Kërko

Pietà Pietà 

Më 25 tetor kalendari kujton të Lumin don Carlo Gnocchi

Carlo Gnocchi shpejt arriti ta kapërcejë këtë krizë e ta kuptojë thellësisht vlerën e vuajtjes së njerëzve të pafajshëm. I lindi dëshira për të ndihmuar jetimët aplinëve të tij, të gjymtuarit e luftës, viktimat e bombardimeve e njerëzit me handikapët e të gjitha llojeve.

R.SH. - Vatikan

Carlo Gnocchi lindi më 25 tetor 1902 në San Colombano al Lambro të Milanos. Kur ishte vetëm 2 vjeç i vdiq i jati e familja e tij u detyrua të vendosej më parë në Milano e më pas në Besana të Briancës. Ndoqi mësimet në seminarin e Milanos dhe u shugurua meshtar më 6 qershor 1925. Nisi të shërbente ndër kisha famullitare të ndryshme të Milanos, pasta u caktua si kapelan në Institutin Gonzaga, që drejtohej nga Vëllezërit e Shkollave Katolike, ku pati rastin t’i njihte më mirë njerëzit e inkuadruar në shoqëri: të rinjtë por edhe familjet e mjediset e tyre, duke përsosur kështu pasionin dhe ndjeshmërinë e tij si edukator.

Më 10 qershor 1940 Italia hyri në luftë e don Karli nisi shërbimin vullnetar si prift kapelan ushtarak në formacionin aplin Val Tagliamento të divizionit Julia. Sapo mori detyrën e re, u nis menjëherë për në Shqipëri, kur predikoi Ungjillin, jo vetëm ndërmjet aplinëve po kudo mundi. Fjala e Zotit ishte i vetmi ngushëllim dhe e vetmja shpresë në skenën ku luhej tragjedia e tmerrshme e luftës.

Don Carlo Gnocchi ishte meshtar në luftë, jo meshtar lufte! Pikërisht në jug të Shqipërisë – siç kujtoi ai vetë, në vijën e parë të frontit, mbi një altar të ngritur aty për aty, kremtoi Pashkët e luftës, përballë vijave të frontit armik. Ushtarët u rrëfyen dhe u kunguan me Eukaristi. Për disa prej tyre ishte shutja shpirtërore e fundit….. Nga Shqipëri, don Carlo kaloi në Mal të Zi, në frontin grek e, më pas në frontin rus. Tërheqja e tmerrshme e vitit 1943, gjatë së cilës vdiqën mijëra njerëz, e tronditi aq shumë, sa pësoi një krizë të thellë shpirtërore, duke vënë në dyshim deri mëshirën e Zotit. 

Por shumë shpejt arriti ta kapërcejë këtë krizë e ta kuptojë thellësisht vlerën e vuajtjes së njerëzve të pafajshëm. I lindi dëshira për të ndihmuar jetimët aplinëve të tij, të gjymtuarit e luftës, viktimat e bombardimeve e njerëzit me handikapët e të gjitha llojeve. Kështu në vitin 1947 themeloi Institucionin “Për fëmijët e gjymtuar”, që u njoh nga Vatikani më 26 mars 1949. Më vonë ky Instituti do të quhet “Fondacioni Pro-Juventute” e kështu don Njoki u bë “don Bosku” i Milanos, njeri i palodhur, ideator e realizues i madh i veprave humanitare. Vdiq më 28 shkurt të vitit 1956.

25 tetor 2018, 12:32