Kërko

Martiri della Chiesa albanese martiret shqiptare Martiri della Chiesa albanese martiret shqiptare 

Të Gjithë Shenjtërit thirrje për të qenë bijtë të Zotit

Ky cak shpirtëror, drejt të cilit të gjithë të pagëzuarit priren, arrihet duke ndjekur udhën e “lumturive” ungjillore, që liturgjia na i tregon e propozon në solemnitetin e sotëm ( krh Mt 5,1.12.a). Është e njëjta udhë e shënuar nga Jezusi e të cilën shenjtorët e shenjtëreshat janë munduar ta përshkojnë, me vetëdijen e plotë që kishin për kufizimet e tyre njerëzore.

R.SH. - Vatikan

Kremtojmë me gëzim të madh festën e të Gjithë Shenjtorëve. Duke vizituar një fidanishte botanike, njeriu mbetët i mrekulluar para larmisë së pemëve e luleve, e në mënyrë spontane të shkon mendja tek fantazia e Krijuesit i cili e ka bërë tokën një kopsht të mrekullueshëm. Ndjenja të ngjashme na pushtojnë kur e konsiderojmë spektaklin e shenjtërisë: bota na duket si një “kopsht”, ku Shpirti i Zotit nxit me fantazinë e mrekullueshme një aradhe shenjtorësh e shenjtëreshat, të çdo moshe e gjendje sociale, të çdo gjuhe, populli e kulture. Secili është ndryshe nga tjetri, me tiparet e posaçme të personalitetit të vet njerëzor e të karizmes së vet shpirtërore.

Por që të gjithë bartin “vulën” e Jezusit (krh Zb 7,3), do të thotë gjurmët e dashurisë së tij, të dëshmuar përmes Kryqit. Të gjithë janë në gëzim, në festë të pa mbarim, por, si Jezusi, këtë cak e kanë arritur duke kaluar përmes mundimit e sprovave (krh Zb 7,4), duke e përballuar secili pjesën e vet të flijimit për të marrë pjesë në lavdinë e ringjalljes.

Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve është formuar gjatë mijëvjeçarit të parë të krishterë si kremtim i përbashkët i martirëve. Që në vitin 609, në Romë, Papa Bonifaci IV e pati shuguruar Pantheonin duke ia kushtuar Virgjërës Mari e të gjithë Martirëve. Ndër të tjera, këtë martirizim, mund ta kuptojmë në kuptimin e gjerë të fjalës, do të thotë si dashuri për Krishtin pa rezerva, dashuri që shprehet në dhuratën e plotë të vetes Zotit e vëllezërve.

Ky cak shpirtëror, drejt të cilit të gjithë të pagëzuarit priren, arrihet duke ndjekur udhën e “lumturive” ungjillore, që liturgjia na i tregon e propozon në solemnitetin e sotëm ( krh Mt 5,1.12.a). Është e njëjta udhë e shënuar nga Jezusi e të cilën shenjtorët e shenjtëreshat janë munduar ta përshkojnë, me vetëdijen e plotë që kishin për kufizimet e tyre njerëzore.

Në ekzistencën e tyre tokësore, në të vërtetë, kanë qenë të varfër në shpirt, të pikëlluar për shkak të mëkateve, të butë, të uritur e të etur për drejtësi, të mëshirshëm, të pastër në zemër, punëtorë të paqes, të persekutuar për shkak të drejtësisë. E Zoti i ka bërë ata pjesëmarrës të lumturisë së Tij Hyjnore: në këtë botë e kanë parashijuar e, përtej, e gëzojnë lumturinë në plotësi. Tani janë të ngushëlluar, trashëgimtarë të tokës, të nginjur, të falur, e shohin Zotin bijë të të cilit janë. Me një fjalë: “e tyre është Mbretëria e qiellit” (krh Mt 5,3.10).

Në këtë ditë e ndjejmë në ne se po na afrohet fuqia tërheqëse drejt Qiellit, që na shtyn ta përshpejtojmë hapin e shtegtimit tonë tokësor. Në zemër ndjejmë ndezjen e dëshirës së flaktë për t’u bashkuar përgjithmonë me familjen e shenjtërve, pjesë e së cilës kemi hirin të jemi qysh tani. Siç thotë një këngë e njohur spiritual: “Kur do të vijë aradha e shenjtorëve të tu, oh sa do të doja, o Zot, të isha ndërmjet tyre!”.

Urojmë që ky synim e kjo dëshirë të ndizet flakë në të gjithë të krishterët, e ti ndihmojë të kapërcejnë çdo vështirësi, çdo frikë, çdo vuajtje, çdo mjerim! Të dashur miq, ta vejmë dorën tonë në dorën amënore të Marisë, Mbretëreshës të të Shenjtorëve, e ta lejmë veten të na udhëheq Ajo drejt atdheut qiellor, në shoqërinë e shpirtrave të lumë “ të çdo kombi, populli e gjuhe” (Zb 7,9). E në lutje të bashkohemi me të dashurit tanë të vdekur, të cilët i përkujtojmë nesër.

31 tetor 2018, 15:01