Kërko

Vajza të vogla në Afganistan Vajza të vogla në Afganistan 

Dita e vajzave të mitura. Unicef-i: akoma diskriminime të mëdha

Në botë, 76% e të rinjve jo aktivë, që nuk studiojnë, janë vajza. Me rastin e Ditës ndërkombëtare kushtuar atyre, që kremtohet sot, Unicefi denoncon se shumë vajza nuk lejohen akoma t’i shfrytëzojnë plotësisht talentet.

R.SH. - Vatikan

Një ndër 3 vajza, në krahasim me 1 ndër 6 djem, nuk punon e nuk merr asnjë lloj arsimimi. Mjafton kjo për të pohuar se vajzat e djemtë nuk kanë të drejta të barabarta në botë. Sot, në Ditën ndërkombëtare të vajzave të mitura, që kremtohet çdo 11 tetor, synohet sensibilizimi i qeverive, i institucioneve, i enteve publike dhe private, që të impenjohen për ta ndryshuar këtë gjendje.

Statistikat e OKB-së dhe denoncimi i Unicef-it

         Sipas të dhënave të OKB-së, në botë jetojnë 1,1 miliard vajza të mitura, prej të cilave, siç denoncon Unicef-i, 131 milion janë pa shkollë. Ndërkaq, 15 milion vajza në moshën nga 15 deri 29 vjeç, janë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale, ose kanë pësuar dhunë, që ua ka mbyllur të gjitha rrugët. Objektivi nr. 5 për zhvillimin e qëndrueshëm, që thotë “të arrihet barazia gjinore përmes emancipimit të grave e vajzave”, ka të bëjë edhe me të miturat. Ҫështje, që meriton vëmendje të veçantë dhe politika e programe, të cilat synojnë ndërgjegjësimin për sfidat, që duhet të përballojnë vajzat e vogla.

Impenjimi i Karitasit Shqiptar

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave të Mitura dhe të fushatës së Antitrafikimit, Karitasi Shqiptar në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, organizoi forumin “Martesat e Hershme” si fenomen që dëmton fëmijët. Ky takim u organizua në ambjentet e Bashkisë së Malsisë së Madhe me pjesmarrjen e autoriteteve dhe të të rinjve nga shkollat e zonës.

11 tetor 2018, 17:16