Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.09.30 Gesu Cristo, Gesu di Nazareth 2018.09.30 Gesu Cristo, Gesu di Nazareth 

Më 27 tetor kalendari kujton Shën Frumencin, ungjillëzuesin e parë të Etiopisë

Shën Frumenci e kreu misionin e tij ipeshkёvnor deri në vdekje, rreth vitit 380, duke përhapur kudo fjalën e Ungjillit. Model tepër modern Shenjti i lashtë, në një kohë kur bota vijon përhumbjen dhe ka aq nevojë për "njerëz paqësorë", "rrezatues të dritës".

R.SH. - Vatikan

Emri i shenjtit, Frumenci, na kujton një fakt historik të shekujve të Mesjetës, me interes të veçantë: lajmin që sollën në Evropë kryqtarët, në sa ktheheshin nga Toka Shenjte. Në Jerusalem kishin takuar disa shtegtarë zezakë, të ardhur nga një vend i largët afrikan me një qytetërim të panjohur, por që dalloheshin menjëherë se ishin të krishterë.

Ishte një fakt i jashtëzakonshëm, sepse qëkur zonat e krishtera ishin zhdukur nga trojet afrikane, pas pushtimeve të arabëve myslimanë në shekullin VII, Afrika nuk i përkiste më gjeografisë së krishterimit. Kuptohet, prandaj, sa u mrekulluan kryqtarët, kur morën vesh se në viset e egra të Afrikës së panjohur, jetonin njerëz tepër të zinj e me pamje të çuditshme, që mbanin lart flamurin e Krishtit përtej kufijve të pushtimeve myslimane.

Këta njerëz ishin etiopë, vinin nga Etiopia, ku kristianizmi kishte arritur që në shekullin IV, njëherësh me një djalosh të quajtur Frumenci, i cili shtegtonte me qëllim studimi, së bashku me një shok tjetër, Edesin, si shoqërues i një filozofi. Anija me të cilën shtegtonin u ndalua në Abdulis, në Detin e Kuq, ku u sulmua nga etiopët, të cilët e masakruan gjithë ekuipazhin, duke përfshirë edhe filozofin. Ndërsa dy të rinjtë, që kishin zbritur në tokë, i kapën e ia dhuruan mbretit të tyre. Ishi

n të dy të rinj të shkathët e të zgjuar, prandaj edhe i pëlqyen shumë sovranit, që e zgjodhi Frumencin si sekretar, ndërsa Edesin, si kopist. Si vdiq mbreti, të rinjtë u zgjodhën këshilltarë të pasardhësit, ende të mitur. Mbreti i ri, Ezana e pranoi i pari mesazhin ungjillor dhe i lejoi këshilltarët e vet të ndërtonin kisha për tregtarët e krishterë që ndaloheshin ndër këto brigje.

E në se shtegton në rrafshnaltat që rrethojnë Axumin, do të vëresh menjëherë kudo kapela të vogla kushtuar Shën Frumencit. Etiopia, e cila në botën e lashtë njihej si India e përtejme, e nderon jashtëzakonisht shenjtin, të cilin e quan Abba Salama, që do të thotë "Atë Paqësori" ose "mbartësi i dritës". E kjo dritë që morën nga djaloshi ndriçon edhe sot mendjen dhe zemrën e banorëve të këtyre viseve të largëta, mbi të cilat më se një herë u dynd stuhia e persekutimit.

Shën Frumenci vijoi këtu misionin e tij ipeshkëvnor deri në vdekje, rreth vitit 380, duke përhapur kudo fjalën e Ungjillit. Model tepër modern Shenjti i lashtë, në një kohë kur bota vijon përhumbjen dhe ka aq nevojë për "njerëz paqësorë", "rrezatues të dritës".

27 tetor 2018, 10:12