Dënimi me vdekje Dënimi me vdekje 

Dita botërore kundër dënimit me vdekje: hakmarrja të ngujon

Në vitin 2017 vendin e parë për numrin e ekzekutimeve e zuri Irani, pasuar nga Arabia Saudite, Iraku e Pakistani

R. SH. - Vatikan

Të sensibilizojë botën për kushtet çnjerëzore të jetës së njerëzve të dënuar me vdekje. Ky, qëllimi i Ditës së sotme botërore kundër dënimit me vdekje. Shumë shpesh të burgosurit në kthetrat e vdekjes - nënvizon në faqen e tij të internetit ”World Coalition against death penalty” - shndërrohen në qenie njerëzore, për të cilat shoqëria nuk investon më”. Janë, me një fjalë, të vdekur të pavarrosur. Pa harruar as fenomenin e rrëmbushjes së burgjeve në disa vendeve  të Afrikës e të Azisë dhe mbylljen në qelitë e izolimit, posaçërisht në SHBA. Në këto kushte, të dënuarit me vdekje kanë shumë pak mundësi të takohen me familjarët dhe avokatët.

Në 2017 u shënuan ekzekutime me vdekje në 23 vende

Në vitin 2017 - njofton Amnesty International – u regjistruan  993 ekzekutime, në 23 vende, 4% më pak se në vitin  2015. Shumica në Iran, Arabi Saudite, Irak e Pakistan. Por kjo e dhënë - nënvizon organizata ndërkombëtare jo qeveritare,  “nuk i llogarit edhe mijëra ekzekutimet në Kinë, ku informacionet për dënimet me vdekje vijojnë të jenë sekret shtetëror. Ndërsa numri i vendeve, që e kanë  ndaluar këtë dënim për të gjitha llojet e  krimeve, është 107

Për Papën Françesku, dënimi me vdekje është i papranueshëm

katekizmin e Kishës katolike, kohët e fundit, sipas dëshirës së Papës Françesku, është bërë një ndryshim lidhur me dënimin me vdekje. Në dritën e Ungjillit - lexohet në Rescriptin e Atit të Shenjtë, botuar  gushtin e kaluar – “dënimi me vdekje është i papranueshëm, sepse cënon paprekshmërinë e dinjitetit të njeriut”. Prej këndej, angazhimi i vendosur për  heqjen e tij në mbarë botën. “Sot është gjithnjë më e gjallë - nënvizojet në tekst - vetëdija se dinjiteti i njeriut nuk humbet, as pasi kryen krime të rënda”. Veç kësaj shtetet po i shikojnë në një mënyrë të re dënimet penale.  E, së fundi, sot kanë nisur të përdoren sisteme burgimi më efikase, që garantojnë mbrojtjen e duhur të qytetarëve, pa ia mohuar përfundimisht të dënuarve mundësinë e pendimit e të çlirimit nga pesha e fajit, sado i rëndë që të jetë, e duke shpëtuar, kështu nga rreziku, më i frikshëm se vetë vdekja, i shndërrimit në “ish-njerëz”. Ndërsa, po të pendohen me gjithë zemër, mund ta rifitojnë fytyrën e njeriut të vërtetë! E edhe të shëlbohen!

10 tetor 2018, 17:24