Dioqeza Kosovës shënon 550-të vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit me kremtime e aktivitete kulturore Dioqeza Kosovës shënon 550-të vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit me kremtime e aktivitete kulturore 

Dioqeza Kosovës shënon 550-të vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit me kremtime e aktivitete kulturore

Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, ndërroi jetë më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Për 25 vjet me radhë e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj. Gjergj Kastrioti realizoi bashkimin e parë të shqiptarëve, guri i parë drejt krijimit të Shtetit të Pavarur.

R.SH. - Vatikan

Dioqeza e Prizren-Prishtinës, e shënon Vitin Jubilar të 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me një aktivitet dy ditor me kremtime liturgjike dhe programe të ndryshme kulturore, që do të mbahen në Kishën Katedrale ‘Shën Nënë Tereza’ dhe në ambientet e Kuries së dioqezës së Kosovës, në Prishtinë.

Na pëlqen t’i përdorim, me rastin e këtij aktiviteti në kuadrin e vitit Jubilar të Gjergj Kastriotit, fjalët që Papa Shën Pali VI u pati drejtuar shqiptarëve në Vatikan, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit të kombit shqiptar, kur mes tjerash tha:

“…jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore.
Ju takojmë me shumë kënaqësi: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e kombit (racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore
”.

Kështu, dioqeza e Kosovës ka në program nesër:

E premte, 9 nëntor 2018 – ora 19:00 është në program promovimi i 3 librave të rinj për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun

1.      Alassandro Serra, “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut“ – përkthyer nga redakësia shqipe e Radio Vatikanit – Vatican News, që do të prezantohet nga Prof. Domenico Morelli, arbëresh nga Roma.

2.      “Gjergj Kastrioti-Skênderbeu “Atleta Christi - përzgjedhje studimesh të klerikëve katolikë” – do të prezantohet nga Dr. Gjon Berisha.

3.      AB. Lorenzo Ignacio Thjulen, “Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve. Bashkëbisedim midis Gjegj Kastriotit dhe Karlit tê madh” – do të prezantohet nga Prof. dr. Xhavit Beqiri.

Promovimi i librave do të mbahet në sallën e selinë e dioqezës, pranë Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Të shtunën, më 10 nëntor 2018 janë në program Mesha dhe koreodrama për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun në Katedrale

MESHA Shenjte do të kremtohet në ora 11:00 në Katedralen Shën Nënë Tereza, nën udhëheqjen e Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkëv. Pritën të marrin pjesë meshtarë, rregulltarë e rregulltare, besimtarë dhe njerëz vullnetmirë.

Pas Meshe (rreth orës 12:00) do të bëhet inaugurimi i mozaikut të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili është i vendosur në kumbonarën e Katedrales.

KOREODRAMA mbi Gjergj Kastriotin - Skënderbeun, nga koreografi Xhemal Berisha, nën interpretimin e Ansamblit Arbëresha (Misioni Katolik Shqiptar Sirnach – CH). Në këtë shfaqje do të ndodh një takim i Gjergjit Kastriotit me Nënë Terezën, do të mbahet në ora 12:30.

 Koreodrama mbahet në Sallën e Qendrës “Pjetër Bogdani”, e cila gjendet në ambientet e Katedrales.

08 nëntor 2018, 15:08