2018.09.06 Cattedrale Santa Madre Teresa a Sapa Albania 2018.09.06 Cattedrale Santa Madre Teresa a Sapa Albania  

Dioqeza Sapës: Familja shqiptare qelizë e shoqërisë dhe e Kishës

Në takim nuk munguan edhe pyetje dhe diskutime të shumta rreth çështjes së familjes, ku të pranishmit shprehën edhe shqetësimet që po e trazojnë familjen shqiptare në ditët e sotme, si në vlera ashtu edhe në mospërputhjen e mentalitetit të kohës.

R. SH. - Vatikan

Kisha dioqezane e Sapës fokusohet mbi familjen. Në një takim dioqezan të familjes, mbajtur këto ditë në Vau Dejës, u diskutua  është pikërisht mbi “Familjen Shqiptare”. Takimi u organizua nga komisioni i dioqezës së Sapës, nën drejtimin e dom Kastriot Gjokës,  në të cilin morën pjesë rreth 59 familje, të cilat së bashku me meshtarët dhe përgjegjësit baritorë, biseduan dhe shqyrtuar jetën pastorale të Kishës, e posaçërisht atë të familjes, si qelizë e shoqërisë dhe e Kishës. Më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit....

Kisha dioqezane e Sapës fokusohet mbi familjen.

TAKIMI DIOQEZAN I FAMILJEVE

“Familja Shqiptare”, ishte një prej temave të diskutuara në takimin dioqezan të familjes, mbajtur këto ditë në Vau Dejës. Nën organizimin e dom Kastriot Gjokës përgjegjës baritor për familjen dhe në bashkëpunim me komisionin dioqezan, në këtë takim morën pjesë rreth 50 familje të famullive të dioqezës Sapë, të cilat së bashku me meshtarët dhe përgjegjësit baritorë kanë një rol shumë të rëndësishëm në jetën pastorale të kishës, duke kujtuar gjithmonë se familja është qeliza e shoqërisë dhe e Kishës.

Në këtë takim ishte e ftuar për të referuar teologia Motër Rita Ndoci, Eprore e  bashkësisë së motrave të “Jezusit, Bariut të mirë”, në Shkodër, e cila  gjatë ligjëratës së saj diskutoi gjërë e gjatë mbi familjen dhe ecurinë e saj.  Familja citoi ajo, “merr pjese në misionin profetik, priftëror dhe mbretëror të Krishtit dhe të Kishës; është një mision që buron nga Fjala e Zotit, shprehet në Kishë, në dimensionin e komunitetit, nëpërmjet besimit dhe sakramenteve. Kisha është hapësira jetësore e takimit personal me Krishtin, ku familja e krishterë është thirrur të jetojë thirrjen universale për shenjtërinë. Sot familja në Shqipëri ka një përgjegjësi të madhe. Ajo është mbartëse e shumë vlerave, është themeli i shoqërisë sonë. Të ecim të bashkuar në Krishtin pa u shkurajuar apo mbyllur në vetvete, por të jemi mjet i dobishëm në duart e Zotit për të çuar përpara me përgjegjësi misionin e besuar secilit prej nesh.

Takimin e familjeve e ka përshëndetur edhe Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili “ofroi mbështetjen e tij për familjen, në të cilën dëshiron që vërtetë kisha Dioqezane e Sapës të jetë tamam si një familje e vetme dhe e bashkuar. Kisha pa familje të krishtera theksoi imzot Simoni, është  si mulliri pa ujë. Ndaj, ai ftoi të gjithë përgjegjësit baritorë që të bëhen disa hapa edhe pse të vegjël, por ama konkret mbi baritoren e Familjes. Të bashkohen familjet në grupe të veçanta dhe të punohet e të dialogohet sa më shumë me to. Feja na mëson që në familjen e krishterë mund të rrjedh e njëjta jetë dhe e njëjta dashuri që rrjedh në familjen e trinisë, ajo që rrjedh mes Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt, - përfundoi ipeshkvi”.

Në takim nuk munguan edhe pyetje dhe diskutime të shumta rreth çështjes së familjes, ku të pranishmit  shprehën edhe shqetësimet që po e trazojnë familjen shqiptare në ditët e sotme, si në vlera ashtu edhe në mospërputhjen e mentalitetit të kohës.

Kjo ecje dioqezane që sapo ka filluar do të bazohet kryesisht në enciklikën e Atit të Shenjtë Papa Françesku, “Gëzimi i Dashurisë”. Ndaj jemi të ftuar të gjithë që të bëhemi shërbëtorë të devotshëm për familjet tona, duke ndërtuar unifikimin e identitetit tonë, duke ndërtuar kështu një shoqëri sa më të mirë dhe efikase për veten dhe për vendin.

Violeta Marashi

16 tetor 2018, 14:25