krispi, garibaldin e pastaj, president i Këshillit të Italisë së bashkuar.

Si është i mundur gjithë ky përkushtim ndaj Italisë? Nga vinte gjithë ky patriotizëm? Përgjigjja nuk është e thjeshtë. Ndoshta, peshoi armiqësia me Borbonët. Ndoshta, vendimi i shqiptarëve, siç kujton Carmine Abate, “për të mos qenë bashkësi e mbyllur në vetvete, përkundrazi, tradicionalisht e hapur”. Ndoshta, depërtimi i idealeve liberale e laike, sigurisht, më i madh në klasat drejtuese arbëreshe, se sa në ato, shpesh, ngushtësisht konservatore, të Kalabrisë bornone. Ose ndoshta, dy mitet e patriotëve arbëreshë – Garibaldi dhe Skënderbeu – thoshin gjithçka: dashuria për atdheun e zgjedhur ishte e njëjtë me atë për atdheun e lënë.

Në fakt, patriotë arbëreshë si Lorekio, Kamilo Vakari, De Rada, Zef Serembe, Vinçenc Dorsa, Mikel Shkodra, Guljelm Toçi, gjenerali Damis, koloneli Skiro dhe të tjerë, pasi përfundoi bashkimi i Italisë, iu kthyen pavarësisë së Shqipërisë e me shpallje, me letra, libra, revista, konferenca, mobilizuan, në fillim të shekullit XX, opionin publik, që të vepronte për të sensibilizuar qeverinë italiane, duke e nxitur të mbante qëndrim të prerë për çështjen e vëllezërve shqiptarë.

Heroi është ai, që krijon një ide vëllazërimi ndërmjet gjithë shqiptarëve, të lidhur nga e njëjta gjuhë e bij të së njëjtës nënë.

Kështu, ndërsa bashkësitë, në përgjithësi, i dobësojnë veçoritë e identitetit të tyre, arbëreshët, gjatë shekujve të kaluar, i rivlerësuan mitet e lashta, të cilat i kanë dhënë jetë një letërsie “zhanri”, e aftë të krijojë një venë autonome, që ka në qendër perceptimin e këtij identiteti vetjak.

Në të vërtetë, është fjala për kremtime modelesh letrare e shoqërore – nëse jo të pavlefshme, së paku, jo dhe aq të bazuara në fakte – të përqendruara mbi vlerën e fjalës së dhënë, mbi familjen e mbi vlerat bashkuese të saj, sublimuar, në më të shumtën e rasteve, në kërkimin e gjithanshëm të rrënjëve vetjake, që, përmes këtyre modeleve kulturore, imponojnë rizbulimin e një sistemi vlerash të kodifikuara.

Gjithsesi, nëse shohim përkujtimet e kaluara të kësaj ngjarjeje, vërejmë se, në emër të Skënderbeut, janë bërë një sërë nismash.

Në vitin 1968, bashkësia jonë arbëreshe ka qenë në qendër të një sërë ngjarjesh, me ndikim në shkollë, në toponomastikën e fshatrave e në propozime ligjesh për mbrojtjen e arbëreshëve.

Duket e qartë se për shqiptarët, etni që jeton e ndarë ndërmjet gjashtë shteteve sovrane, heroi kombëtar, Skënderbeu, është simbol i vetëidentifikimit, i krenarisë kombëtare dhe i patriotizmit; për shumë vetë, ai përfaqëson idealin e ardheut të lirë e të bashkuar.

Sot që pakica arbëreshe mbrohet me ligj, duhet t’i ndiejë më shumë veçoritë e veta për t’i vlerësuar ato. Jo duke pritur mbështetje e ndihma nga jashtë, por duke u bazuar me forcë në historinë e vlerat e saj, që kanë qenë ylli polar i veprimit të shumë shqiptarëve në botë.

Megjithatë, pavarësisht nga ky rizgjim interesi, shëndeti i kulturës arbëreshe nuk është i mirë: presioni i ushtruar nga kultura dominuese, ajo italiane, po e absorbon kulturën e pakicës arbëreshe. Era e shndërrimeve dhe e kontakteve gjithnjë e më të shpejta ndërmjet elementit italian dhe elementit arbëresh fryn me furi dhe priret të fshijë identitetet lokale.

