Kërko

Aparat për analizimin e ADN-së Aparat për analizimin e ADN-së 

ADN-ja e ndryshuar. Shkenca dhe jeta: ndërlikime të fuqishme etike

Bashkësia shkencore e sheh me skepticizëm lajmin për ndryshimin e ADN-së së dy embrioneve njerëzore nga një shkencëtar kinez. Të shumta, eksperimentet që alarmojnë ekspertët e bioetikës.

R.SH. - Vatikan

Të shumta, dyshimet e bashkësisë shkencore botërore për lajmin e dhënë nga shkencëtari kinez He Jiankui, i cili pretendon se ka ndryshuar ADN-në e dy embrioneve femërore dhe i ka implantuar në mitrën e një gruaje. Para një muaji lindën dy binjake. Objektivi i këtij manipulimi gjenetik, sipas shkencëtarit, është t’i bëjë vajzat imune nga virusi Hiv, trashëguar nga i ati.

Priten verifikime dhe konfirmime

         Eksperimenti duket se ka pasur sukses vetëm në njërën prej dy vajzave, por, tani për tani, nuk ka konfirmime zyrtare, pasi zbulimet shkencore komunikohen përmes revistave të specializuara e jo me një viedo në internet, siç ka ndodhur në këtë rast. Përveç kësaj, universiteti kinez i Shenzhen, ku punon He Jiankui, deklaron se nuk ka dijeni për këtë eksperiment.

Kina bën hetime për këtë rast

         Ndërkohë, në Kinë, Komisioni Kombëtar për Shëndetësinë dha urdhër të hapen hetimet për rastin, duke shprehur edhe shqetësimin për pohimet e shkencëtarit. Dje, zyra e Komisionit në Shenzhen njoftoi se nuk ka prova për kryerjen e eksperimentit, pasi Jiankui është me leje të papaguar që nga shkurti i kaluar. Ndërkaq, një grup prej 122 shkencëtarësh, në një letër të hapur, e quan “të çmendur” eksperimentin, duke vënë në dukje rrezikun e përdorimit të teknikës Crispr-Cas9 për ndryshimin e geneve në embrionet njerëzore. Kritika dhe dyshime janë shprehur në të gjitha anët e botës e, edhe nga Selia e Shenjtë, e cila vë në dukje ndërlikimet etike të eksperimentit. “Ndryshimi i ADN-së – deklaron kryetari i shoqatës italiane “Shkenca dhe jeta”, Alberto Gambino – i transmetohet brezit tjetër, që përçon në gjeneratat e ardhshme gjërat e mira, difektet, por ndoshta, edhe diçka krejtësisht jonormale, që mund ta vërejmë vetëm kur të zhvillohet plotësisht” e kundër së cilës mund të mos kemi mjete në dispozicion.

27 nëntor 2018, 17:24