Kërko

POVERI INDIA POVERI INDIA 

OKB: mbi 700 milionë njerëz në varfëri ekstreme

Sot është Dita Botërore për çrrënjosjen e varfërisë. Po pakësohet numri i njerëzve në nevojë, por Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterres kujton se ende ka shumë për të bërë për mëse se 700 milionë njerëz të varfër që nuk mund t’i plotësojnë as nevojat më themelore.

R.SH. - Vatikan

"Takimi me njerëzit më të largët, për të ndërtuar një botë gjithëpërfshirëse me respektimin e të drejtave të njeriut dhe  të dinjitetit njerëzor" është tema e zgjedhur për Ditën e 25-të Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, e njohur zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara në vitin 1992 dhe e shpallur nga Atë Joseph Wresinski më 17 tetor 1987, si ditë në të cilën meshtari francez, nga Trocadero i Parisit, bëri apelin e tij për një veprim kundër varfërisë.

Varfëria dhe të drejtat e njeriut

Në vitin 2018 bie, mes tjerash, 70 vjetori i shpalljes së Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Në këtë kuadër, OKB-ja në të vërtetë e kujton "lidhjen themelore që ekziston ndërmjet varfërisë së skajshme dhe të drejtave të njeriut, dhe se njerëzit që jetojnë në varfëri janë të prekur në mënyrë disproporcionale nga shumë shkelje të të drejtave të njeriut".

Të varfrit zvogëlohen falë bashkëpunimit

Në mesazhin e botuar për këtë ditë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka kujtuar se në këto 25 vjet, “gati një miliardë njerëz kanë shpëtuar nga varfëria në sajë të udhëheqjes politike, zhvillimit ekonomik gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar".  Të dhënat e fundit në dispozicion, që datojnë nga 2015, tregojnë se 10% e popullsisë globale jeton në varfëri të skajshme. Kjo është përqindja më e ulët e regjistruar ndonjëherë dhe ka rënë me një pikë përqindjeje në krahasim me vitin 2013. Përkufizimi i "varfërisë ekstreme", është aplikuar për njerëzit që jetojnë me më pak se $ 1.90 në ditë: këta ishin 736 milionë në vitin 2015, që do të thotë 68 milionë më pak se dy vjet më parë.

 Mbi 700 milionë njerëz ende janë në varfëri të skajshme

Megjithatë mbetet shumë për t'u bërë për të sjellë zhvillim dhe mirëqenie tek të gjitha pjesët e popullsisë së botës. "Mbi 700 milionë njerëz nuk janë në gjendje t’i plotësojnë nevojat e tyre të përditshme - shtoi numri një i Pallatit të Qelqtë -. Shumë prej tyre jetojnë në situata konflikti dhe krize; të tjerët përballen me pengesa në qasjen e kujdesit shëndetësor, arsimit dhe mundësisë së punësimit, duke i penguar njerëzit e varfër të përfitojnë nga zhvillimi më i gjerë ekonomik. Dhe gratë janë të prekura në mënyrë joproporcionale ".

Për këtë arsye, çrrënjosja e varfërisë në të gjitha format e saj dhe përmasat, siç është përcaktuar nga Objektivi 1 i Rendit të ditës për zhvillim të qëndrueshëm në vitin 2030, mbetet një nga sfidat më të mëdha globale dhe një nga prioritetet kryesore të Kombeve të Bashkuara.

17 tetor 2018, 19:13