Duket se gjendemi para dy fenomeneve të kundërta: i pari është prirja, prerogativë e një elite intelektualësh dhe të apasionuarish, që i kushtohen me impenjim e përkushtim vlerësimit të kulturës amtare në fshatra të ndryshme arbëreshe; i dyti përfaqësohet nga avancimi masiv i kulturës italiane, që shpërbën, duke e absorbuar, atë arbëreshe, e cila nuk i ka mjetet e përshtatshme për një zhvillim institucional, organik e sistematik. Duke mos ekzistuar më transmetimi tradicional i kulturës arbëreshe, që në të kaluarën bëhej përmes familjes e sheshit apo bashkësisë, nëse nuk do të kujdesemi për ta zëvendësuar me arsimimin e institucionalizuar e të detyrueshëm, me të njëjtat prerogativa me kulturën dominuese italiane, rrezikojmë një dobësim të vazhdueshëm deri në zhdukje.

Një fenomen interesant ka ndodhur gjatë viteve të fundit: gjuha arbëreshe, e cila është konsideruar gjuhë vetëm për komunikime familjare dhe popullore, përdoret, nga disa pionierë, edhe nëpër konferenca e në kuvende, pra, në komunikimet më impenjuese e më prestigjoze, që mbahen në fshatrat arbëreshe. Kjo ndihmon për t’i dhënë prestigj gjuhës arbëreshe dhe e vë atë në provë për të shprehur koncepte abstrakte e të rëndësishme.

Si përfundim, mendoj se po të merreshin masa në vijën, për të cilën fola, gjuha dhe kultura arbëreshe kanë perspektiva të mira për t’i rezistuar rrezikut të zhdukjes dhe mundësi për një zhvillim të vërtetë, sepse përfaqësojnë një pasuri të vërtetë jo vetëm për shtetin italian, në të cilin bëjnë pjesë, por për të gjithë botën shqiptare.

Kujtimi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, edhe sot, mund të shërbejë si motivacion.

 Shkëlqesia e Tij, imzot Donato Oliverio (ipeshkëv i Eparkisë së Ungrës së italo-shqiptarëve të Italisë kontinentale) shkruan kështu në parathënien e veprës së Attilio Vaccaro, “Studi storici su Giorgio Castriota Scanderbeg”:

 “Skënderbeu, në një çast tragjikisht të vështirë për njerëzit tanë, diti të realizonte ndërmarrjen më të madhe e më të bukur, bashkimin e popullit shqiptar, duke e kthyer në barrierë kundër valëve otomane, që kërcënonin jo vetëm kombin shqiptar, por gjithë Evropën e krishterë. Feja në Krishtin e shndriti heroin tonë dhe i mbajti krahun. E për atë fe, Ai dhe Paraardhësit tanë, shokë me të në këto vepra të lavdishme, luftuan, vuajtën dhe vdiqën. Prandaj, me të drejtë, Papët e Romës e quajtën Skënderbeun ‘Athleta Christi’ (atlet i Krishtit) dhe popullin shqiptar ‘kështjellë e të krishterëve’”.

Nevoja për të rezistuar si arbëreshë shfaqet në forma të shumta e të ndryshme. Ajo gjen vend edhe në poezitë fetare, në të cilat poetët bëjnë thirrje për ndihmën hyjnore, nganjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë, si, për shembull, poeti Zef Skiroi, që i drejtohet Zojës, Nënës së Krishtit, me titullin “Mburoja e Shqipërisë”, që të mbrojë arbëreshët, t’u ruajë fenë dhe botën kulturore e, pikë së pari, gjuhën me të cilën ata i luten Zotit, siç bënë të parët e tyre dhe heroi i heronjve, Skënderbeu.

O mburonjë e Shqipërisë

 Virgjëreshëz e dëlirë,

 Mëma e lartë e Perëndisë

Çë na jep këshillë të mirë;

Ti, çë ruajte Gjyshrat tanë

Të mos zbirjën shejten besë,

Te ku ndodhen edhe janë,

 Arbëreshvet kij kujdes.

 

Sot edhe si kurdoherë

 një dëshirë ka zëmbra jonë,

arbëresh e të krështerë të qëndrojmë për gjithmonë.

 Sa t'i falemi t'in Zoti

Po me gluhën çë na dha,

Po si i falej Kastrioti

E gjëria nga zbresjëm na.»

Tu che proteggesti i nostri avi,

affinché non perdessero la santa fede;

dovunque si trovino e dovunque siano,

abbia cura degli Albanesi.

Cosi oggi, come in ogni tempo,

un solo desiderio ha il cuor nostro:

Albanesi e cristiani

di conservarci per sempre;

per poter adorare Iddio

con la lingua che egli ci diede;

così come lo adorava il Kastriota

e il parentado dal quale noi discendi

(Giuseppe Schirò, l'Inno degli Albanesi di Sicilia, da Canti Tradizionali ed altri Saggi delle Colonie Albanesi di Sicilia, pp. 86-119, Napoli, 1907)

10 nëntor 2018, 12:44