Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Sacro cuore di Gesu Sacro cuore di Gesu 

Më 16 tetor kalendari kishtar kujton Shën Margaritën Maria Alakok

Rrënja e përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, kur një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit. Të gjitha këto na i tregon, Shën Margarita, përmes përvojës asketike

R. SH. - Vatikan

E lindur në Borgonjë të Francës në vitin 1647, Margarita kaloi një rini të vështirë. Iu desh shumë punë për t’i bindur prindërit që ta lejonin të bëhej rregulltare. Dëshironte të hynte në Urdhërin e Vizitacionit, themeluar nga Shën Françesku i Sales.

Mbas shumë përpjekjesh, Margarita u bë motër Maria dhe jetoi 20 vjet ndërmjet vizitantineve. Që në hapat e para në kuvend, ia ofroi veten si fli, Zemrës së Krishtit. Kështu, në gjysmën e dytë të gjashtëqindës, në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margaritës, lindi devocioni për Zemrën e Krishtit. Mistikja e madhe dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë.

Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit.

Të gjitha këto na i tregon, në autobiografinë e saj, Shën Margarita, përmes përvojës asketike të së cilës lindi festa e Zemrës së Krishtit dhe praktika e nëntë të premteve të para të muajit. Shën Margarita vdiq më 17 tetor 1690

16 tetor 2018, 10:01