Sinodi i Shenjtë i Kishës ortodokse ruse Sinodi i Shenjtë i Kishës ortodokse ruse 

Kisha ruse ndërpret “bashkimin eukaristik” me Kostandinopojën

Anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës ortodokse ruse vendosën të ndërpresin “bashkimin eukaristik” me Patrikanën e Kostandinopojës.

R.SH. - Vatikan

Vendimi njoftohet me Deklaratën e djeshme, 15 tetor, pas mbledhjes së Sinodit në Minsk të Bjellorusisë, nën udhëheqjen e Patrikut Kirill. U diskutua pikërisht, qëndrimi i Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës, në favor të autoqefalisë së Kishës ortodokse ukrainase.

Deklarata

“Me dhimbje të thellë”, lexohet në Deklaratën e botuar në faqen e internetit të Patrikanës së Moskës, “anëtarët e Sinodit të Shenjtë mendojnë se është e pamundur të vazhdohet bashkimi eukaristik me Patrikanën e Kostandinopojës”. Deklarata rreshton një sërë motivesh, që e shtynë Moskën ta ndërpresë bashkimin, si: pranimi në këtë bashkim i “skizmatikëve” dhe i një “personi të çkishëruar nga një Kishë tjetër lokale”, “ndërhyrja në territorin kanonik të dikujt tjetër”, “përpjekja për të refuzuar vendime dhe impenjime historike të marra tashmë”. “E gjithë kjo – pohon Kisha ortodokse ruse – e nxjerr Patrikanën e Kostandinopojës jashtë hapësirës kanonike e, me dhimbje të thellë, për ne është e pamundur të vijojmë bashkimin eukaristik me hierarkinë, klerin dhe laikët e saj”. “Sot e tutje e, deri kur Patrikana e Kostandinopojës nuk do t’i braktisë vendimet e saj anti-kanonike, është e pamundur për krejt klerin e Kishës ortodoke ruse të bashkëkremtojë me klerin e Kishës së Kostandinopojës e, për laikët, të marrin pjesë në sakramentet e mbarështuara në kishat e saj”.

Vendim i marrë qëkur

Urohet që Kostandinopoja të ndryshojë qëndrimin e shprehur më 11 tetor, me të cilin “rinovon vendimin e marrë qëkur” për “t’i dhënë autoqefalinë Kishës së Ukrainës”. Pas diskutimeve të gjata, Sinodi i Shenjtë, i udhëhequr nga Patriku Bartolomeu I – thuhej në një komunikatë – vendosi “të shfuqizojë kufizimin juridik të Letrës Sinodale të vitit 1686, miratuar për shkak të rrethanave të kohës”. Ai i jepte “të drejtën Patrikanës së Moskës të emëronte Mitropolitin e Kievit”, “duke deklaruar e pohuar varësinë e tij kanonike nga Kisha Nënë e Kostandinopojës”.

16 tetor 2018, 16:23