Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Earthquake and tsunami aftermath Sulawesi Earthquake and tsunami aftermath Sulawesi  (ANSA)

Toka lëkundet ende në Indonezi

Gjenden kufomat e 34 studentëve nën rrënojat e një kishe të shkatërruar. Toka në Indonezi vazhdon të lëkundet akoma, numri i viktimave shkaktuar nga tërmeti që goditi ishullin e Sulawesi, u rrit në 1234 të vdekur.

R.SH. - Vatikan

Ndërsa toka në Indonezi vazhdon të lëkundet akoma, numri i viktimave shkaktuar nga dy tërmetet dhe cunami i mëpasshëm që goditi ishullin e Sulawesi, u rrit në 1234 të vdekur. Kështu njoftuan autoritetet lokale, duke theksuar se për momentin ka me qindra të humbur dhe më shumë se një mijë të plagosur, shumë prej të cilëve janë shtruar në spitale në gjendje shumë të rëndë. Të zhvendosurit janë me dhjetëra mijëra.

Sot paradite, një tërmet i ri i magnitudës 6.3 sipas shkallës Richter u regjistrua në ishullin Sumba. Goditja e sotme ka shkaktuar dëmtime në muret eshumë shtëpive, ndërsa njerëzit të frikësuar e të pushtuar nga paniku dolën në rrugë, e tani për tani nuk ka lajme për viktima apo të lënduar, e nuk është dhënë asnjë alarm i ri tsunami.

Ndërkohë, në rrethin e Sigi, shpëtuesit kanë gjetur trupat e 34 studentëve të teologjisë nën rrënojat e një Kishe të shkatërruar nga tronditja e parë e tërmetit të premtes së kaluar. Sipas njoftimeve të Kryqit të Kuq, viktimat ishin pjesë e një grupi prej 86 nxënësish të cilët frekuentonin një kurs mbi Biblën në qendrën e formimit Jonooge Churche. Tani për tani nuk ka lajme për 52 të rinj që ishin me ta. Deri më tani, shumica e viktimave të tërmetit dhe cunamit janë regjistruar në Palu, kryeqyteti i provincës qendrore Sulawesi.

Në qytet vazhdojnë të hapin varre masive për të varrosur qindra trupa që janë gjetur deri më tani, megjithëse autoritetet kanë paralajmëruar se do të ketë viktima të mëtejshme, kur automjetet e rënda do ta lirojnë zonën nga rrënojat. Valët e cunamit, të larta madje deri në tre metra, kanë goditur gjithashtu tre burgje të zonës. Më shumë se një mijë të burgosur arritën të iknin, siç njofton qeveria lokale, e cila tani do të duhet të përballet edhe me këtë emergjencë në urgjencë. Janë shtuar edhe episodet e zakonshme të plaçkitjeve.

02 tetor 2018, 17:48