Kërko

Astana, Kazakistan Astana, Kazakistan 

Kazakistan: fillon Kongresi VI i krerëve fetarë në Astana

Janë më se 80, delegacionet që marrin pjesë në punimet e Kongresit VI të krerëve të feve të ndryshme botërore e tradicionale, në program, sot e nesër, në Astana të Kazakistanit. Tema: “Krerët fetarë, për një botë të sigurtë”. Delegacioni i Kishës Katolike udhëhiqet nga kard. Coccopalmerio.

R.SH. - Vatikan

Në Kongres, do të jetë i pranishëm edhe presidenti kazak, Nursultan Nazarbayev, së bashku me përfaqësues të islamit, krishterimit, budizmit, hebraizmit, hinduizmit, taoizmit, zoroastrizmit e me anëtarë të tjerë të organizatave fetare e civile.

Delegacioni i Kishës Katolike

Delegacioni i Kishës Katolike udhëhiqet nga kryetari i nderit i Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative, kardinali Francesco Coccopalmerio e përbëhet nga eksponentë të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, nga nunci apostolik në Kazakistan, prefekti apostolik i Azerbajxhanit e nga ekspertë, ardhur nga Libani e SHBA-të.

Kontributi i krerëve fetarë e politikë në kapërcimin e ekstremizmit

 Në takim, marrin pjesë, ndër të tjerë, edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për sigurinë e bashkëpunimin në Evropë, Thomas Greminger, si edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Njëri nga katër seancat e punimeve do t’i kushtohet kontributit, që mund të japin krerët fetarë e politikë, kundër ekstremizmit e terrorizmit. Kongresi është aktualisht platforma më e madhe e dialogut në botë. Mbledh eksponentët kryesorë të besimeve fetare e të botës politike, shkencëtarë dhe përfaqësues të Organizatave ndërkombëtare, për të gjetur zgjidhje, që kanë të bëjnë me çështjet më urgjente në fushën fetare dhe politike, ndër të cilat, terrorizmi dhe ekstremizmi fetar. Impenjim dialogu dhe bashkëpunimi i krejt bashkësisë ndërkombëtare, për t’i dhënë fund dhunës dhe urrejtjes.

Kongresi i parë, i vitit 2003

 Kongresi i parë i feve botërore u mblodh nga presidenti Nazarbayev, në Astana, më 23 e 24 shtator 2003. Në atë rast, fjalët e dialogut e të paqes u shqiptuan nga përfaqësuesit e 17 realiteteve fetare, pikërisht pranë Afganistanit, Pakistanit, Irakut dhe Azerbajxhanit, në krejt zonën euroaziatike, që ishte në qendër të konflikteve etniko-fetare, të cilat bënë të teorizohej “ndeshja ndërmjet qytetërimeve”. Ai Kongres pati si model Ditën e Lutjes për paqen në Botë, organizuar në Asizi nga Gjon Pali II. Edhe kësaj radhe, impenjimi i krerëve fetarë është të ripohohet kontributi pozitiv, që mund të japin traditat e ndryshme fetare në dialogun dhe pajtimin ndërmjet popujve.

10 tetor 2018, 14:30