Gjendja në Indonezi Gjendja në Indonezi 

Indonezia ende dridhet: shpërthen vullkani Soputan

Pesë ditë pas tërmetit dhe cunamit që shkatërroi qytetet Palu dhe Donggala, duke shkaktuar mbi 1.400 viktima, ishulli indonezian i Sulawesit përsëri tronditet nga shpërthimi i vullkanit Soputan. Save the Children bën thirrje për ndihmë.

R.SH. - Vatikan

"Shpërthimi ka formuar një kolonë tymi dhe hiri, që ka arritur deri në 6000 metra", pohon zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Sutopo Nugroho. Tani për tani, qeveria s’e ka parë të arsyeshme të evakuojë fshatrat përreth, por i ka dhënë urdhër popullsisë të qëndrojë më se 4 km larg kraterit, për të shmangur probleme të mëtejshme. Ndërkohë, shpresat për të gjetur persona të tjerë të gjallë zbehet: po hapen varre masive, që mund të mbajnë deri në njëmijë kufoma.

Vështirësitë e emergjencës

Kanë kaluar pesë ditë nga tërmeti, por ende mungojnë shërbimet thelbësore, uji dhe ushqimi. Më se 66.000 ndërtesa janë shembur dhe zona të tëra nuk janë arritur ende nga ekipet e shpëtimit. Në Palu grabiten dyqanet dhe shtohet tensioni ndërmjet policisë dhe banorëve. Vetëm dje, autoritetet indoneziane kanë kërkuar specifikisht ndihmën ndërkombëtare.

Thirrja e Save the Children

Save the Children jep alarmin për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve ndër mijëra familje, që jetojnë në strehime të improvizuara, ose në qendra të mbipopulluara pas evakuimit. "Veprimtarët tanë kanë gjetur në Palu një situatë tejet të rëndë - pohon Tom Howells, drejtor i operacioneve të Save the Children në Indonezi. - Ka plehra dhe rrënoja kudo. Familjet nuk arrijnë të mbajnë as kushtet minimale të higjienës, pa marrë parasysh vështirësitë për ushqim dhe ujë të pastër për fëmijët dhe foshnjat". Save the Children bën thirrje që sa më shpejt t’u sigurohet, të paktën fëmijëve, higjiena e nevojshme për parandalimin e sëmundjeve.

03 tetor 2018, 16:16