Kërko

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella 

Viti i Skënderbeut ndër arbëreshë: Presidenti italian nhë Shën Mitër

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, do të shkojë në Kalabri, së bashku me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e Vitit të Skënderbeut.

R.SH. - Vatikan

Ngjarje historike në Shën Mitër Korona, në Kalabri, një nga qendrat më të njohura të arbëreshëve të Italisë. Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në Vitin mbarëkombëtar kushtuar Heroit të madh, më 7 nëntor, do të shkojë në këtë fshat të Kozencës, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Përkujtimi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në të cilin marrin pjesë dy presidentët, do të bëhet në Kolegjin italo-shqiptar të Shën Adrianit në Shën Mitër, siç njihet San Demetrio Corona nga shqiptarët, zgjedhur pikërisht për rolin shumë të rëndësishëm, që luajti ky institucion gjatë Risorxhimentos italiane dhe gjatë Rilindjes shqiptare.

Kujtojmë se Shën Mitri është zemra e lashtë e bashkësisë arbëreshe në Kalabri dhe kryeqendra kulturore e rreth 50 bashkësive arbëreshe të pranishme në vend. Dy krerët e shteteve takohen këtu “për të përforcuar më tej lidhjen ndërmjet dy popujve”, siç nënvizon kryetari i bashkisë, Salvatore Lamirata për “Gazzetta del Sud”.

25 tetor 2018, 09:53