Cerca

Vatican News
Cristo abbraccia la nostra croce (Pasqua). Autore: Ana Maria Laurent Cristo abbraccia la nostra croce (Pasqua). Autore: Ana Maria Laurent 

Mё 10 tetor kalendari kishtar pёrkujton Shёn Danielin me shokёt, martirё

U nisën për në Keuta të Marokut për t’u predikuar Ungjillin muhamedanëve, po autoritetet e vendit kishin ndaluar ço lloj propagande të krishterë. E ata, pa frikë e përhapnin fjalën e Krishtit. U mbyllen menjëherë në burg ku, u dënuan me prerjen e kohës. Por ata e mbrojtën burrërisht fenë në Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Në vitin 1227 shtatë fretër të vegjël françeskanë: Danieli, Engjëlli, Samueli, Donoli, Leoni, Nikolla e Ugolini, u nisën nga Toskana në drejtim të Spanjës, prej nga do të shkonin në Marok për t’i kthyer banorët e vendit në fenë e Krishtit.

Ishin vitet kur Urdhri françeskan, i drejtuar nga vëlla Elia, jetonte stinën e entuziazmit të zjarrtë misionar. Për ditët e fundit të jetës së këtyre misionarëve françeskanë flasin dy relacione, të cilat mendohej se ishin shkruar menjëherë pas vdekjes së tyre heroike. Por më pas disa studiues arritën në përfundimin se letra e një farë Mariani nga Gjenova, i cili shkroi vëlla Elisë për ta njoftuar lidhur me vdekjen e lumnueshme të misionarëve, nuk duhet të jetë e njëkohshme me martirizimin, siç dëshmoi ai që e shkroi, por e shekullit XVI-XVII.

Sidoqoftë, nga këto dokumente mësojmë se në krye të grupit ishte Danieli, me origjinë nga Belvedere e Kalabrisë dhe provincial i françeskanëve të këtij vendi. Si ndenjën pak kohë në Spanjë, u nisën për në Keuta të Marokut për t’u predikuar Ungjillin muhamedanëve.

Ishte një veprim vërtetë i guximshëm, sepse autoritetet e vendit kishin ndaluar ço lloj propagande të krishterë. Po ata, pa frikë, nisën menjëherë të përhapnin fjalën e Krishtit, së pari ndërmjet tregtarëve të shumtë të Pizës, Gjenovës, Marsejës, që banonin në këtë qytet, pastaj, në ditët e para të tetorit 1227, vendosën të fillonin predikimin në mjediset myslimane, ndër rrugët e qytetit.

Nisën kështu të predikonin, duke folur në gjuhën latine e italiane sepse, për fat të keq, nuk e njihnin gjuhën e vendit. U mbyllën menjëherë në burg ku, duke kaluar nga premtimet në kërcënime,  autoritetet e vendit bënë çmos t’i detyronin të hiqnin dorë publikisht nga feja e tyre e të ktheheshin në fenë islame.

Por ata e mbrojtën burrësisht fenë në Krishtin. Atëherë i dënuan me prerjen e kokës. Si u krye ekzekutimi, trupat u bënë copa-copa. Ashtu, të kthyer në grumbuj mishi të përgjakur, martirët françeskanë u mbartën nga tregtarët e krishterë perëndimorë dhe u varrosën në lagjen e jashtme të Keutës.

Më pas eshtrat u mbartën në Spanjë, ndërsa sot nuk dihet me saktësi ku ndodhen, sepse qytete të shumta të Spanjës, Portugalisë e Italisë lavdërohen se kanë ndonjë nga reliket e tyre. Papa Leoni X, më 22 janar 1517 caktoi datën 13 tetor si ditë të nderimit të tyre, ndërsa më vonë nisën të festohen më 10 tetor.

10 tetor 2018, 11:09