20180130_BAV_Vat.lat.39_0064_fa_0060r_manoscritto.jpg 20180130_BAV_Vat.lat.39_0064_fa_0060r_manoscritto.jpg 

Me 9 tetor kalendari kishtar kujton Shën Gjon Leonardin

Shën Gjon Leonardi, që jetoi në gjysmën e shekullit XVI, në Krishtin e pati qendrën absolute të veprës së tij apostolike, duke kundërshtuar, me vlerën e Ungjillit, ndarjen e përçarjen ndërmjet fesë e arsyes që nisi të përvijohej në atë epokë.

R.SH. - Vatikan

Më 9 tetor bie përvjetori i vdekjes së Shën Gjon Leonardit, themelues i Urdhrit Rregulltar të Klerikëve të Nënës së Zotit, shpallur shenjt më 17 prill të vitit 1938, zgjedhur, më 8 gusht 2006, pajtor i farmacistëve. Shën Gjon Leonardi, që jetoi në gjysmën e shekullit XVI, në Krishtin e pati qendrën absolute të veprës së tij apostolike, duke kundërshtuar, me vlerën e Ungjillit, ndarjen e përçarjen ndërmjet  fesë e arsyes që nisi të përvijohej në atë epokë.

Shën Gjon Leonardi kujtohet si rrëfyes shenjt, si themelues i Kongregatës së Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit dhe i Propaganda Fides - sot Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, si njeri që kreu veprimtari të jashtëzakonshme ungjillëzuese dhe që bëri shumë mrekulli. 

Shenjti lindi më 1541 në Dieçimo, në provincën italiane të Lukës. I fundmi i shtatë vëllezërve, e kaloi adoleshencën sa në gjirin e një familjeje të shëndetshme e punëtore, aq edhe në një tregtizë erëzashe e ilaçesh në vendlindje. Kur mbushi 17 vjeç, i ati e regjistroi në një kurs të rregullt pranë barnatores së Lukës, me qëllim që në të ardhmen të bëhej farmacist, madje jo dosido, por njohës i shquar i barërave e i erëzave,  siç quheshin asokohe.

Djaloshi Gjon i ndoqi me vëmendje e pasion mësimet për dhjetë vjet me radhë, por kur, sipas normave të  caktuara nga Republika e lashtë e Lukës, fitoi titullin zyrtar, që do t’i krijonte kushte për të hapur barnatoren e vet, ai nisi të mendonte se ndoshta-ndoshta kishte ardhur çasti i duhur për realizimin e një plani, të cilin e kishte fort për zemër prej kohe. Pasi reflektoi thellë, vendosi të niste rrugën meshtarake.

La, prandaj barnatoren e, si mori formimin e përshtatshëm teologjik, u shugurua meshtar. Ishte solemniteti i Dëftimit të Zotit i vitit 1572, kur kremtoi Meshën e parë. Por rruga e re në të cilin nisi të ecte, nuk ia zbehu aspak pasionin për farmakopenë, dmth për librat, që  përmbledhin recetat e ilaçeve të ndryshme, një pjesë e mirë prodhuar përmes mbledhjes dhe përpunimit të barërave,   tejet të përdoruara, kur shkenca farmaceutike ishte ende në fasha.

I shtyrë nga bindja se për një ilaç të tillë, të gjitha qeniet njerëzore kanë nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër, Shën Gjon Leonardi u mundua që takimin personal me Jezu Krishtin ta bëjë e ta ketë si arsyen themelore të jetës së vet... Paria e Krishtit mbi gjithçka bëhet për të kriter konkret i gjykimit e i veprimit, parim jetik i veprimtarisë së tij meshtarake.

Vijoi njëkohësisht, rrugën e meshtarit e të barnatarit, me bindjen se ndërhyrja e tij profesionale do ta ndihmonte për ta realizuar plotësisht misionin : “T’u përcillte njerëzve, përmes një jete shenjte, ‘ilaçin e Zotit’, Jezu Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, ‘masë e të gjitha sendeve’.

I shtyrë nga zelli apostolik, në maj të vitit 1605 i dërgoi papës Pali V, që sapo ishte zgjedhur, një Përkujtesë, përmes së cilës shprehte mendimet e veta për përtëritjen e Kishës, me bindjen se njeriu duhet të zhvishet nga çdo lloj interesi, për t’ia kushtuar gjithë vetveten Hyjit, duke vënë mbi gjithçka vetëm shërbimin e lavdinë e Krishtit të kryqëzuar e duke parë gjithnjë pranë Fytyrës së Jezusit, atë të Nënës së Tij, Zojës së bekuar, të cilën e pati mësuese, motër, nënë e pajtore.

Për të Kisha ishte vërtetë e shenjtë, por edhe e brishtë e, prandaj Shën Gjon Leonardi  u përpoq ta bënte gjithnjë më të bukur, shenjë të tejdukshme të kreut të saj. Kuptoi se çdo reformë duhet bërë brenda Kishës e kurrë kundër Kishës. Në këtë Gjon Leonardi qe me të vërtetë i jashtëzakonshëm e shembulli i tij mbetet gjithnjë aktual..

Shën Gjon Leonardi e zhvilloi veprimtarinë e tij ndërmjet  fundit të gjashtëqindës e fillimit të shtatëqindës,  në të njëjtat vite, kur krijohen parakushtet e kulturës bashkëkohore, të cilat karaketerizohen.

Nga ndarja e padrejtë e fesë prej arsyes që, ndërmjet pasojave të tjera negative, u përpoq ta linte Zotin mënjanë, duke gënjyer veten se njeriu mund të jetë plotësisht  i pavarur e të jetojë sikur  Hyji të mos ekzistonte fare. Është kriza e mendimit modern, që e kam vënë disa herë në dukje e që  shpesh përfundon në forma të ndryshme të relativizmit

09 tetor 2018, 09:01