Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Nadia Murad takon Papën Françesku Nadia Murad takon Papën Françesku 

Nobel për Paqen, mjekut Denis Mukwege dhe jazides Nadia Murad

Të dy u nderuan me çmimin prestigjoz të Komitetit norvegjez “për impenjimin që t’i jepet fund dhunës seksuale si armë në luftë dhe në konfliktin e armatosur”. Intervistat tona me ta.

R.SH. - Vatikan

Ҫmimi Nobel për Paqen iu dha sot mjekut gjinekolog kongolez, Denis Mukwege dhe aktivistes irakiane jazide për të drejtat e njeriut, Nadia Murad. Komiteti norvegjez, që çdo vit jep çmimin më prestigjoz e më të pritur të botës, ua dha kësaj here dy njerëzve, që janë dalluar për luftën kundër abuzimeve seksuale, përdorur si armë lufte në konflitet e ndryshme të armatosura nëpër botë. Lajmi u dha në orën 11.00, në Oslo.

         Të dy të nderuarit me Ҫmimin Nobel për Paqen, sipas Komitetit, kanë dhënë një kontribut thelbësor për të sensibilizuar opinionin publik mbi krimet e luftës. Falë punës së tyre, paraqitur në mediat ndërkombëtare, ata kanë kontribuar ta bëjnë aktuale temën e dhunës seksuale gjatë konflikteve, duke bërë të mundur shpesh, edhe identifikimin e autorëve.

Histori e jashtëzakonshme në Irakun verior

         Nadia Murad, ish-skllave e milicëve të Isisit, është sot ambasadore e OKB-së për dinjitetin e të mbijetuarve nga trafiku i qënieve njerëzore. Një rol, që e bën “aleate të Papës”, siç thotë vetë, prandaj deshi ta takojë më 3 maj të vitit 2017. Historia, që 22-vjeçarja i tregoi Atit të Shenjtë, në fund të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, i rrënqeth mishin gjithkujt. U rrëmbye në fshatin Kocho, në veri të Irakut, më 3 gusht 2014; i vranë para syve gjashtë vëllezër dhe nënën; pasi e çuan në Mosul, së bashku me dy motrat, xhihadistët e keqtrajtuan si mundën, deri sa e shitën si skllave. Pas tre muajsh arriti të ikte nga kthetrat e xhelatëve të vet e që nga ajo ditë, gruaja e re denoncon me guxim tmerret e pësuara nga populli i saj jazid, që edhe pse mysliman, konsiderohej nga terroristët islamikë si ndjekës i një feje të ndryshme nga e tyrja e prandaj, mund të trajtohej si kafshë.  

Intervista jonë, dy vjet më parë

         Në një intervistë për Radio Vatikanin, dy vjet më parë, Nadia Murad fliste si mund të ndalej terrorizmi i Isisit, si të parandalohej çdo formë racizmi dhe urrejtjeje, si të ndërhynte bashkësia ndërkombëtare. Pavarësisht nga dhimbja e dhuna e pësuar personalisht, nga familja e saj dhe nga shumë të reja jazide të pafajshme, Nadia Murad fliste, në mikrofonin tonë, për të mirën, për dashurinë e për lutjen: “Sa më shumë më prekte e keqja, aq më shumë më vinin ndërmend mësimet e nënës dhe të njerëzve të mi, por sidomos, forca e Zotit nuk më ka braktisur kurrë. Sa më tepër më prekte e keqja, aq më tepër gjeja të mirën brenda meje…”.

Mukwege: bota, e plogët, para përdhunimeve, përdorur si armë lufte

         Më 27 nëntor 2014, doktor Denis Mukwege, sot Nobel për Paqen, merrte Ҫmimin Sakharov në Parlamentin Evropian, që ua jep atë njerëzve të dalluar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në atë rast, gjithnjë në një intervistë për Radio Vatikanin, doktori bënte thirrje: “Në një botë me vlera të përmbysura, të refuzosh dhunën do të thotë të jesh disident”: Në fjalët e Mukweges, denoncimi i përdorimit të “përdhunimit si armë më pak e kushtueshme në luftë”, reflektimi mbi pasojat e kësaj dhune për gratë dhe mbi rëndësinë e pakët, që i jepet këtij fenomeni sot, por edhe udha e dënimit të fajtorëve. Në spitalin Panzi në Bukavu, Mukwege ka asistuar disa nga mijëra gratë e përdhunuara në Republikën e Kongos, në atë, që ai e quan “një situatë formale, as lufte as paqeje, por gjendje mosndëshkimi të vërtetë”. Denoncimi i tij i guximshëm i dha sot Ҫmimin Nobel për Paqen.

05 tetor 2018, 14:29